Mënyra e turpshme si Europa po i trajton emigrantët
Një baba dhe vajza e tij shtrihen të vdekur në bregun e lumit Rio Grande, të bashkuar në një përqafim, pasi u mbytën në përpjekje për të arritur në Shtetet e Bashkuara. Burri është Óscar Alberto Martinez Ramírez; vajza e tij 23 muajshe quhej Angie Valeria. Ata mbërritën nga El Salvadori dhe kishin tentuar të kalonin kufirin me not. Fotoja e trupave të tyre u përhap në të gjithë botën javën që shkoi. Është një histori që të këput shpirtin.
Duket sikur ne na duhen raste të tilla që të na zgjojnë - në formën e imazheve tronditëse që bëhen simbol i asaj që po ndodh – e të na kujtojnë se emigrantët, që janë burim konflikti në arenën politike, në fakt janë qenie njerëzore të pambrojtura. Në Shtetet e Bashkuara, fotoja u pasua me një përgjigje të ngjashme me atë që ndodhi në Gjermani në vitin 2015, kur fotografia e vogëlushit trevjeçar Alan Kurdi, trupi i pajetë i të cilit doli në breg në Turqi, bëri xhiron e botës.
Fotoja e Rio Grandes ilustron politikën e ashpër të emigracionit që po ndjek Donald Trump dhe rregullat e reja që parashikojnë dorëzimin e kërkesës për azil në tokën meksikane. Përveç kësaj, javët e fundit u mësua se autoritetet amerikane në Teksas i mbanin rreth 300 fëmijë në kushte çnjerëzore, në qeli me tualete të hapura në mes të dhomës, në mungesë të kushteve higjieno-sanitare, të veshjeve dhe ushqimit.
Sikur të mos mjaftonte kjo, njeriu i zgjedhur nga Trump-i në krye të agjencisë së Imigracionit dhe Doganave (ICE) një herë është shprehur se kur shikon në sy fëmijët emigrantë, ai sheh te ta pjesëtarë të bandave të ardhshme të gangsterëve. Pak më shumë duhet të thuhet për një qeveri që, në betejën e saj kundër emigracionit, i ka shpallur fëmijët si armiqtë e saj. Pa dyshim, Amerika nuk është më ajo që dikur krenohej si vendi që u ofronte një strehë të re emigrantëve nga e gjithë bota.
Dikush mund të argumentojë se është bërë më europiane.
Politikat e sotme të emigrimit në Bashkimin Evropian janë edhe më brutale sesa ato të ndjekura nga Donald Trump. Mund të jetë e vërtetë që Evropa nuk ka zyrtarë të kufijve që i ndajnë fëmijët nga prindërit e tyre, por evropianët kanë bërë marrëveshje me milicitë libiane që operojnë në kampet e tmerrshme ku tortura dhe përdhunimi janë diçka e zakonshme dhe bashkëpunojnë me të ashtuquajturën roje bregdetare libiane, e cila është pak më shumë se një milici në det. Operacionet e shpëtimit në detin Mesdhe pothuajse janë anuluar, dhe linja e ashpër që ndjek italiani Matteo Salvini nuk lejon më që anijet private të shpëtimit të dalin në brigjet e vendit të tij.
Dekurajimi i emigrantëve
Qëllimi i gjithë kësaj është i qartë: kalimi në Evropë duhet të bëhet më i rrezikshëm si një mënyrë për të shkurajuar migrantët në përpjekjet e tyre për në kontinentin e vjetër. Dhe duket se ka funksionuar: po vijnë më pak anije. Por ndër ata që përpiqen, po vdesin më shumë. Vetëm këtë vit, rreth 600 emigrantë janë mbytur në Mesdhe, një shifër që është shumë më e madhe se numri i emigrantëve që kanë vdekur përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Tmerret e politikave të migracionit të BE nuk ndodhin para kamerave - ato po shpalosen në Afrikën e Veriut dhe në det të hapur. Pati një përjashtim javën e kaluar: Kapitenja e një anijeje të organizatës gjermane të shpëtimit "Sea Watch", Carola Rackete, e drejtoi anijen e saj në Lampeduza, sepse njerëzit në bord kishin dy javë në kuvertë dhe situata ishte bërë e padurueshme. Kapitenja u arrestua menjëherë pas mbërritjes së anijes në Itali. Ajo u lirua nga një gjykatë italiane të martën.
Pavarësisht këtyre vuajtjeve, situata në Detin Mesdhe u vjen për shtat vendeve të Evropës veriore, ndërsa ministri i Brendshëm italian, Salvini, po luan rolin e rojtarit brutal. Numri i refugjatëve është i qëndrueshëm, por status quo-ja gjithashtu nënkupton që çështja e migracionit nuk po zgjidhet. Dhe ndërkohë, BE-ja po shet shpirtin e saj.
Nuk është ashtu siç mendohej se kishte një mungesë idesh për politika emigracioni moralisht dhe ligjërisht të justifikuara, që nuk heqin dorë nga kontrolli i kufijve të Europës. Për vite me radhë, ekspertët e migracionit kanë propozuar një kombinim masash: qendra fillestare, ku vendimet për aplikimet për azil merren në mënyrë të shpejtë - dhe nga të cilat aplikantët e refuzuar mund të dëbohen me shpejtësi. Kjo do të kërkonte një marrëveshje riatdhesimi me vendet e origjinës dhe, në këmbim, më shumë rrugë ligjore për migracionin për motive punësimi. Duke pasur parasysh se BE-ja nuk është në gjendje të bjerë dakord mbi kuotat e pranimeve të detyrueshme, një pjesë e vogël e vendeve duhet të formojnë një koalicion të atyre që janë të gatshëm. Edhe kampet e pritjes në vendet e treta nën mbikëqyrjen e BE-së mund të jenë një opsion. Migrimi nuk mund të parandalohet, por së paku mund të përpiqemi ta rregullojmë. Megjithatë, vendet anëtare të BE-së, përfshirë qeveria gjermane, nuk po bëjnë përpjekje serioze për ta trajtuar këtë çështje. Në vend të kësaj, ata i thjesht i kanë transferuar tmerret e emigracionit dhe lajnë duart nga çdo faj.
Kjo është arsyeja pse është thjesht çështje kohe para se një foto tjetër simbol e emigracionit që merr jetë, të shokojë mbarë botën, por pa mundur të ndryshojë asgjë.
Der Spiegel
Përgatiti: Gazmira Sokoli/TvT
Add new comment