Kushtetutën tani e mbrojnë analistët
Vëllezër shqiptarë! Ilir Meta, presidenti i vendit, po shkel rëndë Kushtetutën, atë libërthin e vogël me kopertinë të kuqe që shkruan e flet në emërin e të gjithëve. Ai ka deklaruar se është i gatshëm të dekretojë një datëbtë re zgjedhjesh dhe të dorëzojë mandatin e tij.
Shpresa jonë janë gazetarët, analistët, gardianët e arsyes politike dhe shoqërore, të kthyer së fundmi në vajtues profesionistë të stabilitetit që iku e vate.
Vetëm se janë dëshmitarë të rremë të një kauze të rremë, pasi dorëzimi i mandatit nuk është kushtetues, kurse ridekretimi i zgjedhjeve siç është shprehur në njoftimin e presidentit ofrohet si mundësi “në përputhje me vullnetin politik të palëve”.
Për ata gaztorë të gazetarisë së oborrit që thonë se po shkelet Kushtetuta, duhet kujtuar se para pak ditësh përfaqësues të PS-së deklaruan se PD dhe LSI mund të marrin pjesë në zgjedhje nëse do të duan dhe se për këtë do të gjendet një rrugë. Askush nuk iu druajt në këtë rast shkeljes së Kushtetutës, por celebruan si dollibashë ofertën e shkëlqyer të stabilizimit.
Është bërë luks të marrësh seriozisht këta karagjozë të mirëpaguar të cilët teksa përpunojnë kullotën e militantëve me analiza brilante, i japin të drejtë përherë e më shumë një njeriu si Ilir Meta i cili po kreditohet si i arsyeshëm nga shërbestarë të një oborri pa gardh.
Add new comment