Fake news dhe fake logjika e vullnetarëve të ambasadës amerikane

Postuar në 30 Qershor, 2019 01:16
Shaptilografisti

 

Mathew Palmer shkarkohet. 

Ky “lajm” u përhap me shpejtësi në disa media online, pasuar mandej nga gjyqi politik i gazetarëve “seriozë” që ia ngopën “lajmin” të shndërruar në status “fake” Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Për ca e ca bota është katrore: shpjegohet me Kryemadhin dhe Bashën. 

“Historia” është më e thjeshtë se kaq: “lajmi” bashkë me fotomontazhin e postimit tuiter të Mike Pompeo u realizua në Paint për t’u postuar në rubrikën “Të Kripura” në ResPublica, një rubrikë humoristike. 

Siç mund të jetë vënë re nga lexues të shumtë, rubrikat humoristike në mediat online janë prezente thuajse në çdo faqe, por askush nuk është ngatërruar deri më sot. Pse vallë? 
Ja një mister që mund të zbardhet nga gazetaria investigative, përfshirë atë me financime të huaja. Por një arsye është se gazetarët ne peshë në këtë vend e kanë për mision që pasi bombardojnë miletin me përrallat e pushtetit ku kullosin periodikisht, ta gudulisin pak lexuesin me humorin e tyre, që është produkt origjinal dhe jo foragjere e kuzhinës së zyrave të shtypit. Dhe ne siç e dimë produktet bio nuk ngatërrohen me mallin e serës. 

Në momentin kur ky “lajm” u paketua si sulm ndaj opozitës, po mendonim që të nxirrnim një të dytë, kuptohet në të njëjtën rubrikë me titull: Ja e vërteta e lajmit për Palmer. Endri Fuga na u lut për të futur në kurth opozitën. 

Po e hante njeri këtë? Kuptohet që jo, për një arsye të thjeshtë: celularët janë hapur dhe kanë lidhje direkte 24 h/24. Por si llogjikë qëndron ama. Apo jo?(;))

Me këtë rast u zbuluan të paktën zëdhënësit mediatikë, apo miqtë e ambasadës amerikane, ata që kujdesen që ne të mos rrëshqasim në antimarikanizëm. Jo se nuk diheshin, por nxitimi për të demaskuar këtë maskarallëk të opozitës, konfirmoi se ata janë lënda e parë e trahanasë që gatuhet ditë për ditë në këtë vend. 

Sa për z. Palmer atij i urojmë gjithë të mirat dhe kur të vijë këtej të ndjekë shembullin e z. Kerry: t’i takojë këta gazetarë e të shkëmbejë pikëpamjet për demokracinë, garantë të së cilës janë me kohë të plotë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.