Garanci teorike për luftën kundër korrupsionit

Postuar në 21 Korrik, 2019 14:54

Në një intervistë për agjencinë gjermane Deutsce Welle, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, premton se Struktura e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, ka disa garanci dhe kredenciale ligjore që të bëjnë të besosh se ajo do të godasë korrupsionin në nivele të larta. 

Së pari: pavarësinë e prokurorëve. Para reformës në drejtësi dhe ndryshimeve kushtetuese një prokuror i lartë kishte të drejtë të ndryshonte gjithҁka në punën e një prokurori në pozicion më të ulët. P.sh. nëse një prokuror i një niveli më të ulët vendoste fillimin e një ҫështjeje penale eprori i tij mund të vendoste  mosfillimin e saj ose anasjelltas. Sot kjo varësi është ҫmontuar jo vetëm për SPAK por për ҫdo prokuror. Prokurorët e SPAK kanë një mandat 9 vjeҫar, janë të pashkarkueshëm, ndryshe nga prokurorët e tjerë që shërbejnë me një afat të përcaktuar dhe mund të lëvizin nga KLP nga një zyrë në tjetrën. Nëse një prokuror i SPAK  ka kryer shkelje disiplinore për ta shkarkuar duhen 2/3 e 11 anëtarëve të KLP, gjë që vështirë të  arrihet në kushte normale.
Së dyti:  SPAK ka kontroll të plotë mbi policinë gjyqësore, që do të jetë e përbërë nga oficerët e policisë gjyqësore / hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, (BKH) që do të rekrutohen nga prokurorët e SPAK. Ndryshe nga  Prokuroria e Krimeve të Rënda, SPAK nuk do të ketë nevojë për  Policinë e Shtetit  për hetimin e korrupsionit dhe lidhjeve me krimin. Deri tani rastet e korrupsionit të funksionarëve të lartë janë hetuar nga  Policia e Shtetit, për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Policia e Shtetit varet nga Ekzekutivi, nga Ministria e Brendshme dhe nuk është ҫudi që pushteti ekzekutiv të sabotojë hetimin nga prokuroria, pasi e ka nën kontroll policinë gjyqësore.
Kjo do të ndryshojë në mënyrë drastike në rastin e SPAK, që do të ketë policinë e vet gjyqësore. Hetimet do të kryhen në një sekret më të madh se deri tani kur hetimet për krimin e organizuar dhe korrupsionin bëhen  nga struktura të ndryshme dhe mundësia për rrjedhje të informacionit është më e madhe. Me SPAK  hetimi do të zhvillohet brenda një zyre të vetme, nga një grup njerëzish që janë në lidhje profesionale dhe hierarkike me njëri- tjetrin.
Së treti:  Mbi Prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore të SPAK rëndon detyrimi i aksesit në privatësinë e tyre. Ata janë gjithë kohës të monitoruar. Sa herë që flasin në telefon e dinë që dikush i regjistron, llogaritë e tyre bankare janë të aksesueshme

është shprehur ai. 

Çështja është se kush kontrollon SPAK dhe si mundet që të zgjidhet ngërçi që krijohet mes iniciativës së prokurorëve dhe garancisë për karrierë që kontrollohet nga institucione të tjera. Komentetet e z. Ibrahimi mbeten në rrafsh teorik dhe daljet e tij sugjerojnë një fushatë propagandistike më shumë sesa premtime reale, në kushtet kur procesi i gjithë reformës në drejtësi është diskredituar për shkak të inkoherencës në afate, kontroll dhe improvizimeve të shumta. 

Kjo vërejtje vjen edhe nga përvoja e një vendi fqinj, Italia, me rastin e gjykatësit Falcone, i cili sa më lart u ngjit, aq më shumë u luftua. Nëse reforma bazohet në shpresën e heroizmit atëherë ajo ka vdekur, ndonëse heronjtë dalin në kushte të humbjes së shpresës. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.