Krizat tona të mëdha të shkaktuara nga Sali Berisha

Postuar në 23 Maj, 2019 16:58
Ilir Hashorva

Nga viti 1997 deri në vitin 2019 Shqipërinë e kanë mbërthyer tri kriza të mëdha. Viti i 1997 ishte viti i djegies së Shqipërisë dhe i konfliktit më të madh popull-shtet në historinë tonë. Viti 1998 ishte viti i një grushti shteti nga ana e PD-së, e cila u tërhoq prej tij vetëm pas ndërhyrjes ndërkombëtare që nuk mund të pranonte marrjen me dhunë të pushtetit. Viti 2019 ka filluar të bëhet viti i një konflikti tjetër të madh PD-qeveri që kamuflohet si konflikt popull-qeveri. Nxitësi i vërtetë i të tri këtyre krizave ka qenë dhe mbetet Sali Berisha me qëllime të njëjta antishqiptare. Të tri krizat janë projektuar dhe janë zhvilluar në koincidencë të plotë me tri ngjarje të rëndësishme të historisë sonë.

Pavarësisht se krizat janë bërë të duken si pasoja të disa shkaqeve si: në vitin 1997, fajdet, në vitin 1997 vrasja e Azem Hajdarit dhe në vitin 2019 “vjedhja e votave”;mua më duket se nuk kanë qenë këto shkaqet e vërteta që nxitën krizat, përkundrazi, ishin nevojat për krizat që duhet të zhvilloheshin që krijuan ato shkaqe, apo pretekste, pra, nuk e krijuan fajdet krizën, por ishte nevoja për krizë që krijoi fajdet; nuk e krijoi vrasja e Azem Hajdarit krizën, por ishte nevoja për krizë që krijoi vrasjen e Azem Hajdarit; sot nuk janë problemet e “vjedhjes së votave” në zgjedhjet e mëparshme apo keqqeverisja e Edi Ramës që krijuan krizën, por është nevoja për krizë që duhet të krijojë problemin e vjedhjes së votave në zgjedhjet e mëparshme dhe keqqeverisjen e Edi Ramës. 

Qëllimi i vërtetë krijimit të këtyre krizave në vitet 1997 dhe 1998 ka qenë bërja e Shqipërisë leckë në prag të Luftës së Kosovës dhe heqja e çdo mundësie mbështetjeje e asaj lufte qoftë nga Shqipëria e qoftë nga bota. Qëllimi i vërtetë i krizës së vitit 2019 është, përveç pengimi i reformës në drejtësi, edhe sabotimi i të gjitha përpjekjeve për futjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe, njëkohësisht, sabotimi i përpjekjeve për një rregullim të çështjes së Kosovës. 

Në të gjitha këto ngjarje organizatori i tyre ka qenë dhe është Sali Berisha. Ai me një gur vriste dy ose më shumë zogj, por zogu kryesor ka qenë dhe mbetet gjithnjë dëmtimi i Shqipërisë dhe i Kosovës: me fajdet edhe vidhen paret e popullit, edhe krijohetkriza; me Azem Hajdarin edhe vritet Azem Hajdari, një bela për Sali Berishën, edhe krijohet kriza; me protestën e sotme, edhe largohet nga pushteti Edi Rama dhe sigurohet Sali Berisha, që ka probleme të mëdha me këtë popull e me drejtësinë e tij, edhe krijohet kriza. 

Mbyllja e firmave të fajdeve në atë kohë e në atë mënyrë nuk u bë ngase ato firma falimentuan, por u bë personalisht nga Sali Berisha në atë mënyrë që të krijohej reaksioni maksimal në popull, qoftë duke u bërë fill pas deklarimit të tij se paret e shqiptarëve ishin nga më të pastrat dhe më të sigurta dhe qoftë se gjatë mbylljes së tyre, nuk u dha asnjë siguri për kthimin e parave, megjithëse mundësia ishte. Këto u kuptuan që në atë kohë nga ata që dëshironin t’i kuptonin, por sot, po të lexohet libri autobiografik i Bamir Topit, “Nokturn”, kuptohet fare mirë se nuk do të kishte asnjë krizë, po t’i thuhej popullit se paratë e tij ishin të garantuara dhe se do t’i ktheheshin. Sipas kryeministrit të kohës, Aleksandër Meksit, mundësia ekzistonte që paret të ktheheshin, sepse ato ishin. Sali Berisha, edhe pse e dinte se i rrezikohej karrigia po të bënte atë që bëri, prapë e bëri. 

Është ky një budallallëk, apo miopi e tij? Në asnjë mënyrë jo. Ai duhet të ketë marrë urdhër të prerë dhe urgjent që firmat e fajdeve të mbylleshin në atë kohë dhe në atë mënyrë, sepse duhej krijuar kriza dhe kriza duhej të ishte sa më e fortë. Kujt më tepër se Serbisë i interesonte ajo krizë? Beogradi dërgoi në atë kohë në Shqipëri dhe terroristin e tij Arkan, për të cilin Sali Berisha, në një moment hutimi, ka thënë se ka qenë ai që i kishte krijuar ato firma e ndoshta ka qenë po ai edhe që urdhëroi edhe mbylljen e tyre në atë kohë e në atë mënyrë. 

Ta zëmë se firmat falimentuan, por, gjersa paratë e firmave ndodheshin në bankat e Shqipërisë, përse nuk iu kthyen popullit dhe të ulej revolta? Ku shkuan ato para?

Kriza që shkaktuan fajdet ishte më e rënda në historinë e popullit shqiptar me pasoja afatgjata. Mjerisht kjo krizë nuk është studiuar fare deri tani as nga historianët, as nga politikanët e as nga juristët. Populli ka mbetur me mendimin se ajo çka ndodhi në atë kohë ishte budallallëku i tij që e çoi në gënjimin dhe vjedhjen e tij nga një grup mashtruesish. Nuk është kaq e thjeshtë.

Ndonëse vrasja e Azem Hajdarit, për një pjesë të PD-së shkaktoi tronditje, nga Sali Berisha u shfrytëzua për të shkaktuar zemërim maksimal kundër qeverisë. Me këtë rast protestuesit e Saliut u ndeshën për herë të parë me dyert e kryeministrisë. Kjo vrasje dhe kriza që shkaktoi ajo ishte vazhdimi i krizës së fajdeve, përsëri në prag të luftës në Kosovë.

Të vijmë te kriza e sotme, një krizë absurde, krejt e kotë, pa asnjë bazë logjike a morale, por shumë e egër dhe e zgjatur, që po zhvillohet në kohën kur diskutohet për futjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe për rregullimin e problemeve të Kosovës. Ndonëse zgjedhjet e viti 2017 i organizoi më shumë PD-ja se PS-ja, pas dy vjetësh PD-ja paska mësuar se i qenkan vjedhur votat në ato zgjedhje! Sot PD-ja deklaron se nuk i njeh ato zgjedhje, se i ka vjedhur Edi Rama dhe se tashti as nuk futet në zgjedhjet e reja dhe as lejon që të kryhen ato pa të. Megjithatë, si për të treguar se është e interesuar për zhvillimin e tyre, gjoja e lë një shteg hapur dhe thotë se mund të futet në zgjedhje, po t’ipranohen dy kushte të panegociueshme: 

1. Kryeministri Edi Rama të lërë postin e tij, pra të japë dorëheqjen.

2. Të krijohet një qeveri transitore që të organizojë zgjedhjet e reja, madje Fatmir Mediu, që ka në dorë çelësat e kashtës, ka zgjedhur edhe emrat e atyre që do të përbëjnë qeverinë transitore të pranueshme!

Këto dy kushte nuk ka njeri e qeveri në botë që t’i pranojë dhe prandaj, po t’i përkthesh në gjuhë të kuptueshme, ato do të thonë për PD-në se ka vendosur plotësisht të mos hyjë në zgjedhje dhe, po të mos hyjë ajo në zgjedhje, siç thotë ajo, zgjedhjet nuk mund të bëhen se ajo nuk do t’i lejojë të zhvillohen, duke përdorur çdo mjet dhe mjeti i vetëm që ka në dispozicion ajo parti është dhuna. 

Ajo parti, duke deklaruar se është e vendosur të mos hyjë në zgjedhje pa u plotësuar dy kushtet e saj të pamundura, i bën krejt të pavlefshme të gjitha përpjekjet,qoftë të të huajve e qoftë të shqiptarëve, që mundohen të mendojnë apo të ndërmjetësojë për ndonjë farë zgjidhje nëpërmjet bisedimeve. Njëkohësisht me kushtet që vë, ajo parti e ka të vështirë edhe të vetëtërhiqet, po ta shohë veten keq, pa lëpirë më parë atë që ka pështirë.

Duke qenë në këtë gjendje, Sali Berisha dhe PD-ja, pa asnjë lloj force tjetër, përdorin forcën e dhunës dhe mobilizojnë përkrahësit e tyre më të cilët bllokojnë rrugët, apo i sjellin në Tiranë ku, s’bëjnë gjë tjetër, veçse luftojnë me godinën e kryeministrisë e me godina të tjera shtetërore, si Donkishoti me mullinjtë e erës, e pastaj bëjnë xhiro triumfaliste nëpër Tiranë pas fjalimeve “frymëzuese” të Lulëzim Bashës, kryetarit fasadë(po përdor një term të tij) të PD-së, që bërtet e çirret duke përsëritur të njëjtat fjalë boshe e të njëjtat parulla të cilat ia dikton Sali Berisha. 

Dhuna ka filluar. Qeveria rri e qetë pasi mendon se ajo dhunë nuk ka ç’i bën, pasi ajo ka forcën e ligjit, forcën e logjikës dhe forcën e shumicës, pavarësisht se PD-ja mburret e përsërit se shumica është me të, duke u nisur nga numri i pjesëmarrësve në protesta, për të cilët thotë se po shtohen, duke u nisur më shumë jo nga numri i tyre, që nuk e gjen dot se sa janë, po nga zhurma që bëjnë. Por nuk dihet se cilët janë më të shumtët: të zhurmshmit apo të heshturit. 

Ndonëse PD-ja është krejt e dobët për të goditur politikisht, ajo godet dhe godet rëndë me anë të dhunës dhe gjasat janë se do të godasë edhe më rëndë, sa më shumë të kuptojë se është e pashpresë. Ajo ka filluar të sillet si një bishë e plagosur që, ndonëse për vdekje, dëmin e bën të madh. Kjo dhunë do të jetë aq më e shumëllojshme, aq më e ashpër dhe aq më efikase, sa më i plogët dhe inaktiv të tregohet shteti.  

Të gjitha këto ngjarje të rënda që për frymëzues, organizator dhe realizues kanë Sali Berishën, Neronin shqiptar, batakçiun, sherrxhiun, përçarësin, intrigantin, gënjeshtarin dhe ngatërrestarin e përjetshëm, synojnë t’i prishin sa më shumë imazhinShqipërisë dhe Kosovës dhe të vërtetojnë tezën e armiqve të Shqipërisë që thonë se shqiptarët nuk janë të zotë të bëjnë dhe të mbajnë shtet. Ky njeri duhet të nxirret sa më shpejt e njëherë e mirë jashtë politikës dhe jetës sonë, gjë që duhej bërë qysh në vitin 1997. Ai nuk i duhet lënë si bela brezave të ardhshme. Mjaft ka vuajtur Shqipëria me krizat që i ka shkaktuar apo i shkakton ai!

Duke lënë si krejt të pavlefshme fjalimet, letrat, kërcënimet, retorikat, replikat e batutat bajate me të cilat merret sot pozita e sidomos Edi Rama, i vetmi mjet që e rregullon këtë çështje për sot dhe për mot është marrja e një vendimi, qoftë edhe duke ndërhyrë në kushtetutë, që të nxjerrë menjëherë jashtë ligjit cilindo, individ a parti, që, për interesa të tij apo të saj, për të ardhur në pushtet predikon, propagandon dhe ushtron dhunë duke sfiduar kështu rregullin e parë të demokracisë.

Mjaft kanë vuajtur shqiptarët nga dhuna. Sot dhuna duhet të zhduket nga fjalori  politik shqiptar.

 

Comments

Submitted by Tahir Gashi (not verified) on

Ne rradhe te pare, cdo shqiptari duhet ti vije turp ta permende me emer.
Ai mund te thirret:
1.Prostituta Kombetare Sali,
2.Doktor Mortja.

Te pershkruash ligesine e kesaj gjallese, duhen libra te tere.
Analiza mund te behet me thjesht, gjeni vetem nje te mire qe ka be gjallesa per vendin!
Shikoni nje fakt tjeter, analizoni njerezit nga te cilet rrethohet dhe qe gjallesa i ngrin ne pushtet!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.