Çernobili, raportimi nga Tirana i pasojave të rrezatimit

Postuar në 18 Qershor, 2019 02:35

Këto javë në disa media të huaja është diskutuar dhe ka zënë vend seriali i HBO, “Çernobil”.

Seriali ka njohur sukses, por është kundërshtuar nga pala ruse që ka kontestuar paraqitjen që i është bërë reagimit të shtetit sovjetik për situatën e krijuar. Në fakt, nga sa lexohet në burimet e hapura në internet, e vërteta e shkencëtarit Valery Legasov, nuk deformohet në vija të përgjithshme.

Po kështu seriali ia del të përcjellë siç duhet përmasën e katastrofës, qoftë duke dhënë sqarime teknike të kuptueshme, qoftë duke ofruar një panoramë që imiton shumë mirë kohën e para viteve ’90.

Shpërthimi në Çernobil prodhoi radioaktivitet që u përhap në mbarë Europën, përjashtuar gadishullin Iberik. Në Shqipëri masat e kontaminuara kaluan në mbarë vendin duke prekur barrierën e parë, alpet shqiptare që mbrojtën deri diku vendin. Një raportim profesional i situatës së kontaminimit në Shqipëri u publikua në vitin mars të vitit 1989 në revistën ndërkombëtare “Journal of Radioanalytical and Nuclear Chemistry”, ndjekur nga një artikull i M.Kedhit në vitin 1990.

Artikulli i vitit 1989 zbardh matjet e bëra nga Instiuti i Fizikës Bërthamore i Tiranës dhe ka për autorë Petrit Skënden, Xhevdet Myteberin, Robert Kushen dhe M. Kedhin. Po e sjellim të përkthyer meqenëse hedh dritë mbi matjet e kryera, nivelin e kontaminimit në Shqipëri dhe risjell në vëmendje të dhëna, apo prova për një ngjarje që në median shqiptare është lënë në errësirë të plotë.

***

Diskutohet situata e rrezatimit në Tiranë pas aksidentit të Çernobilit. Prezantohet dinamika e ndotjes radioaktive të ajrit me filtra dhe matja e pasojave. Jepet lista e radionuklideve të identifikuara me nivel të ulët y-spektrometri. Paraqitet shpërndarja gjeografike e ndotjes radioaktive të bimësisë.

Diskutohet ndikimi lehtësues dhe të tjerë faktorë hidrometeorologjikë gjatë periudhës së aksidentit.

Hyrja

Aksidenti i 26 prillit 1986 në centralin bërthamor në Çernobil shkaktoi një ndotje radioaktive në atmosferë. Faktorët meteorologjikë favorizuan përhapjen e asaj ndotjeje, e cila u shpërnda në të gjithë Evropën. Në Institutin e Fizikës Bërthamore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke filluar nga 29 prilli 1986 nisi puna për të identifikuar kontaminimin eventual radioaktiv në territorin shqiptar. Janë kryer matjet me qindra mostra të mbledhura nga ajri, sipërfaqja e ujit, ushqimi dhe bimësia. Radionuklidet e identifikuara në ajër, tokë dhe bar, bënë të mundur ndjekjen e ndryshimeve të β-aktivitetit në ajër dhe bimësi:

Janë kryer matje me shumë mostra të bimëve medicinale.

Disa nga rezultatet janë paraqitur në këtë material.

Radioaktiviteti

Mostrat e ajrit u morën me filtra fibre qelqi të fiksuara në kolektorin e një pompe ajri të instaluar 5 m mbi nivelin e tokës. Kampionet u mblodhën dy herë në ditë, në orën 8 në mëngjes dhe në ora 20:00. Ajri është filtruar për çdo mostër me 100 m3. Në total, matjet u kryen në një proporcion të rrjedhës counter / CH4 / që ka një faktor gjeometrik 2 π dhe një dritare të hollë me sipërfaqe 35 cm2.

Ndryshimet e normës së numërimit të filtrave janë paraqitur në Fig. I.

Asnjë korrigjim nuk është bërë për efikasitetin e filtrit. Treguesi i parë i rritjes së radioaktivitetit ishte ai i filtrit në mëngjesin e 1 majit. 24 orë pasi kontaminimi radioaktiv arriti maksimumin, i cili ishte 1000-fish më i madh se vlera mesatare afatgjatë e vëzhguar para majit 1986, ditët në vijim dëshmuan variacione me një tjetër maksimum mes 8 dhe 9 majit.  

Rënia e radioaktivitetit të ajrit gjatë natës mes 3 dhe 4 majit, pasuar nga një rritje tjetër, ishte në përputhje me lëvizjen e frontit të ajrit që vinte nga Lindja dhe qarkullonte brenda trajektoreve të mbyllura mbi rajonin e Ballkanit.

Minimumi i dytë në mbrëmjen e 6 majit  konfirmon pastrimin e atmosferës për shkak të shiut të 5 majit. E njëjta gjë ndodhi mbrëmjen e 10 majit. Maksimumi i 7-8 majit, i cili pasoi reshjet e ditës pararendëse, ishte si pasojë e mbërritjes së një fronti të ri ajri. Ky front kishte më pak readioaktivitet, origjina e tij ishte i njëjti burim: reaktori i dëmtuar. Në të njëjtin konkluzion kanë arritur edhe autorë të tjerë.

Grimcat radioaktive u mblodhën në dy vende: një kolektor u vendos në territorin e INP Tirana dhe tjetri në juglindje të Korçës, rreth 150 km nga i pari. Procedura e mbledhjes është përshkruar në Ref.4 dhe të gjitha matjet janë bërë nga një sistem i kalibruar matjeje.

Figura 2 tregon variacione të një aktiviteti specifik të grimcave radioaktive, i cili përdoret si vlerë që karakterizon kontaminimin, duke pasur parasysh se ndotja totale e sipërfaqes së tokës është në përpjestim të drejtë me këtë vlerë, por gjithashtu varet nga sasia e pluhurit të rënë në tokë.

Aktiviteti specifik i mbajtur nën vëzhgim në mostrat e marra para 30 prillit ishte në masën 2.6x103-3Bq mg -1(bekerel). Gjatë 24 orëve të 2-3 majit, arriti 17 Bq mg -1 . Pas një rënieje, maksimumi i 65 Bq mg -1  u vu re në 4-5 maj. Një tjetër maksimum, rreth 60 herë mbi normën u konstatua mes 31 majit dhe 2 qershorit, një periudhë reshjesh intensive. Rreth 90% e ndotjes së përgjithshme u konstatua në periudhën 4-8 maj. Aktiviteti β(përçohet nga grimcat beta) i radioaktivitetit në Tiranë gjatë majit 1986 rezultoi rreth 19kBq m-2.

Aktiviteti specifik i reshjeve radioaktive në rajonin e dytë, rreth qytetit të Korçës ishte 4 herë më i lartë se në Tiranë. Ai mund të shpjegohet duke pasur parasysh drejtimin e lëvizjes së ajrit të kontaminuar dhe ndikimin e vargmaleve qendrore-jugore në  Shqipërinë e Jugut.

Matjet e përsëritura të mostrave të mbledhura gjatë periudhës “së nxehtë”, 2 vjet pas aksidentit, tregojnë të njëjtin regjim të shpërndarjes së radioaktivitetit si në majin e 1986.   

Shumë γ-emetues(emetues të rrezeve gama) si Mo-99, Ru-103, I-131, Cs-134, Cs-137, Te-132 + I-132, Ba-140, La-140 janë identifikuar në filtrat e përdorur më datë 2 maj në mëngjes. Gjatë 12 orëve të ardhshme përqendrimi u rrit deri në 12 herë për I-131 dhe 20 herë për Mo-99. Në filtrin e mbrëmjes u identifikua edhe Np-239. Matjet u kryen me një detektor HP-Ge.

Më vonë, Zr-95, Nb-95, Rh-106 + Ru-106, Sb-125, Ce-141 dhe Ce-144 u gjetën në të njëjtët filtra. Prania më e madhe i përkiste elementit Te-132 + I-132 me një raport respektivisht 4 dhe 2 për I-132 dhe I-131 në Cs-137. Të njëjtat vlera janë raportuar edhe nga autorë të tjerë. Përqendrimi i Cs-137 ishte rreth 1.7 Bq.m-3. Në mëngjesin e 4 majit, përqendrimi I-131 ishte 15 herë më i madh se ai i 2 majit.

SHPËRNDARJA GJEOGRAFIKE E KONTAMINIMIT RADIOAKTIV

Territori shqiptar mund të ndahet në tre zona me nivele të ndryshme kontaminimi, duke marrë në konsideratë β-aktivitetin e barit.

Zona më e kontaminuar ishte veri-lindja dhe zona malore e lindjes, nëpërmjet të cilës rrymat e ajrit depërtuan në territorin shqiptar. Zona e ulët jugperëndimore, pranë bregut të Adriatikut, dhe zona jugore e vendit, u mbrojtën nga malet.

Konkluzione

Rrymat e kontaminuara të ajrit që vinin nga Lindja arritën në territorin shqiptar 

/Tiranë/ më 1 maj. Gjatë ditëve që pasuan, produktet e zbërthimit atomik, me disa variacione në përqendrim, të transportuara nga masat ajrore, vijuan të depërtonin në vend duke dëshmuar kështu një proces të zgjatur të emetimit nga vendi i aksidentit. 90% e kontaminimit të përgjithshëm ndodhi në 4-8 maj 1986.

U vu re një varësi e fortë e ndotjes në raport me pozicionin gjeografik të zonës. Ndikimi i kushteve meteorologjike në shpërndarjen e ndotjes është me rëndësi të madhe.

Programi i monitorimit të radioaktivitetit dha rezultate të vlefshme në ndjekjen e pranisë dhe shpërndarjes së disa radionukleideve në atmosferë, ushqim, ujë dhe tokë

Përktheu: Gazmira Sokoli 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.