Lypësit e shumtë të Palmerit në Tiranë
Haberi se Mathew Palmer ka folur prapë është kryesor prej disa orësh tashmë. Zyrtari amerikan(ç’rëndësi ka detyra, mjafton që është amerikan) ka folur për korrupsionin, për zgjedhjet e 30 qershorit, duke bërë një rikonjicion mbi humorin e shoqërisë shqiptare.
Zoti Palmer foli, por çfarë tha? Nëse lexon mediat e opozitës, ai fshikulloi qeverinë; nëse lexon mediat e pushtetit ai ka thënë se SHBA nuk po mbështesin Ramën, ndaj kriza duhet zgjidhur mes shqiptarëve. Nëse lexon Palmerin, ai thotë në fakt një grumbull fjalish nga të cilat mund të nxjerrësh mesazhin që do.
Palmeri është njeriu i duhur për politikën shqiptare. Ai nuk është Soreca që është tanimë ministër pa portofol, por është një zyrtar amerikan që të hap ca dyer. Mesazhet që ka përcjellë njëra palë, apo tjetra japin të kuptohet se ku do të synohet. Opozita po kërkon të rikthehet në sistemin nga i cili doli vetë dhe duke dështuar. Po kërkon të luajë kartën morale tani që amerikanët kanë refuzuar hyrjen e Dakos në SHBA dhe që Palmer ka folur për probleme me zgjedhjet. Por që opozita të marrë rol ajo duhet të rikthehet në sistem me një mënyrë që nuk e njollos kostumin e saj revolucionar. Shtatori është përpara. Dhe ai është muaj ku zakonisht të gjithë presin diçka. Pastaj tetori. Çfarë do të ndodhë? Dhe përmbi të gjitha tanimë pyetja që ka më shumë rëndësi është: në emër të kujt negocion kjo opozitë? Çfarë përfaqëson ajo?
Qeveria është më e sigurtë edhe sikur të jetë duke përfaqësuar krimin vetëm. Opozita e tanishme shqiptare e ka fiziologjike testimin elektoral sepse që aty do të rilegjitimohet. Po shohim në fakt të kundërtën. Opozita po kërkon thjesht të mbijetojë sepse ajo vetëperceptohet në prag asgjësimi. Ajo po përdor kauzat e rëndëssishme qytetare si antibiotikët e fundit të një infeksioni që e krijoi vetë kur manifestoi dobwsi gjatw shpalljes sw njw revolucioni.
Sa për z. Palmer ai nuk ka zhgënjyer. Ka folur siç i leverdis. Për zotin Dako ka thënë se ka dëshmi, jo prova për korrupsion.
Kemi pasur dëshmi të forta në lidhje me aktivitetet e korrupsionit nga ana e zotit Dako. Dhe ne kemi autoritetet që janë të nevojshme për të ndërmarrë veprime në përgjigje të kësaj. Do të shpresoja që ky veprim të demonstronte angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar kundër korrupsionit dhe për të ndërmarrë veprime atje ku ka prova të forta dhe bindëse të praktikës korruptive.
Pak më poshtë:
Nuk mendoj se e shohim këtë si çështje të qeverisjes së Kryeministrit. Ne e shohim këtë si një çështje se si Shtetet e Bashkuara reagojnë ndaj sfidës së praktikës korruptive nga ana e atyre që janë në pozitën e besimit publik
Cilat janë këto dëshmi? Të cilat njollosin z. Dako, por jo më lart se ai?
Nga ana tjetër shikoni se çfarë thotë i njëti person kur i bëhet pyetja: a duhen përsëritur zgjedhjet lokale?
Kjo varet në të vërtetë nga institucionet shqiptare. Apo jo? Dhe pikërisht për këtë arsye ne do të donim që Gjykata e Lartë të ngrihej, e përbërë nga gjyqtarë që kanë kaluar procesin e duhur të verifikimit. Ajo gjykatë do të ishte pikërisht në gjendje t’i përgjigjej asaj pyetjes. Nuk u takon Shteteve të Bashkuara që ta gjykojnë atë çështje. I takon Gjykatës së Lartë të Shqipërisë ta marrë atë vendim
Po sikur Vangjush Dakon gjykata shqiptare ta shpallë të pafajshme, si do të vepronte SHBA? Apo kjo është tjetër çështje. Mathew Palmer është asgjë më shumë sesa një zyrtar që flet aty konform një politike. Përpara se të trajtohet si profet, është mirë të shihet për atë që është dhe një gjë është e qartë: Hajdutët me imunitet në Shqipëri e kanë frikë. Shumë. Nuk dihet se përse.
Add new comment