Shumicë që polemizon për pjesëmarrjen
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shfaqur një paaftësi të çuditshme kur nuk ka arritur të nxjerrë dot me saktësi në kohë reale përqindjen e pjesëmarrësve në votime. Një orë përpara mbylljes së kutive, u njoftua për 19.4%, pak më vonë për 21.6%.
Janë shifra që kanë rëndësinë e tyre psikologjike, pasi të gjithë interpretuesit e pushtetit po kapen te një argument: Partia Socialiste ka marrë votat e veta të vitit 2017. Por ky nxitim për të dalë me këtë konkluzion tradhëton një fakt shumë të dukshëm: zgjedhjet u bojkotuan në kuptimin se shumica nuk arriti të çonte para kutive një shumicë shqiptarësh që sipas saj duhet ta vlerësonin si destruktive politikën e opozitës.
Më tej akoma: kutitë nuk janë hapur ende dhe askush nuk e di se cili është vullneti i atyre që kanë votuar. Një pikë e tretë është fakti se teorikisht kanë mbetur larg kutive rreth 2 700 000 njerëz, që potenacialisht mund të votonin një prej partive opozitare, sikundër mundet që një pjesë njerëzish mund të mos kenë shkuar në votime të qetë se PD-LSI nuk merrnin pjesë. Injorohet po ashtu fakti se PS-ja ka bërë presione të mëdha mbi administratën publike që mbetet për t’u parë nëse do të reflektohet në raportin e OSBE-ODIHR. Ajo që po ndodh aktualisht është një lexim i njëanshëm, imediat dhe instrumental i pjesëmarrjes, ndërkohë që ftesa e Kryeministrit për dialog, konfirmon një pozitë dobësie.
Mesatarja 20-22% vlen edhe për Tiranën, aty ku z. Veliaj mendonte se do të korrte referendumin e politikave dhe punëve të veta. E vërteta provoi të kundërtën. I supersuksesshmi Veliaj nuk ka sjellë ndonjë çudi apo thyrerje nga mesatarja e përgjithshme duke provuar se propaganda e tij është një tullumbace bosh.
Add new comment