Sovranitet dhe normalitet virtual
Votimet kanë nisur siç ishin parashikuar me dekretin e parë të presidentit të Republikës. Por ky i fundit ka dekretuar anullimin e kësaj date dhe ridekretimin e një date tjetër.
Opozita nuk u regjistrua në proces dhe ky vendim sado që të lidhet me dëshpërimin e saj të brendshëm, i vendosur në kontekstin e protestave jo pak masive që u organizuan këtë pranverë, kërkon përgjegjësi të tjera. Më të mëdha dhe komplekse se thjesht frika e z. Basha nga humbja.
Shqipëria, një pjesë e saj, shkon në votime, kurse tjetra refuzon votimet. Të dyja palët janë nën peshën e skandalit të përgjimeve që konfirmuan se farsa “moniste” e sotme është paraprirë nga farsa e lirisë dje.
Në këto kushte secili mund të pyesë: cili është produkti i këtyre zgjedhjeve?
Kryeministri Edi Rama, i veshur me një lloj surrogato të uniformave koloniale britanike të shekullit të 20-të, deklaroi nga qendra e votimit, se zgjedhjet e sotme dëshmojnë se me sovranitetin e popullit nuk mund të luhet.
Ky është një mesazh politik që pak ka të bëjë me problemet që duhen parë në rastin e zgjedhjeve lokale. Kryebashkiakët e dalë nga këto zgjedhje nuk kanë garuar, ata do të mund të shpallen fitues teorikisht edhe me një votë të vetme.
Sovraniteti për të cilin flet z. Rama nuk na përket. Madje ai me zgjedhjet e sotme u konfirmua se është fiksion. Zoti Rama arriti të vijë deri këtu, pra të zhvillojë procesin e votimit më 30 qershor, falë mbështetjes të hapur të ShBA-ve. Partia Demokratike dhe aleatja e saj, LSI-ja, hoqën dorë nga skenarët e përplasjes vetëm falë presionit të ShBA. E thënë ndryshe ata zgjodhën Amerikën përpara të panjohurave që sjell dhuna dhe përpara dëshirës së një pjese të madhe mbështetësve të tyre.
Nga kjo pikëpamje, nuk ka ushtrim sovraniteti, por cedim të plotë të tij. Sigurisht, një pjesë e madhe njerëzish nuk e dëshiron përplasjen, nuk e uron dhe kërkon që dita e sotme të jetë normale. E vërtetë. Por nuk është normale periudha e qeverisjes që na solli deri këtu. Qeverisje e cila ka vënë në diskutim edhe vlerën e votës.
Ky është një debat që do të vazhdojë gjatë. Ai nuk zhvillohet vetëm në studio televizive, por zhvillohet edhe si një lloj lufte e heshtur mes njerëzve për atë që duhet të jetë Shqipëria.
Të votosh apo të mos votosh? Kjo është një pyetje që evidenton jo një të drejtë të padiskutueshme, por një realitet që sot vë në pikëpyetje bashkëjetesën civile dhe mbi të gjitha nevojën për të refuzuar realitetin virtual të këtij procesi që zhvillohet sot.
Kush fiton sot dhe kush ndëshkohet? Jo mbi logjikën dhe premisën e forcës dhe suksesit për të manipuluar, por mbi kërkesën për siguruar një të ardhme më të mirë dhe për të korrigjuar më në fund një handikap të kahershëm tonin, siç është paaftësia për të zgjedhur lirisht dhe për të njohur humbjen.
Kjo është një pyetje që nuk merr përgjigje në kutinë e votimit sot. Fatkeqësisht!
Re.Pu
Add new comment