Mëkatet e Borëbardhës dhe nevoja për revizionimin e përrallave!!!

Postuar në 13 Tetor, 2019 14:54

Shumëkush qeshi sot me presidentin e vendit, Ilir Meta, i cili u shfaq duke bërë sikur luan futboll në plazh. Si një personazh publik të cilit nuk i shkon asgjë, jashtë sportit të intrigave të kafenesë, Meta, tërësisht demode dhe i pamenaxhueshëm nga praktika e PR-it, nuk po arrin të kuptojë se ngjan mirë kur nuk flet. Por nëse ky i presidentit është një episod që në fund të fundit bën pjesë në kazanin e politikës shqiptare, episode të tjera, “nga bota akademike”, të bëjnë të qeshësh dhe të qash në të njëjtën kohë.

Ja një rast, i cili në fakt mund të shqyrtohet nga shumë kënde, por pa përjashtuar këndin komik dhe banal që prodhon kur e lexon. Autor: Erges Eskiu, që prezantohet si logoped dhe pedagog në Universitetin e Mjekësisë. Shkrimi botohet në rubrikën “Suplement” të gazetës së shquar “Panorama”, nën titullin zhdanovist: “Arsyet pse filmi “Borëbardha dhe shtatë xhuxhët” nuk duhet të shfaqet më në ekran”. Eskiu nuk bën as hyrje as parashtrim. Lëshohet drejtpërdrejt në sulm ndaj Borëbardhës, xhuxhëve, regjizorit dhe autorit duke dhënë disa receta që ngjajnë përgjigje ndaj pyetjeve të befasishme që të bëjnë fëmijët.

Së pari shfaq vajzën, femrën si shtëpiake. Së dyti shfaq idenë se më i madhi manipulon më të voglin. Së treti, dhunimin e privatësisë së femrës dhe së fundmi, diskriminimin e njerëzve të shkurtër

Këto janë fjalitë e para të z. Eskiu. I cili më poshtë sqaron se ku e ka llafin. Sipas tij madje, filmi Borëbardha… përfaqëson edhe kulturën turke të viteve ’70, e cila nuk mund të referohet më në perspektivën europiane të 97% të shqiptarëve, sepse sipas pedagogut:

pengon integrimin e mëtejshëm në vendimmarrjen sociale të femrës e është një forcë e errët që pengon barazinë gjinore

Vallë Borëbardha, xhuxhët dhe ne fëmijët që e pamë atë sa herë, duke mbajtur mend sidomos xhuxhin babaxhan me emrin Qaraman, jemi kaq anadollakë saqë e kemi vënë femrën me hu përpara e nuk e lëmë të marrë një vendim të vetëm? Pastaj, pse putheshin vallë në Turqinë e atyre viteve? Para paskan qenë qerratenjtë!

Këtu Borëbardha e shkretë luan rolin e mëkatit fillestar, ne të tjerët thjesht jemi viktima, Eskiu është "alieni" që na iluminon. Kopsitet kështu trekëndëshi i një narrative humane që pagëzon një kohë të re.

Por duhet të ecim më tej për të kuptuar thellësinë e argumenteve të mjekut logoped. Përveç nxitjes së keqkuptimit se femra është për punë shtëpie, apo se xhuxhët stigmatizohen, një tjetër arsye që Borëbardha dëmton brezin e ri është as më pak e as më shumë, cenimi i privatësisë. Si ndodh kjo? Ja si e shpjegon mjeku në fjalë:

…rrëmbimi i puthjes në buzë, nga një burrë i panjohur, vajzës në gjumë, është shkelje e privatësisë së saj, është dhunim i intimitetit të saj. Një puthje pa konsent do të thotë se kemi të bëjmë me dhunim seksual ndaj një vajze inkoshiente. Fakti se burri që e puth është princ, nuk e justifikon dhe nuk duhet menduar të justifikojë aspak veprimin e tij

Shumëkush mund të mendojë se ky Eskiu sikur e tepron pak këtu, mirëpo sërish kjo periudhë observuese dhe përshkruese e veprës Borëbardha…nuk është asgjë në krahasim me pikëpamjet revizioniste të mjekut që sugjeron se në momentin e puthjes, Borëbardha, po të ishte gocë tamam, duhet të reagonte. Shkruan mjeku:

Nga ana tjetër personazhi kryesor duhej të kishte reaguar ndaj këtij veprimi, të shprehte refuzimin e plotë dhe të kërkonte ndëshkimin e dhunuesit. Ky episod, përveçse e bën vajzën të ndihet e dhunuar dhe të pafuqishme për të reaguar, pa një alternativë reagimi, u ngulit në subkoshiencë vajzave, por edhe djemve ndjenjën e autodestruksionit. Pra sikur të më ndodhë edhe mua një aksident, të humb ndjenjat, të jem duke vdekur, të vij ai/ajo të më puth(teskti siç është botuar) e të zgjohem nga gjumi e më pas të jetojmë të lumtur, çka në realitet ka pak gjasa të ndodh e në fund të fundit, pse duhet të rrezikojmë jetën për dikë që pak ose aspak e njohim e pse duhet t’i fitojmë gjërat me fatalizma dhe jo duke u bërë më të bukur intelektualisht, më “smart”?!

Ky reflektim i thellë dhe i bukur intelektualisht, përtej kërkesës për censurimin e Borëbardhës…, na fton të kuptojmë se:

  1.   Femra nuk duhet puthur pa mendje.
  2.   Femra nuk duhet të pëlqejë kur puthet pa mendje dhe pa deklarim paraprak të noterizuar(Shikimet miratuese dhe pasiviteti ndjellës i saj në kohën e sotme janë rreng ose keqkuptim, ndaj duhet deklaratë noteriale)
  3.   Përrallat duhen revizionuar
  4.   Përrallat duhen përfshirë në aplikacione “smartphone” për fëmijë, të përkthyera shqip dhe me opsionin që të modifikohen nga vetë fëmijët(p.sh të jetë opsioni që xhuxhat zgjaten).
  5.   Mjekut në fjalë i duhet akorduar fond për studime të mëtejshme në këtë fushë kaq të rëndësishme.
  6.   Të rilexohet me detyrim Borëbardha dhe të nxirren prej saj mësimet e duhura.
  7.   Shteti shqiptar të organizojë një peticion ndërkombëtar kundër filmit “Mbreti i Unazave” dhe të gjithë serive asociuar me të, si dhe “Harry Potter”, për stigmatizimin dhe shtregoneritë që u mvishen xhuxhëve dhe elfëve.

Shaptilografisti

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Ky Ergesi na qenka tredhur nga trute, sepse po t'i vihemi ashtu sic shkruan ky, I bie qe shumicen e filmave ta zhdukim nga ekranet.
Ate filming me komuniste, ku hidhet ne ereydepo me municion e pushtuesve Italian nga Shpetimi, trimi i dhe Jahos, ku luanSander Prosi, ta zhdukim sepse kur burrat shohin se si plaku i gjuan me mashe vajzes se tij, do te bejne edhe ata te njejten gje.

P.S,
E cuditshmja, ky Ergesi do te jete fobi nga paraardhesit e tij sepse mbiemrin e ka turk: "eski" i vjeter. Prandaj behet shume i civilizuar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.