Kur qeveris si operator turistik
Sot një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mathew Palmer ka dhënë një intervistë përmes së cilës ka cilësuar se dhuna është e papranueshme në protestat e opozitës. Ky është një qëndrim publik që nuk ka nevojë për komente. Në fund të fundit, edhe në zona ku SHBA financon grupe që reagojnë me dhunë, apelojnë kundër dhunës. Ndaj qëndrime të kësaj natyre nuk kanë shumë nevojë për interpretim. Por kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk e ka lënë rastin t’i ikë, duke tentuar të përdorë një deklaratë të tillë kundër protestës së sotme të opozitës.
Prandaj është ajo që është Amerika se nuk e kupton lojën me Kushtetutën;nuk e pranon politikën në dëm të zgjedhjeve demokratike; nuk e toleron dhunën kundër institucioneve – e në këtë rast s’ka se si e fal kundërvënien ndaj Reformës në Drejtësi! Vetëm përpara drejt 30qershorit
shkruan Rama.
Kryeministri në fakt nuk komentoi asgjë mbi lajmin se kancelarja gjermane Merkel kundërshton hapjen e negociatave me Shqipërinë. Ai komentoi deklaratën e ministrit të Merkel, Michael Roth, dy herë madje. Por nuk tha asnjë fjalë për qëndrimet e shprehura nga zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU/CSU dhe njëherazi kryetar i grupit parlamentar të Ballkanit Perëndimor, Johann David Wadephul.
Zoti Rama komenton vetëm fjalët e mira. I amplifikon ato si dëshmi e konfirmimit të suksesit të qeverisjes së tij. Mirëpo në një botë si kjo e internetit dielli nuk mbulohet me shoshë. Ndaj është e udhës që kryeministri të flasë edhe në rastet kur ndaj tij ka kritika dhe akuza, sepse ato lexohen dhe komentohen. Kanë peshën e tyre në vendimmarrje. Zotëria duhet të kuptojë se kundërshtimi i Berlinit për çeljen e negociatave është një shuplakë e rëndë për qeverisjen e tij dhe është një zhvillim për të cilin duhet të kishte debat në mbarë vendin.
Qeverisja nuk është resort turistik i cili paguan apo angazhohet vetëm më publicitetin pozitiv. Këtë mund ta kuptojë si të tillë vetëm një kryeministër që ka humbur tashmë edhe lojën e vet, atë të imazhit.
Sa për Palmer duhet kujtuar sesi ndryshoi qëndrimi i SHBA për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, dëshmi kjo jo vetëm e mënyrës sesi funksionon administrata Trump, por edhe e faktit se mesa duket SHBA nuk ia ka ngenë Ballkanit. Nuk ka asnjë deklaratë që të mund të kompromentojë objektivat politike të një force që pretendon se është serioze, pa tjetër gjë se PD e sotme s'është serioze dhe as nuk dihet se kur mund të bëhet.
Add new comment