Basti i SHBA me një demokraci të dështuar si Shqipëria

Postuar në 04 Shtator, 2019 22:23
Skerdilajd Zaimi

 

Kush lexon raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet lokale të vitit 2019 në Shqipëri kupton fare qartë se vendi ynë mund të kategorizohet pa kurrfarë dyshimi si një Demokraci e dështuar.

Vërejtjet e vëzhguesve përfshijnë thuajse gjithçka që ka të bëjë me procesin zgjedhor, që nga mungesa e vullnetit politik, keqpërdorimi i fondeve, kërcënimi i votuesve, mungesa e fshehtësisë së votës, mungesa e garës e deri tek njëanshmëria e qartë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Është një mesazh që buron nga vetë politika shqiptare, me sjelljet e saj, ku përgjegjësinë kryesore e ka shumica, e cila vërtet që mund të ketë alibinë se nuk mund të detyrojë opozitën të hyjë në zgjedhje, por për të gjitha vërejtjet e tjera është fajtore dhe ka dënuar mbarë vendin.

Ky mesazh tanimë është ndërkombëtarizuar si patentë zyrtare e një kandidati për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian dhe patjetër që do të peshojë shumë në vendimet e muajit tetor.

Një palë mund të thotë se qeveria dhe shumica mund të hidhet në ofensivë diplomatike për të sqaruar veçanësinë e procesit elektoral dhe të rikujtojë argumentet e krizës që përjeton vendi. Por në këtë kuadër do të mjaftonte fare mirë argumenti se megjithë dashamirësinë e të huajve, Shqipëria nuk është gati. Ajo nuk është një vend me tipare politike europiane.

Në planin e brendshëm ne kemi të gjiithë të drejtën të dyshojmë te kapaciteti i ministrit të Jashtëm në detyrë se është në gjendje të ndryshojë këtë klimë. Por kjo do të ishte vetëm gjysma e të keqes, sepse raporti nuk vlen vetëm si një lloj note e përsëritur për ngelësit e pandreqshëm shqiptarë. Ai kësaj radhe i jep një tjetër kontekst zhvillimeve politike që shihen të vijnë në raport me vendin tonë nga SHBA.

Pak ditë më parë, Mathew Palmer, që u caktua në detyrën e përgjegjësit për Ballkanin Perëndimor deklaroi se synimi i SHBA për Shqipërinë është që ky vend të hapë negociatat me BE-në në tetor.

Ndërkohë në një farë mënyre këtë gjë e ka përsëritur në kahje tjetër, zyrtari i lartë amerikan, Dave Kostelancik, që ndohet për një vizitë në Tiranë. Përtej instrumentalizimit të rëndomtë që i bëhet deklarimeve në kësi rastesh ra në sy mesazhi nga takimi i tij me kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi:

Zyrtari i DASH vuri në dukje nevojën për kryerjen e reformës zgjedhore duke rekomanduar se është përgjegjësi e qeverisë që dora e shtrirë për opozitën duhet të mundësojë tërheqjen e saj në realizimin e kësaj reforme. Kryerja e kësaj reforme brenda vitit, sipas zyrtarit amerikan do të mundësojë edhe një presidencë shqiptare të suksesshme të OSBE-së në vitin 2020

Marrja e Presidencës së OSBE-së nga Shqipëria është një moment shumë i rëndësishëm që lidhet me besueshmërinë e kësaj organizate e cila asociohet në vende të caktuara me SHBA dhe Perëndimin. Një ndër detyrat e saj është vëzhgimi dhe certifikimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe mund të merret me mend se cili do të jetë perceptimi për të nëse drejtimin e nerr një vend që nuk arrin të përmbushë asnjë kusht minimal për zgjedhje të lira e të ndershme. Duhet theksuar se drejtimi i OSBE-së caktohet nga Këshilli Ministerial dhe atë formalisht e ushtron si funksion ministri i Jashtëm i vendit që ka presidencën. Në këtë rast Gent Cakaj, nëse do të marrë dekretin e Presidentit.

Edhe vetë emri i këtij ministri është parë me shumë dyshim dhe si provë se Shqipëria nuk di të jetë serioze dhe as e besueshme në angazhimet e veta. Konkretisht, pak javë më parë, Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert Hand, shprehu shqetësim caktimin e zotit Cakaj në detyrën e ministrit të Jashtëm, pra eventualisht si personi që do të drejtojë OSBE-në.

OSBE-ja është një organizatë historike me rol simbolik dhe jo vetëm që është përfolur dhe dëmtuar nga akuza të ndryshme, por kësaj radhe me presidencën shqiptare ajo rrezikon të diskreditohet dhe të humbasë terren në kredon e vet.

Nga kjo pikëpamje shqetësimi i shtuar i amerikanëve për krizën shqiptare dhe angazhimi publik për të korrigjuar sa më shpejt këtë njollë të madhe mbi një vend që vuan nga kriza ciklike është në fakt axhendë që lidhet pikërisht me këtë moment të vitit 2020. Interpretimet dhe përdorimet e ndryshme të qëndrimeve të SHBA nuk ecin shumë sidomos kur kujtojmë se Palmer përpara zgjedhjeve deklaronte se zgjedhjet duhen bërë dhe se ankesat shqyrtohen në Gykatën Kushtetuese. Kjo është receta e optimizimit në rrethanat kur asgjë nuk është normale me një vend të cilit iu dha besim i madh.

Më keq se kaq vështirë se mund ta bënte një vend ndaj partnerëve të vet. Dhe sado të fuqishëm të jenë partnerët, sado dashamirës të jenë miqtë, shumë pak mund të bëhet për të rindërtuar një imazh që lidhet me funksionimin e një sistemi dhe jo me imitimin formal të tij.

Çfarë do të bëjnë këta partnerë me Shqipërinë nëse dështon të kalojë me sukses sprovat e saj në raport me detyrimet ndërkombëtare që i ka vënë vetes? Sot kjo pyetje nuk merr dot përgjigje, ndonëse dështimi nuk përjashtohet asnjëherë me këtë vend.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.