Burgu si pasion dhe dalldi e papërmbushur qeverisëse
Të gjithë e mbajmë mend kryeministrin e tanishëm kur bërtiste lart e poshtë nëpër Shqipëri duke përëritur fjalën Burg. Burg për këdo që i prishte fasadën e Shqipërisë që kishte imagjinuar, për këdo që kishte ndërtua pa leje, burg andej e burg këtej. E kishte sefte në detyrë dhe sevdanë për shtet e kishte të madhe. Kaluan ca vjet dhe shqiptarët e nuhatën se nuk kishin të bënin me ndonjë Bej të sertë që kur të bën benë të gjen belaja. Kishin të bënin me një rrufjan që këtej bërtet e këtej shkel syrin. Ndaj edhe ato vepra që të fusnin në burg, jo vetëm që u shtuan por e kapën për fyti vendin. Një shpjegim është se tolerimi i paligjshmërisë poshtë legjitimon paligjshmërinë Lart.
Duke iu shteruar përrallat, zoti Rama iu kthye sërish Burgut. Në sigurinë ushqimore, në kodin rrugor, në kundërshtimin e policit në detyrë e të gjitha këto. Nuk është e qartë se ku fillon demagogjia dhe ku budallallëku në të gjitha këto nisma që nuk shoqërohen as me analiza reale, as me fatura, as me burime njerëzore të mjaftueshme dhe ç’është më e keqja nuk konsiderojnë zgjidhje objektive. Sepse është e qartë ky vend nuk ka buxhet për kaq shumë të burgosur që imagjinon zoti Rama që ndoshta mendon se po vure në ligj normën e burgosjes, të gjithë do tremben, ose të gjithë shkelësit do arrestohen dhe burgosen.
Këtë këngë të burgut e ka mbajtur sot edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në Parlament. Kësaj radhe zoti Lleshaj ka paralajmëruar shtim të kohës së burgimit për ata që mbajnë armë pa leje.
Dënimet që janë dhënë ndaj personave të kapur me armë kanë qenë të pamjaftueshme, kanë qenë simbolike. Ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të ndahen nga armët. Për këtë, Kodi parashikon që, për ata që kapen me armë dënimet fillojnë nga 5 vjet deri në 15 në rast përsëritje. Do bëjmë përpjekje që të rëndojmë kushtet për marrjen e armëve me leje
tha ai.
Më tej ai paralajmëroi burgosje edhe për ata që bllokojnë rrugët.
Është bërë modë në Shqipëri që kush është i pakënaqur nga veprime të caktuara të administratës, qeverisë, gjyqësorit të ushtrojë një vetëgjyqësi moderne duke bllokuar rrugët si përgjigje ndaj vendimeve që dikush nuk i pranon. Këtu ka ardhur koha që Kodi Penal parashikon qartësisht masa ndaj atyre që bllokojnë rrugët e vendit. Mentaliteti për të bllokuar rrugët duhet të marrë fund dhe qytetarët shqiptarë dhe politika duhet të kuptojnë që zgjidhja e problemeve ka vetëm një derë, kjo është dera e drejtësisë. Ata që do të tentojnë të bllokojnë rrugët duhet të llogarisin masa të reja të parashikuara nga Kodi Penal
Pse nuk trembin njeri këto fjalë? Pse ngjajnë ato bosh, pa kuptim dhe ireale? Pse irriton kjo lojë aktoriale prej parimori?
Përgjigja është e thjeshtë: kur qeveria dhe shteti si i tërë është hajduti, banditi, vrasësi, si mundet të pranohet seriozisht drejtësia e pretenduar prej tij? Thuhet se shteti ka monopolin e dhunës, ndaj prej tij burojnë norma rregulluese që shpallen se qenkan bërë në emër të shoqërisë. Në Shqipëri shteti ka bërë aksioner krimin në këtë monopol meqenëse mbahet në këmbë nga aktivitet kriminale dhe ushqen organizata kriminale. Si vallë mendon z. ministër se po flet në emër të së ardhmes sonë atëherë?
Me këto ritme marrëzia e kësaj qeverisjeje do të përfundojë që të normojë me burgosje edhe ata që shajnë apo fyejnë kryeministrin publikisht, në rrugë, që bëjnë grafite me imazhet e të ashtuquajturve figura publike dhe zyrtarë të lartë. Ndoshta do të pretendojnë qetësinë absolute në mungesë të dashurisë popullore që nuk e patën kurrë, duke folur njësoj si ky demodeja e shekullit të 21-të që është ministër i Brendshëm: Ka ardhur Koha që shqiptarët të mos flasin më shumë sesa duhet në mexhlis!
Add new comment