Rojava, eksperimenti demokratik, feminist i kurdëve në Siri
Gazeta e njohur izraelite “Haaretz” publikonte dje një shkrim të gjatë për një entitet politik në veri dhe në lindje të Sirisë që po aplikon parimet e një demokracie lokale autonome dhe ku barazia gjinore është sanksionuar si kod normal. E njohur që në vitin 2012 si Rojava, rajoni në fjalë përbëhet nga disa etni si kurdët, arabët, asirët, por edhe turkmenë, armenë dhe çeçenë.
Nëse lexon përshkrimin që bën gazeta në fjalë, të krijohet përshtypja për një eksperiment që bashkon forma të demokracisë direkte, barazisë gjinore, një lloj qasjeje hiperekologjike dhe egalitarizmi që përjashton nocionin e shtetit siç e njohim sot.
Njësia bazë e organizimit politik në Rojava është komuna. Secila komunë konsiston në një duzinë familjes dhe anëtarët e saj jetojnë sipas zgjedhjes së vet. Ata takohen rregullisht për të diskutuar çështjet dhe iniciativat e rëndësishme dhe zgjedhin komitete për të çuar përpara zgjidhjen e tyre. Ata zgjedhin po ashtu dy kryetarë, një mashkull dhe një femër. Bordi koordinues që drejtohet prej tyre dërgon përfaqësues në nivelin tjetër të organizimit: lokaliteti. Ky konsiston në një numër komunash dhe aty po ashtu janë krijuar komitete për të ndarë detyrat si dhe për të zgjedhur përfaqësues në një nivel tjetër: distriktin. Më lart vjen kantoni, rajoni, Këshilli i Përgjithshëm për Administrimin Autonom të Sirisë Veriore dhe Lindore me 70 anëtarë dhe Këshilli Demokratik Sirian, që është autoriteti kryesor legjislativ në Rojva
shkruan gazeta.
Femrat marrin pjesë në forcat policore dhe ushtarake në mënyrë që ato të mos mbeten jashtë vendimmarrjes. Baza ideologjike e këtij entiteti që duket se idealizohet për funksionimin e vet nga vëzhguesit e jashtëm janë idetë e liderit të burgosur kurd, Abdullah Oçalan, ndërkohë që në të ndërthuren tradita mijëvjeçare. Ai krijoi organizatën e parë të femrave në vitin 1986 dhe shtatë vjet më pas ai krijoi edhe njësinë e parë ushtarake femërore. Oçalan u kërkonte meshkujve që të gatuanin në mënyrë që edhe femrat të mund të studionin.
Këtu u hodhën farat e shoqërisë egalitariste të Rojavas...I rënë në burg në vitin 1999, Oçalan ka patur kohë të thellohet në dijet e veta filozofike dhe historike. I vetëm në një qeli që ruhet nga 1000 trupa ai u zhyt në mitologjinë sumere dhe në origjinat e kulturave neolitike si dhe në historinë e qytet shteteve të para. Oçalan u ndikua nga një një numër mendimtarësh mes të cilëve Fernand Braudel, Immanuel Wallerstein, Maria Mies dhe Michel Foucault. Teoricieni që e ndikoi më shumë liderin kurd ishte Murray Bookchin, një shkrimtar hebreo-amerikan dhe anarkist që formuloi teorinë e ekologjisë sociale. Duke vendosur një lidhje mes krizës mjedisore dhe shoqërisë kapitaliste, Bookchin argumentoi se skllavërimi dhe shkatërrimi i natyrës është vijim i skllavërimit të qenieve të tjera njerëzore. Për të shmangur fundin, sipas tij duhej rimenduar struktura e shoqërisë: është e domosdoshme një zhvendosje nga një shoqëri kapitaliste lakmitare drejt një strukture sociale ekologjike që ruan balancën mes pjesëve të veta. Si rrjedhojë, Bookchin propozoi një entitet konfederativ të bashkive përmes të cilave komunitetet mund të organizojnë jetën e tyre në mënyrë të pavarur
thekson gazeta.
Idetë e tij Oçalan i vuri në zbatim duke propozuar një konfederalizëm demokratik, një përzierje të ekologjisë sociale të Bookchin dhe feminizmit në rritje mes kurdëve, duke shmangur modelet e shteteve të centralizuara si dhe duke siguruar rolin e femrës.
Momenti i parë për të vënë në jetë projektin erdhi me Pranverën Arabe në vitin 2011 kur forcat e Asadit u tërhoqën nga Kurdistani. Që nga ai moment autonomia kurde ka ecur dora dorës me eksperimentimin e ideve të Oçalan dhe përvojësë mijëra vjeçare në një rajon problemtik. Aspekti ekologjik dhe feminist mbeten më befasuesit në një zonë ku perceptimi dominues kërkon si element dominues patrarkalizmin dhe dhunën.
Nga ana tjetër nuk mund të mos kapet në shkrime të këtilla një mënyrë e hollë për të promovuar demokracinë kurse dhe model që duhet mbrojtur në një kontekst ku fryma antiperëndimore është kryesore. Autonomia e kurdëve njihet deri diku por këtë e favorizon situata e luftës. Nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë në përfundim të saj, ndërkohë që Rusia, Irani dhe Turqia që kanë zhvilluar disa takime për paqen në Siri kanë ide të ndryshme për komunitetin kurd.
Add new comment