Mbrohen duke sulmuar ata që i hodhën baltë gjithë Shqipërisë
Socialistët kanë vendosur të bëjnë atë që do bënte çdo i dëshpëruar: të mbrohen duke sulmuar. Sot zv. kryeministri Erjon Braçe ka hedhur poshtë faktin se në përgjimet e publikuara nga gazeta “Bild” ka ndonjë akuzë, duke interpretuar se në këto materiale nuk provohet asgjëkundi blerja apo vjedhja e votave.
Nga ana e tij, ish-ministri Damian Gjiknuri, ka reaguar në Facebook duke ironizuar gjetjet dhe publikimet e gazetës “Bild” me një foto me të rinjtë e PS-së. Të njëjtin reagim ka mbajtur edhe deputeti Xhemal Qefalia që i ka quajtur përgjimet “xhevahire të Dibrës”.
Është shenjë e qartë e një vendimi politik për të mbrojtur të pambrojtshmen duke shpresuar se vota e 30 qershorit do të amnistojë çdo gjë. Kjo sjellje harbutërie ndaj ndjeshmërisë publike provon se deri ku është kapur në faj qeveria dhe shumica dhe se aktualisht çdo legjitimitet i votës është cenuar rëndë. Mbi të gjitha, këta qeveritarë dhe pushtetarë që sot i lejojnë vetes të bëjnë interpretime personale për përgjimet, duhet të japin një përgjigje: mirë baltën ndaj qeverisë e hodhi media dhe opozita, po baltën ndaj Shqipërisë kush e hodhi?
Add new comment