Është detyrim qytetar të zbardhësh çdo lloj pisllëku mbi zgjedhjet në këtë vend
Në Shqipëri funksionon me ligj një organ kushtetues që quhet Prokurori e Përgjithshme. Në planin historik ky organ mund të ndahet në dy periudha: periudha para viteve ’90 kur kishte detyra me tagër penal dhe politik dhe periudha e tanishme ku organi i akuzës ka qenë thjesht një instrument i politikës, ndonëse jo formalisht.
Për shumë shqiptarë Prokuroria është ajo pjesë e shteti shqiptar që “të bën letrat”. Nuk ka rëndësi se kush e kërkon dhe për çfarë kërkohet një shtetas shqiptar, Prokuroria shqiptare të bën hazër e të degdis. Prokuroria e tanishme drejtohet nga një zonjë që është aty në mandat të përkohshëm dhe zgjedhur në mënyrë antikushtetuese. Një figurë e kontestuar që vazhdon traditën e paraardhësve të vet që u aftësuan në kalibrimin e ndjekjes penale sipas midesë së pushtetit.
Sot ky organ që është turpi i rreckës që quhet shtet shqiptar, ka kërcënuar me ndjekje penale mediat dhe avokatët që publikojnë akte të dosjes nr. 339, dosja e vjedhjes së zgjedhjeve. Mirëpo ky skrupolozitet i Prokurorisë dhe zonjës Marku do të kishte ndonjë kuptim nëse prokuroria do të kishte tjetër imazh. Kemi të bëjmë me një organ që besimin e njerëzve e ka detyrim ta fitojë, por ky nuk është rasti.
Nga ana tjetër, Shqipëria sot është në prag të përplasjes civile dhe është në këtë kuptim detyrim i gjithkujt që nuk do ta shohë vendin e vet në greminë që të ndihmojë sadopak me zbardhjen e asaj që ndodh pas kuintave në këtë vend. Nuk fshihen më duart e hajdutëve as me akte as me urdhëra. Sepse kanë dalë në sipërfaqe dhe mbajnë erë.
Add new comment