Serbia, fqinji ynë euro-aziatik

Postuar në 14 Shtator, 2019 12:15
Veton Surroi

Kur Angola e fitoi pavarësinë e saj, prijësi i Lëvizjes për pavarësi, Agostinho Neto, ia dhuroi mareshalit Tito (gjegjësisht Jugosllavisë), në emër të ndihmës së madhe (politike, në armatim, etj.) të drejtën e shpimit për naftë në puse të Oqeanit Atlantik. Aty u futën në fund të viteve shtatëdhjetë kompania kroate INA dhe ajo serbe, që së fundmi u quajt NIS (Industria e Naftës e Serbisë). Për nja tridhjetë vjet , kompania serbe nxori naftë prej Angolës, jo ndonjë sasi marramendëse, por sa për ta mbajtur të gjallë e me profit atë investim. Po të blihej sot , koncesioni për atë pus vlerësohet të jetë dyqind milionë dollarë.

Por, atë pus, së bashku me të gjitha puset që i ka NIS-i në Vojvodinë (dhe pronat e tjera, si ndërtesat administrative, pushimoret,pikat e karburantit, etj.) i bleu më 2009 “Gazpromi” rus me 400 milionë dollarë. Viti i shitjes së Industrisë së Naftës nuk ishte koincidencë. Negociatat për shitje kishin filluar më 2008, pasi që Federata Ruse, ndonëse fillimisht kishte përkrahur Planin e presidentit Ahtisaari, u vendos kundër tij dhe kërcënoi me përdorimin e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së , po të mbërrinte për votim pavarësia (e kushtëzuar) e Kosovës.

2.

Fati i puseve të Angolës qe një rrëfim i thjeshtë i shpërblimit për favore politike. Angola shpërbleu përkrahjen e mareshalit Tito, Serbia shpërbleu përkrahjen e Rusisë në çështjen e Kosovës. Dallimi thelbësor, megjithatë, mbetet se shpërblimi i Titos erdhi pasi që Angola e fitoi pavarësinë, ndërsa ai i Rusisë pasi që nuk u arrit pengimi i pavarësisë së Kosovës. Angola mund të vazhdonte ta shpërblente Titon, por për pikë qejfi e jo për ndonjë ndjenjë obligimi a varësie. Serbia, ndërkaq, duhet të vazhdojë ta shpërblejë më tutje Rusinë nëse e do përkrahjen e vazhdueshme të saj në Këshillin e Sigurimit.

Pjesë e këtij shpërblimi është krijimi i një afërsie gjithnjë e më të madhe mes Serbisë dhe Rusisë. Serbia tashmë ka iniciuar një garë në armatosje- me një buxhet më të madh për ushtri sesa pesë vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku-dhe furnizuesi i Serbisë me armë është po ai vend që ka premtuar se do ta furnizojë me gaz, Rusia. Serbia ka vënë kështu peshën e madhe të politikës së saj energjetike dhe të mbrojtjes në anën e Rusisë. Në kundërvlerë, Rusia i ofron Serbisë hijen e kërcënimit me veto në Këshill të Sigurimit- pra, ndodhi çka ndodhi, Kosova nuk mund të jetë anëtare e OKB-së pa e dhënë pëlqimin për këtë Rusia dhe , siç shpreson Beogradi, pa ia kërkuar këtë gjë Serbia.

Tash Beogradi zyrtar ka vendosur të shkojë edhe një hap më tutje. Më 25 tetor të këtij viti Serbia pritet të nënshkruajë hyrjen e saj në Bashkimin Ekonomik Euro-Aziatik, një kopje e dobët e Bashkimit Evropian e iniciuar nga Rusia, në të cilën hyjnë disa prej shteteve të ish- Bashkimit Sovjetik. Ky akt prezantohet në Serbi si zgjerim i hapësirave ekonomike , por në të ka shumë pak ekonomi e tepër shumë politikë. Serbia plason në hapësirën e Bashkimit Euro-Aziatik gati shtatë për qind të eksportit të vet, ndërsa në Bashkimin Evropian 70 për qind. Për t’ia shtuar absurdit, gjatë një periudhe jo të shkurtër, Serbia ka eksportuar më shumë në Kosovë se në vetë Rusinë. Dhe, pjesëmarrja në bashkimin e Putinit nuk do të bëjë më shumë për ekonominë e Serbisë; aty edhe ashtu ka pasur eksport të papenguar nga tarifat.

Marrëveshja e 25 tetorit është akt i cili do të tregojë se ekzistojnë alternativa ndaj BE-së dhe NATO-s për regjionin e Ballkanit Perëndimor dhe se këtë alternativë e dëshmon Serbia me shokët e vet, Rusinë, Bjellorusinë, Armeninë, Kazakistanin dhe Kirgistanin.

3.

Hapi i ardhshëm i Serbisë për aderim në Bashkimin Euro-Aziatik është i një kontinuiteti logjik . Ndonëse Serbia është vend i cili ka filluar negociatat me Bashkimin Evropian, është po ashtu vend i cili në formë ekzemplare ka dështuar të koordinojë politikën e vet të jashtme me atë të BE-së, sikur e kërkon kapitulli negociator 31. Serbia në formë konsistente ka refuzuar të jetë pjesë e vendimeve të BE-së që kanë të bëjnë me Bjellorusinë dhe Rusinë. Vitin e kaluar ka përmbushur me vetëm 52 për qind bashkëdyzimin me politikën e jashtme evropiane, dhe kështu ka treguar një koncept të vendosur pushteti: krahas politikës energjetike dhe asaj të mbrojtjes, do të vendosë edhe politikën e vet të jashtme gjithnjë e më shumë pranë Rusisë.

Maksim Samorukov, zëvendësdrejtor i Qendrës Karnegi në Moskë , e quan skizofrenik këtë relacion të vendosur mes prijësve serbë dhe Moskës pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008. Moska, thotë ai “thelbësisht mund të vendosë veto ndaj çfarëdo propozimi paqeje për Kosovën, duke nënshkruar kështu vdekjen politike për lidershipin serb”.

4.

Për Kosovën ky është rast i mirë për rivlerësim të qëndrimit të vet në procesin negociator me Serbinë. Falë veprimit të deritanishëm symbyllazi të Kosovës, jo vetëm që nuk u arrit “normalizimi” i marrëdhënieve, por Serbia, e cila duhej të ishte afruar më shumë Evropës, po tregon se është më e interesuar që baraspesha e imitimit të dobët të Titos të kalojë në anën e Rusisë.

Serbia ka kuptuar që anëtarësimi i saj në BE po largohet derisa të rregullohet vetë BE-ja. Dhe Kosova mund ta kuptojë atë që ka mundur ta kuptojë para dhjetë vjetësh, e kjo është se vendi nuk ka ardhmëri evropiane si shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sepse është shtet i cili nuk njihet prej pesë shteteve anëtare të BE-së. Nëse Serbia është larg BE-së, Kosova është së paku dyfish më larg se Serbia.

Dhe, Kosova duhet ta ndërtojë një politikë të jashtme të përgjegjshme; ndoshta fillimisht do të ndihmonte të kishte së paku një koncept bazik të politikës së jashtme. E, në të duhet harruar të gjitha improvizimet si përpjekja për anëtarësim në UNESCO e të ngjashme. Apo naivitetin me të cilin H.Thaçi ishte i bindur dhe i bindte të tjerët se me Marrëveshjen e Brukselit Serbia e ka njohur Kosovën, madje ia ka njohur edhe të drejtën e anëtarësimit në OKB.

Për qeverinë e re të vendit, të dalë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ndoshta do të ishte mirë që të përcaktojë një objektiv të qartë në politikën e vet të jashtme, e ky është anëtarësimi në NATO. Kosova nuk ka as kohë e as luksin e të priturit se si do të reformohet BE-ja, si do të zhvillohen raportet e saj me Serbinë, apo se si do të gjenden formulime kreative për të përshkruar një proces të “normalizimit” të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në vend të interpretimeve dykuptimëshe duhet një status i qartë , i vendit anëtar të NATO-s, dhe për këtë duhet krijuar një unitet të plotë politik në Kosovë. Natyrisht, kjo nuk nënkupton që duhet hequr dorë nga negociatat me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së. Përkundrazi, nënkupton që të zhvillohen dy procese paralele, ai i normalizimit me Serbinë dhe ai i normalizimit të Kosovës si shtet anëtar i NATO-s.

Është e drejtë e Serbisë të jetojë në komunitet me Kirgistanin dhe të jetë vend euro-aziatik. Është e drejtë e Kosovës që të jetojë në komunitet me shtetet e Aleancës së Veri-Atlantikut.

koha.net 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.