Përmende një herë fjalën LIGJ zoti Kryebashkiak!
Thotë sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Veliaj:
Edhe në këto ditë, kur Shqipëria kalon prapë debate, nëse përmirësimi i disa godinave, hapësirave dhe institucioneve siç mund të jetë Teatri i Ri, Bulevardi i Ri apo zgjatimi i Lanës, kur ti shikon që përballesh me të njëjtën histeri si këtu, kur na thoshin se ferrat ishin simbole kombëtare dhe duhet të ruanim çdo gjë që nuk ishte pjesë e identitetit tonë, vë buzën në gaz dhe them: me kurajo, me guxim, me vendosmëri, shumica e heshtur arrin të bindë edhe një minorancë të zhurmshme pse gjërat duhen përmirësuar.
Kurse pak më poshtë:
Unë mezi po pres që të fillojmë të rregullojmë dhe hapësirën tjetër të Kalasë; jam i sigurt se edhe aty do të thonë mos ma prek, mos ma prek, por po nuk prekëm, po nuk vumë dorë, kjo hapësirë nuk rregullohet vetë. Vizionar nuk është dikush që i bashkohet turmës, por dikush që arrin ta shohë me sytë e mendjes disa vite përpara të tjerëve, se çfarë gjëra të bukura mund të bëjmë ne shqiptarët kur bashkëpunojmë, kur fantazojmë dhe ëndërrojmë me pasionin e shpirtit tonë
Mund të pritej çdo gjë nga ky argëtues numër një i Tiranës. Por jo roli i një të mençuri, i një të urti. Sepse jo vetëm që fytyra e tradhëton – dhe kjo për ta thënë me fjalët e tij nuk është fyerje, por provë e faktit se shpirti nuk i fshihet botës për atë që është – por edhe sepse fjalitë e lënë në baltë.
Në paragrafin e parë zoti Veliaj flet për shumicën e heshtur që mund minorancën e zhurmshme, kurse në paragrafin e dytë(cituar nga lajmi i Top-Channel për festën e Fërgesës), zoti Veliaj kthehet në 180 gradë nga rruga e logjikës së mëparshme kur thotë se vizionar nuk është ai që i bashkohet turmës. Pra njëherë shumica ndihmon, kurse herën e dytë ajo stigmatizohet si turmë që luftohet me çfarë do thoni ju? Me atë që sheh me sytë e mendjes disa vite përpara të tjerëve dhe sheh jo një vizion të vetin, por mundësinë e mrekullueshme të asaj që mund të bëjnë shqiptarët kur bashkëpunojnë.
Ky muhabetçi brezash nakatoset me këmbët e veta kur nga një fjali në tjetrën mohon veten. Sepse ky regjistër populisti është simptonë jo vetëm e një sëmundjeje politike dhe personale, por edhe provë e sikletit të dikujt që në asnjë rast nuk përdor fjalën LIGJ. Bashkia, qeveria do të ndërmarrin nisma. Të cilat siç tha sot kryeministri nuk është e thënë të pëlqehen nga të gjithë. Por ama, ligjshmëria është e panegociueshme. Pallavrat e djemve të Rilindjes që kanë përveshur mëngët e po kullojnë djersën për Shqipërinë nuk i ha më njeri. Qoftë edhe sepse nuk është djersë vullnetarësh, por djersë që shkon qindra milionë euro.
Add new comment