Së shpejti në treg "Avadan", libri i ri i Kryeministrit Rama

Postuar në 21 Qershor, 2019 14:26

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të publikojë së shpejti një libër të ri që ngërthen dhe komenton zhvillimet politike. Njësoj si me librin e parë të tij të njohur ndërkombëtarisht, “Kurban”, edhe ky reflektim do të bazohet mbi personazhet politike të vendit, duke ofruar në të njëjtën kohë sa një vëzhgim, aq edhe një kritikë, sa një analizë, aq edhe një lloj testamenti politik qytetar.

“Avadan” do të quhet libri dhe përqendrohet kryesisht mbi dy krizat e fundit, atë të vitit 2017 dhe krizën aktuale.

Titulli pasqyron vetë Shqipërinë e përjetshme që mbetet e shqyer në mes me një këmbë në njërën anë, e me tjetrën në anën tjetër. Zoti Rama e imagjinon veten si pjesë, apo pasues të një kulture politike që nëse do ta vendosnim në diakroni do ta përkufizonim si antizogiste dhe këtë atu e përdor si premisë për një shqyrtim strategjik të ecurisë së Shqipërisë.

Ka një paradoks në këtë qasje, pasi teksa ia mvesh vetes këtë cilësi, të cilën formalisht e shohim te referenca e herëpashershme e Nolit, z. Rama në fakt operon me bindjen se për të bërë një hop përpara, Shqipërisë i duhet një dorë e fortë. Nëse do të tregoheshim ironikë pa keqdashje, duket se edhe vetë z. Rama është Avadan brenda Avadanit mbarëshqiptar.

Rëndësia e këtij punimi qëndron pikërisht këtu. Ai është politikani i fundit në Shqipëri që e kërkon përligjjen e qëndrimeve të veta te një trashëgimi historiko-kulturore të Shqipërisë dhe jo te cenet apo vrtytet, apo zbatimi I ligjit.

Shqipëria e sotme nuk është bërë pra ende pjesë e së tashmes sonë kulturore politike, ajo vazhdon të jetë pasojë e skripteve të viteve ’30, pse kjo periudhë e para Luftës mallëngjen një pjesë të elitës dhe ushqen iluzionin e një lidhjeje organike me Perëndimin që po synohet sot, por me mjete dhe sipas llogoreve të një kohe të paqenë më.

Ky është handikapi kulturor i kryeministrit, por që pikërisht për këtë arsye e bën librin e ri, “Avadan” një lloj antikuari modern, që ilustron, por edhe shpjegon sëmundjet e vjetra të një Shqipërie që duhet të lërë më në fund pas narrativa dhe emocione që jetojnë në inkubacionin shpirtëror të elitave të gjymtuara.

Do të na duhej Historia, shqyrtimi, jo riciklimi i saj.

Shaptilografisti 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.