Agjencia Telegrafike Shqiptare ekspozon Francën armike të zgjerimit
Agjencia Telegrafike Shqiptare që drejtohet nga ish-zëdhënësja e Edi Ramës, ka publikuar dje një shkrim të marrë dhë përkthyer nga intellineës.com me titullin e shqipëruar: Reforma sfiduese e Shqipërisë në drejtësi dhe makinacionet franceze. Shkrimi ka për autor Ben Aris, kryeredaktor i faqes në fjalë dhe aty i mëshohet idesë së Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga Europa, por negociatat për këto vend u bllokuan nga Franca dhe pas saj Gjermania.
…Të dy vendet i kanë përmbushur të gjitha kushtet e vendosura ndaj tyre për hapjen e bisedimeve dhe ndërkohë Këshilli i ka konfirmuar ndryshimet atje. Një vendim pritej të merrej në qershor të këtij viti. Por, ky afat ka ardhur dhe ka kaluar.
…Shqipëria i ka përmbushur kushtet e vendosura nga BE-ja, përfshirë edhe realizimin e një reforme sfiduese në sistemin gjyqësor (dhe shkatërrimin e fushave të mëdha të marijuanës në pjesën jugore të vendit). Maqedonia e Veriut ka zgjidhur debatin me Greqinë lidhur me emrin e saj e madje ka zhvilluar edhe paradën e parë të homoseksualëve në vend këtë fundjavë si dhe ka zgjeruar të drejtat e pakicës së saj shqiptare.
Por, është Franca ajo që ka shkaktuar pjesën më të madhe të problemeve. Në përgjithësi, anëtarët veriorë dhe perëndimorë të BE-së nuk janë edhe aq të shqetësuar lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa ato jugorë dhe lindorë, përfshi edhe Austrinë dhe Italinë, janë mbështetës më aktive të kësaj ideje, pjesërisht edhe për faktin se ata e përdorin veçanërisht Shqipërinë si baza të industrisë së prodhimit me kosto të ulët.
….Situata politike në BE është delikate pasi BE-ja është duke përcaktuar se kush do të zërë pozicionet kyçe në hierarkinë e saj. Berlini është hezitues për të nxitur hapjen e negociatave ndërsa Franca po përdor këtë çështje si një lëshim në debatin mbi përcaktimin e pozicioneve kryesore të BE-së që do të përcaktojnë të ardhmen Unionit
thuhet ndër të tjera në shkrim.
Siç shihet një opinion që trajton zhvillime të brendshme në BE sillet për publikun shqiptar, përmes mediave shtetërore si arsyetim për dështimin e qershorit. Zoti Rama dhe qeveria e tij – më saktë kabineti që merret me mediat – po synojnë të tematizojnë idenë se mos-hapja e negociatave shpreh një krizë të BE-së më shumë sesa një dështim të Shqipërisë, ndërkohë që vetë z. Rama u detyrua të pranonte se hapja e negociatave është vetëm një sinjal pozitiv, pasi Shqipëria nuk është gati për anëtarësim të plotë.
Panorama që ofrohet ka edhe një aspekt tjetër, pasi aty mbështetja e Austrisë dhe Italisë lidhet ngushtë me interesin ekonomik. Mirëpo nëse Franca ka qenë e ftohtë edhe në këtë drejtim me Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë, një gjë e tillë nuk vlen për Gjermaninë. Berlini zyrtar ka qenë prej vitesh mjaft aktiv me biznesin dhe me donacionet në Shqipëri, aq sa ankesat kryesore për korrupsionin dhe politikat fiskale dhe administratën kanë ardhur nga ambasada gjermane dhe Dhoma Gjermane e Tregëtisë. Mirëpo Shqipëria e z. Rama ka dështuar në thithjen e investimeve serioze nga Gjermania, që do ta kushtëzonte pozitivisht qoftë interesin gjerman, ashtu edhe vendimin e Gjermanisë. Ky është patjetër një dështim i qeverisë së z. Rama që sot autorizon agjenci qeveritare si ATSH të sulmojnë Francën dhe Berlinin zyrtar për negociatat. Sigurisht që shkrimi ka të vërteta, por nuk është e qartë se për çfarë vlen të sqarosh qytetarët shqiptarë që ne nuk shkojmë dot një hap para se nuk do Franca, kur qeverisja ka marrë peropinë.
Add new comment