Ambasadori turk: Gulenistët i keni në arsim dhe shëndetësi. "Shkollat turke" financojnë terrorizmin
Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük ka publikuar sot në gazetën “Panorama” një opinion që celebron sipas tij fitoren e demokracisë turke mbi grushtin e shtetit të organizuar nga Fetullah Gulen.
Tentativa për grusht shteti e 15 korrikut u organizua nga terroristët anëtarë të organizatës FETO, të cilët fshehurazi dhe tinëzisht kishin depërtuar në institucionet shtetërore dhe forcat e armatosura të Turqisë. Kjo tentativë e urryer, gjatë së cilës 251 bij tanët ranë dëshmorë dhe mijëra të tjerë u plagosën, është aksioni më i përgjakshëm terrorist në historinë e Republikës së Turqisë. FETO, e cila e kishte kuptuar se nuk do të mund të ishte e suksesshme në Turqi, më 15 korrik kaloi në veprime, por u mposht përballë vullnetit të popullit tonë
shkruan ambasadori.
Adresimi i tij për publikun shqiptar lidhet me faktin se Ankaraja zyrtare prej kohësh ka kërkuar ekstradime të atyre që i quan gulenistë në Turqi. Përkundrejt një shteti dhe qeverie si ajo shqiptare që ka zhvilluar autizmin me miqtë dhe armiqtë e vet, ambasadori Yörük nuk kursehet për të shprehur mendimin zyrtar të shtetit turk për penetrimin e gulenistëve në Shqipëri.
Me keqardhje jemi dëshmitarë të faktit se FETO edhe në Shqipëri ka një prani shqetësuese, kryesisht në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë. Duke keqpërdorur dashurinë dhe afërsinë që populli vëlla shqiptar ka për Turqinë, këto shkolla kanë krijuar perceptimin se janë “shkolla turke”. Ato janë ndër burimet më të rëndësishme financiare të FETO-s. Duhet të dini se paratë që u paguhen këtyre shkollave, fatkeqësisht nga kanale të tjera, shkojnë për financimin e terrorizmit.
Sa më shumë që të thellohet prania e FETO-s në Shqipëri, po aq do të mund të shtohen edhe dëmet që kjo organizatë mund t’u shkaktojë strukturave civile dhe zyrtare të vendit. Këta aktorë të rëndomtë, të cilët sot heshtazi luajnë rolin e të lënduarit, nesër mund të shfaqen përballë jush si terroristë të etur për gjak dhe me armë në duar. Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje motrave dhe vëllezërve të mi shqiptarë që po lexojnë këto radhë. Mos harroni se këta persona të paguar, të cilët për dhjetëra vjet duke u mbështetur në një perceptim të tillë depërtuan në çdo institucion të Turqisë, punojnë për llogari të një organizate terroriste ndërkombëtare.
Gjithashtu, duhet të theksoj se FETO është një kërcënim që shqetëson jo vetëm Shqipërinë, por gjithë botën
shkruan ai.
Add new comment