Dendias zbardh bisedën Rama-Mitsotakis në New York
Kur kanë kaluar më shumë se dy javë nga takimi i kryeministrave Rama e Mitsotakis në New York në kuadër të Asmblesë së OKB-së, ministri i Jashtëm grek, Nikos Denidas ka dhënë detaje nga takimi mes dy kryeministrave, kërkesat e palës shqiptare dhe kushtin e panegociueshëm të Athinës.
I ftuar në televizionin publik Dendias ka thënë se për momentin marrëdhëniet janë në vend numëro, nuk ka asnjë përparim në bisedimet për delimitimin e zonave Ekskluzive Ekonomike në detin Jon, ndërsa ka zbardhur edhe një ofertë kompromisi nga pala shqiptare.
Deklarata në studio e Dendias
Ne do të dëshironim që të dy vendet të ecnin përpara, ky është realiteti, ky është interesi i tyre dhe në të njëjtën kohë, interesi i Greqisë dhe BE-së. Por ata duhet të plotësojnë kushtet.
Z. Mitsotakis u takua me z. Rama në New York, ku unë gjithashtu isha i pranishëm dhe i tha qartë: Vetëdeklarim për minoritetin grek. Ky nuk është pretendimi i Greqisë kundër Shqipërisë, por është një e drejtë themelore e njeriut. A mund të thotë dikush "Jo ti nuk je" kur ti mendon se i përket pakicës greke?
Z. Mitsotakis foli qartë me zotin Rama edhe për pronat duke i thënë: Vërtetë po përpiqeni të shpronësoni qytetarët tuaj sepse dëshironi zonën bregdetare të Himarës? Këto gjëra nuk kanë asnjë lidhje me diferencat mes Greqisë dhe Shqipërisë, ato kanë të bëjnë me të drejtat themelore të njeriut dhe ligjit evropian.
Në rast vështirësish, pala greke është e gatshme t’u ofrojë atyre ndihmë dhe ekspertizë, po ashtu dhe BE. Por, nëse nuk shfuqizohen ligjet për pronën që kemi këtë 1 vit e gjysëm do të jetë e vështirë që procesi i pranimit të Shqipërisë të vazhdojë me aprovimin e Greqisë. Për ne, kjo është thjesht një kusht. Pala shqiptare ofroi një kompromis me ne, por ai nuk mjafton. Dhe po e përsëris, jo sepse duam t'i detyrojmë. Dhe e them këtë sepse nuk dua që shqiptarët të mendojnë se Greqia u shkakton atyre probleme, por sepse është në interes të shoqërisë shqiptare. Shqipëria, qeveria, duhet të afrohet me pakicën greke, ata në fund të fundit janë qytetarët e saj.
Për pak ditë mbushet një vit nga incidenti shumë i pakëndshëm në Bularat ku gjeti vdekjen minoritari Konstandinos Katsifas. Më kujtohet atëherë, prisnim ditë për ditë, javë pas jave, për të mësuar mbi shkaqet e vdekjes së Katsifas. Kanë kaluar muaj dhe po mbushet një vit dhe ne ende nuk e kemi raportin nga pala shqiptare.
Add new comment