Sovrani nuk ka çfarë të thotë
Kryeministri Rama ka nisur fushatën elektorale. Të paktën kështu njoftohet zyrtarisht. Njëherë në Lezhë, pastaj në Kurbin, një ditë tjetër në Cërrik, z. Rama shfaqet i rrethuar nga njerëz që mbajnë në duar flamuj të cilëve u shpjegon situatën dhe u premton ndryshimin.
Është një teatër absurd ku luajnë dy palë të ngujuara në botët e tyre. Z. Rama ngjan si dikush që ka bindur veten se është në të drejtën e Zotit dhe njerëzisë që të vazhdojë detyrën dhe se nuk ka asgjë që e kërcënon mandatin e tij. Legjitimitetin e tij.
Opozita kërkon largimin e tij duke e thelluar bazën e kërkesës së saj te skandalet që po publikohen edhe në mediat e huaja.
Me kriterin e sistemit në fuqi, kërkesa e opozitës ngjan si tekë. Por sistemi e shpërndan legjitimitetin mbi një bazë morale. Vërtet, z. Rama nuk ka arsye ligjore të ofrojë një zgjidhje politike. Por as edhe një situatë normale nuk është.
Një kyçje në absurdin e gjysmë të vërtetave që jo vetëm krijojnë fortifikime për çdokënd, por nuk lënë mundësinë e një rrugëdaljeje dhe ku ngjan se fiton më kokëforti.
Por sidoqoftë, fushata elektorale e tanishme është akti më i pakuptueshëm në të gjithë këtë lëmsh. Çfarë premtohet dhe kujt? Çfarë po thotë ky Moisi në shkretëtirën politike shqiptare? Cilën tokë të premtuar po ofron?
Nuk duket se ka ndonjë këshillë të mençur për një gjendje memece që as flet e as dëgjon, me pacientë të kompartimenteve të ndryshme. Thonë se ka një komunikim të fshehtë për një marrëveshje. Po pse duhet të jetë përherë i fshehtë ky komunikim? Vallë nuk është kuptuar se në një vend ku hajdutët dhe kriminelët kanë statusin e personit shumë të rëndësishëm nuk ka më nevojë për sekrete? Për çfarë flasin këta dy apo tre njerëz që ditën përbetohen se janë në rrugén e drejtësisë?
Z. Rama dhe z. Basha e kanë një aftësi. Duke qenë njerëz që nuk kanë respekt për ndonjë gjë, as referim në ndonjë vlerë, ia dalin që të normalizojnë çdo rrethanë. Si metabolizues të çdo lloj gjëje që nuk përtypet e lëre më të tretet, ata kanë shtyrë kufirin e “të papranueshmes”, “skandalit” duke krijuar një lloj distopie që shpjegon çmobilizimin e përgjithshëm dhe indiferencën thuajse totale.
Ndaj kjo fushatë elektorale ngjan si një lloj anomalie që funksionon. Kemi zgjedhje pa mundësi për të zgjedhur, por me pyetjen që rreh si çekan: po pse Lulin të votosh?
Luli është në garë si e kundërta e alternativës reale, por që thjesht nuk është regjistruar. Ky është fundi i kuptimit të zgjedhjeve si proces që nis me pjesëmarrjen dhe përfundon me rezultatin. Ka dy palë por jo dy mundësi.
Si do të duket nesër kur të shpallet rezultati? Kush humbi? Kush fitoi? Kush votoi dhe kush u votua? Pse do numërohen votat?
Është një tragjikomedi karagjozësh milionerë që ndoshta nuk kuptojnë se po luajnë një lojë me zarar, sepse kësaj radhe këta karagjozë nuk arrijnë të bëjnë askënd për të qeshur. Kanë humbur cilësitë e tyre strategjike, atutë ekzistenciale, performimin origjinal. Janë lakuriq në skenë.
Add new comment