Gestapoja elektorale e Erion Veliajt. Rrëfim i një punonjëseje të Bashkisë Tiranë
Jam punonjëse në Bashkinë e Tiranës dhe dua të tregoj me përpikmëri se çfarë ndodh në këtë ‘’fushatë’’ që do dhe disa orë për të mbaruar me kërkesën e fundit dhe me spektakolaren (të padëgjuar prej 30 vitesh) që duhet të votojmë në rresht si dele në 30 Qershor!
Drejtoritë e mega-operacionit janë:
Drejtoria e Punëve Publike Bashkia Tiranë, Drejtoria e Shërbimeve Bashkia Tiranë, Drejtoria e Medias dhe Informimit, Drejtoria e Administrimit dhe e Koordinimit të njësive Administrative, 3 Drejtoritë DPN 1, 2, 3, Inspektoriati i Mbrotjes së Territorit, Ujësjellës Kanalizime Tiranë, Policia Bashkiake Tiranë, Agjensia e Parqeve dhe e Rekracionit, 24 Njësitë Administrative Tiranë përfishrë dhe 3 lagjet e reja të shpikura se fundmi, Drejtoria Arsimore përfshirë Kopshte dhe Çerdhe, OSHEE, etj, etj.
Kushdo që ka miq që punojnë në këto institucione mund ta verifikojë shumë lehtë thëniet e mia të më poshtme duke parë miqtë e tyre që bëjnë pafundësi statusesh në rrjetet sociale dhe të gjitha statuset janë njësoj përfshirë dhe (story në whatsapp). Janë të gjitha të koordinuara dhe me detyrim.
Veprat penale që po konsumojmë përditë duhet t’i sqarojnë njerëzit e fushës së jurisprudencës.
Për më tepër:
Në çdo takim nuk ka qytetarë apo popull të cilët po dëgjojnë llogaridhënien e 4-vjeçarit të kaluar si dhe programin për 4 vjeçarin që vjen dhe për të cilën po kërkon votën por thjesht jemi ne punëtorët dhe nëpunësat e administratës. Ne të cilët po dëgjojmë, buzëqeshim, duartrokasim, zbatojmë çdo urdhër të koordinatorëve të PS, bëjmë foto vetes për të vërtetuar pjesëmarrjen dhe që i demostrojmë në grupet e Whatsapp. Me detyrim kemi bërë “friendsa” në rrjetet sociale koordinatorë të PS dhe ushtrisë online të PR dhe më pas bëjmë “share dhe like” në rrjetet tona sociale me detyrim të gjitha statuset e këtyre njerëzve që nuk i njohim fare. Çdo gjë kontrollohet dhe evidentohet nga “strukturat”.
Grupet janë të ndara në dy ose tre grupime dhe përdoren në takime të ndryshme të cilët presin në takimin e radhës në mes të diellit kryetarin për të dëgjuar kasetën e radhës që është e njëjta në çdo fjalim.
Rinia e angazhuar në terren që skllavërohen për një rrogë “koordinatorët” kujdesen për çdo detaj dhe raportim, të urdhërojnë në çdo moment se si duhet të qëndrosh dhe ku! Koordinatorët janë nga të gjithë institucionet e lartë përmendura që të bëjnë identifikimin e kujtdo se kujt bariu i përket delja në takimin elektoral.
Çantat na i vendosin në tokë dhe jo në prehër, celularët duhet të jenë pa zhurmë, cigarja nuk lejohet, e folura në telefon nuk lejohet, e folura me kolegun në krah nuk lejohet, etj. Nëse e bën të vjen një nga këta të rinjtë të cilët të udhëzojnë që mos ta bësh këtë veprim apo atë veprim i cili jo rrallë është në formë urdhëri dhe jo këshillimi. E gjitha kjo që të dalin bukur fotot dhe videot e përgatitura nga stafi dhe që më pas i dërgohen mediave.
Mediat nuk ekzistojnë fare por transmetojnë kasetat e përgatitura nga vetë stafi. Puna e shtetit është e dorës së dytë dhe në shumë raste nuk shkojmë fare. Jo të pakta kanë qënë rastet kur zonjat janë këputur në tokë pasi u ka rënë të fikët nga dielli përvëlues i këtyre ditëve. Qytetarët nuk lejohen dhe as nuk denjon njeri të vijë pasi dyer kontrollohen nga struktura të tjera që është Policia Bashkiake, IMT, bandat e sigurisë dhe jo në pak raste policë të shtetit civile apo gardistë pasi duken që janë të armatosur dhe nuk e kanë problem që i duket arma nën brez.
Policia bashkiake e veshur civile jashtë çdo lloj funksioni ligjor dhe detyre funksionale e pozicionuar nëpër grupime të ndryshme rreth takimit elektoral, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) po ashtu vepron jashtë çdo lloj kompetence ligjore duke ruajtur dyert e takimeve elektorale. Stafi i sigurisë së kryetarit janë njerëz pa identitet, të gjithë muskuloze dhe me tatuazhe por që i bashkon e njëjta gjë, vijnë një era djersë e neveritshme të gjithë pa përjashtim.
E gjithë struktura e koordinatorëve kujdeset për të evidentuar çdo njërën nga ne kukullat se në cilin institucion punon dhe në cilin grupim është që asgjë mos të jetë e paparashikueshme. Strukturat paralele kontrollojnë adresat tona në FB nëse po shpërndajnë statuse apo jo dhe gjithçka është e kontrolluar me detaje.
Takimet që kemi marrë pjesë janë të shumta pothuajse në gjysmat e shkollave të Tiranës dhe fshatrave përreth kryeqytetit.
Njerëzit si dele në fushatë duke nëpërkëmbur dinjitetin njerëzor, statusin që të jep puna e shtetit apo aq më keq duke u futur si virus në jetën tonë nëpërmjet rrjeteve sociale, të cilat duhet jenë për të ndarë me miqtë tanë mendimet tona apo pjesë të jetës sonë kur na e ka qejfi dhe jo kur na imponohet nga politika.
Kjo është fushata elektorale e këtij viti që me shumë mundësi ndodh në të gjithë administratën qendrore.
Ne që po shohim përditë se si manipulohet mendja njerëzore dhe publiku i gjerë dhe nuk flasim në fakt po i shërbejmë së keqes duke mos bërë asgjë.
Edmund Burke ka thënë:
"E vetmja gjë e nevojshme që djalli të triumfojë është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë".
Marrë nga faqja në Facebook e “Organizata Politike”.
*Titulli është i ResPublica
Add new comment