Të flasësh si nipçja i Manushit

Postuar në 28 Korrik, 2019 21:39

Ka një debat mbi Teatrin Kombëtar për të cilin qeveria po përpiqet të bëjë antipodin e asaj që e konsideron si një pakice e zhurmshme. Kryeministri po rrëmon gjithandej nëpër arkiva për të gjetur ndonjë deklaratë të aktorëve  apo regjisorëve që janë shprehur pro një Teatri të Ri, ndonëse  jo domosdoshmërisht nevoja për një Teatër të Ri nënkupton prishjen e ndërtesës ekzistuese.  Në postimin e radhës  Zoti Rama ka sjellë në vëmendje një episod të treguar nga regjisori i ndjerë Mihallaq Luarasi. Sipas kësaj dëshmie ndërtimi i Teatrit është amaneti politik që elita komuniste ka lënë këtu e 53 vjet më parë. Dhe tani trashëgimtarët janë gati ta përmbushin.

“Më 1966 në Teatrin Kombëtar, kur ishte gjallë dhe aktori i madh Naim Frashëri, rastësisht u takuam në oborr me Manush Myftiun, anëtar i byrosë politike atë kohë. Naimi i tha: “Nuk po mendon partia për një teatër të ri?”, ndërsa përgjigja e Manush Myftiut ishte: “Naim, nipat tanë të ndërtojnë një teatër të ri, ne nuk kemi mundësi, presim nga nipat tanë”.  

Pra ne jemi ata që sot duhet ta ndërtojmë një teatër të ri kombëtar”-shkruan Rama duke folur si nipçja i Manushit. Në fakt zoti Rama na thotë se është partia ajo që vendos. Dhe këtu merr kuptim çdo refuzim për të shkuar në referendum mbi çështjen e Teatrit. Por kryeministri ka tjetër sjellje jashtë. Ai  kapardiset se gjatë punës së tij si kryebashkiak ka operuar me të ashtuquajturat anketa.

Të paktën këtë ka konfiduar në një forum në Austri ku mori pjesë gjatë fundjavës dhe ku shpjegonte debatin mbi lyerjen e fasadave kur ishte kryebashkiak.

“Mendova se po bëja gabim, se duhet të ndaloja. Bëra një anketë, që mbetet anketa ime e preferuar në 20 vjet në politikë “A të pëlqen ajo që po ndodh në qytet me ngjyrat dhe do të doje të ndalonte apo të vazhdonte?” Ata që e pëlqenin ishin 67% dhe ata që donin të vazhdonte ishin 85%. Pra gjysma e atyre që nuk u pëlqente, nuk donin që të ndalonte”-theksoi Rama.

Por nëse ka një rast që mund të përdoren anketime të këtij lloji është pikërisht çështja e Teatrit. Me të tilla metoda janë shtyrë festimet mbi ditën e verës, ndonëse bëhej fjalë për një çështje ahengu. Mesa duket kur bëhet fjalë për para, fjalën nuk ka si ta ketë populli. Këto janë punë që i di partia dhe nipçet e saj, çrëndësi ka si e kanë emrin, Edi, Vangjush, Ymer apo Timonier.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.