Publikohen audiot e bisedave të vrasësve të gazetarit Khashoggi

Postuar në 10 Shtator, 2019 03:24

Gazeta turke Daily Sabah ka publikuar transkripte të bisedës mes anëtarëve të skuadrës saudite që ekzekutoi gazetarin Jamal al Khashoggi  dhe të bisedës mes këtij të fundit dhe ekzekutorëve pak përpara se të vdiste. Gazeta shkruan se audiot e regjistruara janë siguruar nga shërbimi sekret turk – MIT – dhe mandej janë shpërndarë me autoritetet turke që kanë kryer hetimet.

Në transkripte figuron Maher Abdulaziz Mutreb, personi i dytë përgjegjës i skuadrës ekzekutuese dhe dr. Salah Muahmmed Al-Tubaigy, kreu i Mjekësisë Ligjore në Departamentin e Sigurisë së Përgjithshme Saudite, person që ishte përzgjedhur për ta shpërbërë trupin e gazetarit Khashoggi. Biseda mes Mutreb dhe Al-Tubaigyt zhvillohet 12 minuta përpara se gazetari të mbërrinte në konsullatën saudite në Stamboll. Më poshtë biseda mes të dyve siç është zbardhur nga DS:

Mutreb: Është e mundur që të vendosim trupin në një çantë?

Al-Tubaigy: Jo. Shumë i rëndë dhe i gjatë. Unë kam punuar gjithnjë me kufomat. Di si t’i pres mirë, por nuk kam punuar ndonjëherë me trupa të ngrohtë. Por do ja dal me lehtësi. Normalisht unë vendos kufje dhe dëgjoj muzikë kur pres kufomat. Në të njëjtën kohë pi kafe dhe cigare. Pasi ta copëtoj, ju do të mbështillni pjesët në qese plastike, i vendosi në valixhe dhe i nxirrni jashtë godinës.

...

Eprorët e mi në Mjekësinë Ligjore nuk dinë gjë se çfarë po bëj. Nuk më mbron kush...

Mutreb: Erdhi “kafsha që do sakrifikohet”?

Në këtë moment Khashoggi hyn në konsullatë dhe pasi nis të dyshojë kapet nga krahu dhe shoqërohet në dhomën e ekzekutimit.

Mutreb: Ju lutem uluni! Duhet të të çojmë në Riad. Ka një urdhër nga Interpoli. Interpoli ka kërkuar që ju të riktheheni. Jemi këtu që të të marrim.

Khashoggi: Nuk ka padi kundër meje. E fejuara ime po më pret jashtë.

Mutreb: Keni celularë me vete?

Khashoggi: Kam dy.

Mutreb: Çfarë marke?

Khashoggi: iPhone.

Në dhjetë minutat e fundit të jetës biseda që përcillet është kjo:

Mutreb: Lini një mesazh për djalin tuaj.

Khashoggi: Çfarë duhet t’i them djalit tim?

Mutreb: Do të shkruani një mesazh, ta përsëris: na e tregoni neve.

Khashoggi: Çfarë duhet t’i them? “Shihemi së shpejti”?

Një anëtar i skuadrës: Qepe!

Mutreb: Shkruani diçka të tipit “jam në Stamboll. Mos u bëj merak nëse nuk më kap dot”.

Khashoggi: Nuk duhet të them rrëmbyer. 

Një anëtar i skuadrës: Hiqe xhaketën!

Khashoggi: Si mundet të ndodhë një gjë e tillë në një konsullatë? Nuk kam për të shkruar asgjë.

Një prej anëtarëve të skuadrës: Qepe!

Khashoggi: Nuk kam për të shkruar gjë.

Mutreb: Shkruajeni z. Jamal. Nxitoni. Na ndihmoni që t’ju ndihmojmë, sepse në fund ne do të të çojmë në Arabinë Saudite dhe nëse nuk na ndihmoni  e dini se çfarë do të ndodhë.

Khashoggi: Këtu ka një peshqir. Do më drogoni?

Al-Tubaigy: Do të vëmë në gjumë.

Pasi drogohet Khashoggi dëgjohet të thotë: “Mos ma mbyllni gojën. Kam azëm. Mos e bëni, do më mbysni”.

Këto thuhet se janë fjalët e fundit të gazetarit në fjalë pas të cilave në regjistrimi dëgjohen zhurmat e lëvizjeve të Khashoggit që sipas gazetës ka kokën brenda një qeseje plastike dhe lufton për jetën e tij.

Pas vdekjes rezultojnë të regjistruara zhurmat e veprimeve të copëtimit të trupit. Sharra e autopsisë dëgjohet në orën 1: 39 dhe vazhdon si procedurë për gjysëm ore.  

Gazeta referon librin “Mizori diplomatike: Sekretet e errëta të vrasjes Khashoggi” të tre gazetarëve të gazetës që thonë se copëtimi u krye nga Al-Tubaigy dhe trupi u nxorr jashtë në pesë valixhe. Një mizori primitive e padëgjuar për ndonjë regjim në historinë e shekullit të 20-të.

Vrasja ndodhi në 2 tetor të vitit 2018 dhe qysh atëherë  Riadi zyrtar ia ka dalë të shmangë kundërmasa nga komuniteti ndërkombëtar duke ia deleguar vrasjen zyrtarëve të ulët, ndërkohë që akuzat kryesore publike janë përqendruar ndaj princit të kurorës, Mohammad bin Salman, njeriu i së ardhmes që mesa duket nuk duronte dot kritikat e gazetarit në gazetën “The Washington Post”.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Dhe pas disa muajsh shume kryetare shtetesh dhe biznesmene firmash te medha shkuan ne Riad ne konferencen e investimeve! Dhe sot Trum & Co. takojne urdheruesin e ketij krimi makaber dhe cnjerezor, princin nr. 1, bin Salmanin! Turp e faqja e zeze!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.