Inteligjenca artificiale, fytyra e Antihumanizmit
Në një intervistë për “Avvenire”, filozofi Éric Sadin flet për inteligjencën artificiale dhe rrezikun që vjen prej saj. Antihumanizmi, e quan Sadin atë, për shkak të përmbysjes pardigmatike që sjell në atë që ai e quan “pushteti ynë për të vepruar”. Intervista është marrë me rastin e prezantimit të librit të tij me titullin domethënës: “Kritika e arsyes artificiale”.
Pse inteligjenca artificiale prezanton “një regjim të ri të së vërtetës”?
Inteligjecën artificiale e karakterizon zgjerimi i ekspertizës së saj që vijon të përmirësohet. Sot sistemet janë në gjendje të analizojnë situata të rendeve përherë e më të larmishëm dhe të zbulojnë të dhëna të realitetit, disa prej të cilave janë injoruar deri edhe nga ndërgjegja jonë. Dhe e bëjnë me një shpejtësi që tejkalon afatësitë tona njohëse.
Mund të shpjegoheni më mirë, ju lutem?
Sot po jetojmë një ndryshim të gjendjes së teknologjive digjitale. Nuk është më qëllim që të na lejojnë manipulimin lehtësisht të informacioneve, por pretendojnë zbulimin e realitetit përtej asaj që duket. Sistemet kompjuterike të sotme kanë një vokacion shqetësues, evokimin e së vërtetës. Teknikës i janë atribuuar prerogative të një lloji të ri, si ajo e iluminimit me dritën e saj të kursit të jetëve tona.
Si manifestohet e gjitha kjo në jetën e përditshme?
Kur teknikave u kërkohet të na thonë të vërtetën, atyre u njihet fakulteti i fjalës. Ndodh me altoparlantët e lidhur me të cilët ndërveprojmë verbalisht. Apo me chatbot(programe që komunikojnë tekstualisht apo vokalisht), me asistentët zanorë digjitalë të projektuar për të na udhëzuar në jetimin e së përditshmes. Do të jemi përherë e më të rrethuar nga spektre të ngarkuar me adminstrimin e veprimeve tona. Lufta e tanishme industrial do të përballet me një konkutrencë për prezencën, ku çdo aktor sforcohet për të imponuar perandorinë e vet spektrale në kurriz të të gjithë të tjerëve.
Sipas jush, njerëzimi po përshtat mjete për të hequr dorë nga prerogativat e veta vendimmarrëse…
Po jetojmë kulmin e përpariimit teknologjik. Është një dukuri unike në historinë e njerëzimit që i vendos teknikat në kushtet që na kërkojnë që ne të veprojmë, në një mënyrë apo në një tjetër. Kjo nuk ndodh në mënyrë uniforme, por vepron në nivele të ndryshme. Mund të nisë si incentive, p.sh me një aplikacion të coaching sportiv që sugjeron një lloj integratori ushqimor. Apo vjen në nivelin urdhërues, si në rastin e vlerësimit të lidhjes së një huaje bankare, apo në sektorin e rekrutimit që përdor robotë digjitalë për të përzgjedhur kandidatët.
Çfarë pasojash mendoni se do të ketë kjo?
Flasim shpesh për fabulën e ndërplotësisë njeri-makinë, por sa më shumë që do të automatizohet niveli i kompetencave, aq më shumë do të eklipsohet vlerësimi njerëzor. Deri sat ë mbërrihet në nivele detyruese, emblematike për botën e punës, që u cakton sistemeve të drejtën e urdhërimit të njerëzve për gjestet që duhet të bëjnë. Ushtrimi i lirë i fakultetit tonë për të gjykuar është zëvendësuar nga protokolle të projektuara për të urdhëzuar veprimet tona.
Për këtë arsye e konsideroni inteligjencën artificiale një antihumanizëm radikal?
Me pretekstin e lehtësimit të punës, inteligjenca artificiale ka mbuluar përmbysjen që po ndodh. Teknologjitë digjitale dhe instrumentet për mbështetjen vendimmarrëse janë kthyer në organe vendimmarrëse. Ne do të duhemi përherë e më pak në dhënien e udhëzimeve makinave dhe përherë e më shumë duke marrë prej tyre udhëzime. Në këtë mënyrë inteligjenca artificiale margjinalizon ushtrimin e fakultetit tonë të gjykimit dhe minon të drejtën tonë për të vendosur lirisht dhe me ndërgjegje.
Si ndodh kjo?
Në funksion të ambicies së tyre për të na qeverisuer vazhdimisht, këto sisteme vendosin një raport ngushtësisht utilitar me ekzistencën, duke lidhur çdo veprim me një funksion final; bëhet fjalë për të ashtuquajturin comfort apo optimizim të sekuencave të jetës sonë. Është unikaliteti I qenieve dhe I pluralizmit njerëzor që neutralizohet gradualisht nga modalitete me organizim automatik që zhbëjnë konfliktin, diskutimin dhe këshillimin, parime bazë të jetës politike demokratike. Ka një vullnet për të eliminuar të gjitha pasiguritë, dobësitë, dështimet, vullnet që lind nga mohimi i humanitetit tonë për të vendosur një shoqëri që presupozohet se do të jetë perfekte, një lloj higjenizimi ekstrem.
Si duhet të mbrohemi?
Shpejtësia e zhvillimeve, të paraqitura si të pashmangshme, na privon nga kapaciteti për të prononcuar veten në ndërgjegje. Teksa korifejtë e e automatizimit të botës janë me sens shumë të lartë sipërmarrës, pavarësisht pasojave për qytetërimin, ne e gjejmë veten të goditur dhe bllokuar nga apatia.
Pra?
Përpara së gjithash duhet të kundërshtojmë tekno-diskurset dhe të sjellim dëshmi nga realitetet ku këto sisteme operojnë, në vendet e punës, në shkolla, në spitale…Duhet të manifestojmë refuzimin tonë në raport me dispozitivë përcaktues kur kuptohet që minojnë integritetin dhe dinjitetin tonë. Kundër sulmit antihumanist, duhet të vendosim një ekuacion të thjeshtë: sa më shumë tentohet që të na privojnë nga pushteti ynë për të vepruar, aq më shumë është e domosdoshme të veprohet.
Përktheu: ResPublica
Add new comment