Plani sekret i BE-së për një Grexit në 2012 dhe si u përdor emri i Shqipërisë për ta maskuar
Një plan i fshehtë për daljen e Greqisë nga BE, i hartuar nga Banka Qendrore Europiane, Bashkimi Europian dhe mekanizmat e tij financiarë zbulohet në një libër të ri me titull “Bllofi i fundit” që mban autorësinë e Eleni Varvitsiots, korrespondente në Bruksel e së përditshmes së Athinës, “Kathimerini”, Eleni Varvitsiotit dhe Viktoria Dendrinout të agjencisë “Bloomberg”.
Disa fragmente të botuara nga “Bloomberg” sot provojnë se rruga për daljen e Greqisë nga BE-ja ishte përgatitur si në 2012, ashtu edhe në gjashtë muajt e parë të vitit 2016, kur Alexis Tsipras sapo kishte marrë pushtetin dhe Yanis Varoufakis po menaxhonte ekonominë greke dhe me sa dukej, po përgatiste një përplasje me kreditorët.
"Derisa negociatat përfunduan më 13 korrik 2015, BE dhe Greqia ranë dakord për një marrëveshje të tretë shpëtimi. Ndërkohë, përgatitjet e BE për katastrofën vazhduan", raporton Bloomberg.
"Një ekip i vogël prej 10 ekonomistësh dhe avokatësh të BE-së u mblodhën në katin e 15-të të ndërtesës Charlemagne .... në faqen 157, "Analiza dhe Plani i Kontigjencës Shqiptare" (Albania Contingency Analysis & Plan, Sovereign Default 2015) ka të bëjë me mundësitë për të minimizuar katastrofën ekonomike dhe humanitare nëse Greqia do të detyrohej të largohej nga BE-ja dhe eurozona", shkruajnë autorët, duke vënë në dukje se referenca e rreme ndaj Shqipërisë synonte të maskonte rrezikun e daljes së Greqisë nga BE-ja, një rrezik që do të shkaktonte një fatkeqësi edhe më të madhe për vendin dhe për eurozonën në tërësi.
"Kapitulli i dytë, “Menaxhimi i Daljes”, shqyrtonte kostot e mëdha të largimit të Greqisë nga BE-ja. Në atë kohë, Greqia i detyrohej 342 miliardë dollarë (387 miliardë në vlerën aktuale që ka dollari amerikan) Fondit të Stabilitetit Financiar Evropian, Bankës Qendrore Evropiane, Bankës Evropiane të Investimeve dhe qeverive të tjera të eurozonës. Plani B supozonte që, nëse Greqia dështonte me një kreditor si BQE, do të ishte e pamundur që këshilli drejtues i BQE-së të vazhdonte të pranonte obligacionet e qeverisë greke si kolateral të përshtatshëm dhe BQE do të duhej të kërkonte fondet që u kishte dhënë bankave të vendit. Kjo shumë shpejt do të shkaktonte një zinxhir ngjarjesh, pasi bankat pa likuiditet do të dorëzoheshin menjëherë", thuhet në libër.
"Banka e Greqisë do të duhej të siguronte likuiditet në një monedhë të re, duke shënuar kështu daljen nga eurozona”.
Një proces i thjeshtë
"Kjo nuk do të kërkonte printimin urgjent të një monedhe të re. Pjesa praktike mund të zgjidhej brenda disa orësh, vetëm duke i kërkuar bankës qendrore të ndryshonte sistemet e saj të teknologjisë së informacionit, në mënyrë që të konvertonte euron në llogari bankare në monedhën e saj të re. Për disa orë, Banka e Greqisë do të mund të konvertonte gjithçka. Kontratat sipas ligjit grek do të riemërtoheshin, dhe nëpunësit civilë e pensionistët do të duhej të paguheshin në monedhën e re, po ashtu edhe taksat.
Dhrahmia e re do të zhvlerësohej menjëherë kundrejt euros. Që ndryshimi i monedhës të bëhej realitet, Greqia do të duhej të miratonte një ligj të ri", thuhet në dokument.
Paradoksi: Pas Grexit do të kërkohej sërish plan shpëtimi
"Paradoksi ishte se e vetmja gjë e sigurt për Grexit do të ishte që vendi do të kishte nevojë menjëherë për një tjetër plan shpëtimi. Dukej pothuajse absurde, të kaloje të gjithë ato telashe për të shmangur një marrëveshje shpëtimi dhe të hyje në një situatë, ku do të të nevojitej një tjetër. "Kjo është ironia e të gjithë kësaj", thotë një tjetër nga zyrtarët e përfshirë. "Pa marrë parasysh se si shkonin gjërat, një plan shpëtimi do të duhej gjithsesi. Ndoshta jo menjëherë, sepse qeveria do të thoshte jo, por shumë shpejt gjendja do t'i detyronte. Do të ishte e vetmja mënyrë për të stabilizuar monedhën dhe për të fituar epërsi mbi inflacionin", thuhet në libër.
Ndihma humanitare pas shkatërrimit të vendit
"Ndërsa ekipi i Planit B po hartonte detajet ligjore, financiare dhe teknike, një ekip i veçantë në Sekretariatin e Përgjithshëm të Komisionit Evropian punonte për ndihmën humanitare. Pamundësia për të paguar me siguri do t’i çonte shumë njerëz nën kufirin e varfërisë dhe do t'i bënte ata të paaftë për të mbuluar nevojat e tyre bazë, duke përfshirë ushqimin dhe strehimin, çka do të shkaktonte një krizë që nuk është parë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Të lejohej një anëtar i BE-së për të kaluar një vuajtje të tillë ishte diçka e pakonceptueshme, sidomos në një kohë kur një krizë tjetër sapo kishte filluar. Emigracioni po shqetësonte akoma më shumë Greqinë, qeveria po përpiqej të menaxhonte fluksin e refugjatëve që vinin nga rajonet e shkatërruara nga lufta", theksojnë autorët.
"Zyrtarët kishin llogaritur se rreth 20% e popullsisë – afërsisht 2 milionë njerëz - do të përballeshin menjëherë me nevoja akute. Kjo do të thoshte që komisionit i duhej të krijonte një rrjet sigurie që do të mbulonte ushqimin, masat mjekësore dhe madje edhe veshjet. Kishte diskutime se si të bëhej e mundur që spitalet të vazhdonin të punonin pa pasur mungesë ilaçesh. Një faktor tjetër që u mor në konsideratë ishte edhe mundësia e mungesës së karburantit. Edhe nëse BE mund të siguronte furnizimin me karburant, duheshin marrë masa që ta siguronin Unionin që grekët mund të paguanin ... Zyrtarët shpejt e kuptuan se një ndryshim i vogël në legjislacionin e BE-së mund t'i mundësonte Greqisë të përdorte një sasi parash nga fondet strukturore dhe të investimeve të bllokut. Mekanizmi për një ndihmë të tillë u gjet dhe çështja u zgjidh", thuhet në libër.
TemaTv/ To Vima/Përgatiti: Gazmira Sokoli/
Comments
Nuk ka qene fare plan sekret
Nuk ka qene fare plan sekret dalja e Greqise nga BE-ja, perkundrazi eshte diskuruar hapur edhe ne detaje ne keshillat kryesore financiare te Europes, cfare e ka dhene sa here televizori. Greket jane pregatitur disa here te jene gati per te futur dhramine, por pervec problemit te borxhit qe ngelej teorikisht i konvertuar ne dhrami e qe do te zhvleftesohej, biles greket mendonin ta anulonin fare, ngelej problemi i stabilitetit te metejshem te dhramise ne kembimet me euron (mendohej se ajo do zhvleftesohej perhere e me teper, sidomos po t'mos forcohej ekonomia), gjithashtu ngelej problemi nese ekonomia greke ia dilte me tej apo jo pa ndihma te tjera financiare. Ne vendin gjeografik, ne poziten gjeo-politike, ne ekonomine e tashme (te viteve te kaluara) qe ndodhej Greqia, prognozat thonin qe ajo do te ishte akoma e varur nga borxhet e huaja. Atehere, perse te vendosej dhramia, ishte pyetja!
Sorry, por ne librin e ri nuk duket asgje e re nga fronti jugor dhe perendimor. Gjera te sterdiskutuara hapur me dhjetra here.
Add new comment