Mbrojtje politike që mban erë
Kryeministri Edi Rama e ka humbur tashmë betejën e imazhit. Ndonëse ky është një proces që mund të pritet në njerëz që rrinë gjatë në pushtet, natyra spektakolare e skandaleve që dalin në media kanë vënë një njollë të madhe mbi vetë qeverisjen e z. Rama dhe pasojat e saj. Së fundmi, kryeministri është përfshirë personalisht në diskutimin për dosjen 339 ku figuron I implikuar në përgjime z. Vangjush Dako. Z. Rama po i thotë qytetarëve se përgjimi nuk është kurrfarë prove në kuptim të Kodit Penal, kurse të vetëve se “do ta mbroj Vangjushin”. Nëse do të shohim nga një vështrim ngushtësisht politiko-partiak, do të duhet të pranojmë se z. Rama po bën atë që duhet. I kushtëzuar, presuar apo shantazhuar kjo ka pak rëndësi. Ai po sillet si drejtues i kasolles së vet të cilën nuk po e braktis. Nuk është pak një gjë e tillë në sytë e militantëve.
Por nëse e shohim nga pikëpamja e trashëgimisë që kjo qeveri do të lërë dhe raportit të saj me të vërtetën dhe institucionet, kjo sjellje është në kufijtë e shkeljes penale dhe më tej. Zoti Rama mundet fare mirë t’oa linte hetimeve këtë çështje dhe pavarësisht akuzave të kërkonte përshpejtimin e tyre. Por kjo do të kërkonte sigurinë se ai vetë apo partia e tij nuk dalin të njollosur keq. Për këtë arsye përfshirja e kryeministrit në diskutime teknike krijon dyshime të natyrshme se ai po kërkon të mbyllë një situatë problematike.
Sa për krahasim mund të sjellim disa shembuj. Rasti u parë, çështja “Doshi-Meta”. Kushdo e kujton se z. Rama asokohe nuk prononcohej fare. Aq sa u bë e qartë se pas frymëzimit të z. Doshi qëndronte kryeministri që shkoi qetësisht në një zyrë ku ka shkuar vetëm një herë dhe në mënyrë informale: në Prokurorinë e Përgjithshme.
Rasti u dytë është çështja e Saimir Tahirit. I akuzuar për çdo gjë, por me një sens të lartë protagonizmi, ish-ministri u Brendshëm u braktis nga kryeministri vetëm kur situata rrezikoi të merrte me vete qeverinë. Me një fjalim hartim, kryeministri lau duart duke e nxjerrë Tahirin nga politika, por duke e shpëtuar nga arrestimi. Të njëjtin qëndrim ambig ka mbajtur ai edhe gjatë kësaj kohe kur thuhet se për çështjen Tahiri ka patur kërkesa të qarta dhe konkrete nga partnerët e huaj. Një tjetër rast është ai me pasuesin e Tahirit, z. Fatmir Xhafaj. Heshtje e plotë në fillim, mandej befas kryeministri hyn në lojë duke dëshmuar tensionin.
Mund të vazhdonim me çështjen e DH Albania dhe Thumanë -Kashar për të arritur në konkluzionin e qartë se z. Rama reagon kur percepton se ai kërcënohet personalisht apo interesat e tij. Situata e tanishme mundet të mos gjenerojë akuza penale ndaj kryeministrit, por ata që po luajnë fijet e këtij skandali e dinë lidhjen e ngushtë mes z. Rama dhe ish-kryebashkiakut të Durrësit që tanimë u pensionua përkohësisht, njësoj si Damian Gjiknuri që mori me vete për mbulesë edhe nja pesë ministra të tjerë.
Dikush mund të thotë se z. Rama është mjeshtër për të mbuluar gjurmët. Në fakt e kundërta është e vërtetë. Në momentin që një kryeministër flet për procedure, po vë përpara barrierën e fundit të mbrojtjes: ligjin. Situata ka degraduar deri në këtë pikë saqë ndonëse ministrat firmosin marrëzi nga më të mëdhatë, ata nuk mund të mbrohen më. Për këtë arsye koncesionet do të bëhen me ligj, sikurse Teatri Kombëtar do të prishet me ligj.
Janë manovra dëshpërimi të dikujt që nuk e menaxhon më situatën me rregullat në fuqi. Ndryshe nuk shpjegohet kjo përpëlitje që gjen shprehjen me të qartë në ndryshimet rekord në kuadrin ligjor dhe nënligjor me pronat. Pesha e jashtëzakonshme e këtij mëkati ka prodhuar dy fatkeqësi të mëdha për mbarë vendin: korruptimin e opozitës e cila ka shansin e artë të kauzës së pastrimit të korrupsionit, por nuk e bën dot sepse është vetë e korruptuar dhe korruptimi i votës.
Dëgjohet përherë e më shpesh argumenti se po u votove je amnistuar. Ja, populli të do, pra vetiu nuk je i korruptuar. Por dorëzimi moral i një pjese të shoqërisë ndaj kësaj logjike e bën edhe më të domosdoshme vijimin e betejës ndaj kësaj sëmundjeje që e ka votën patologji. Zoti Rama përmend ligjin pasi tashmë i druhet vetëm atij, jo pse në pushtet mund të vijë Lulzim Basha, por sepse nesër do të jetë i kërcënueshëm apo i ekspozuar vetëm nëse ligji do të zbatohet. Një pushtet ku vidhet shumë, lë shumë gjurmë. Kjo është e qartë, sidomos për një njeri të cilit, aveniri politik i ka aardhur andej nga se priste dhe e ndjen se edhe shakaja e fundit mund të vijë andej ku nuk e pret.
Add new comment