Raporti/Regjimi nazist kreu transaksione të arit me vende neutrale për të financuar veprimet e veta
Gjermania përballet sërish me të kaluarën e errët naziste. Dhe këtë herë, "sulmi" vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. New York Times pretendon se zotëron një raport që do të publikohet të martën, në të cilin ka dëshmi se Gjermania naziste ka ndarë arin e sekuestruar nga vendet që kishte nën pushtim në vendet që bashkëpunuan me të, ose mbajtën një qëndrim neutral dhe lehtësuan pozitën e saj. Midis shteteve që kanë përfituar është edhe Turqia!
Sipas draft raportit të New York Times, "shumica e pasurisë së plaçkitur u transferua përmes Zvicrës në shtetet e tjera neutrale për të bërë të mundur furnizimin e ushtrisë së Hitlerit në vitet e fundit të Luftës së Dytë Botërore". Përveç Turqisë përfituan edhe Portugalia e Spanja.
Raporti prej 200 faqesh, ende pa u botuar, ka nxitur diskutime brenda dhe jashtë SHBA-ve. Grupe hebrenjsh të përfshirë në kontestet juridike me qeverinë zvicerane dhe tri bankat kryesore të vendit, akuzojnë Departamentin e Shtetit se është duke u përpjekur të "mbulojë" Zvicrën. Sipas raportit, janë rreth 300 milionë dollarë ar i plaçkitur (me vlerën e sotme 2.6 miliardë dollarë) që u përdoren nga Gjermania për të paguar Portugalinë, Spanjën, Suedinë dhe Turqinë për materiale të luftës. Raporti arrin në përfundimin se "tre të katërtat e kësaj shume u transferuan nga Gjermania nëpërmjet Bankës Kombëtare Zvicerane".
Detajet e raportit mbi origjinën e arit janë shokuese: një sasi ari me vlerë rreth 40 milionë dollarë është përfituar nga dhëmbët e florinjta të viktimave të Holokaustit dhe bizhuteritë e tyre! Raporti gjithashtu thekson se dy banka të mëdha gjermane, Banka "Dresdner" dhe "Deutsche Bank", i shitën ar Turqisë për të forcuar monedhën e Gjermanisë. Por asnjë nga bankat nuk është përfshirë në negociata për kompensimin e viktimave.
Raporti arrin në përfundimin se, ndryshe nga Zvicra, shumica e vendeve të tjera "neutrale" - veçanërisht Suedia - përmbushën marrëveshjet e pas luftës për shlyerjen e arit dhe disa pasurive të përfituara në fund të luftës. Thelbi i raportit është sesi vendet "neutrale" ndihmuan Hitlerin dhe sa fituan nga ai. Rezervat e arit të Turqisë, për shembull, nga 27 ton para luftës, arritën në 216 ton në fund të luftës.
Add new comment