Deputetë apo agjentë turizmi?
Kryeministri ka folur në vetë të parë dhe publikisht se protestat e opozitës dëmtojnë turizmin dhe pra ekonominë e shumë qytetarëve. E ka përsëritur këtë gjë edhe sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla. Në të dyja rastet qëndrimi duhet pasqyruar në media sepse kemi të bëjmë me politikë dhe qëndrim politik.
Por situata e ankesave nga qeveria e shërbesave nuk ka shumë kuptim kur në media nisin të shfaqen me të njëjtat fjali të gjithë deputetët që nuk dinë të thonë gjë tjetër veç atë që është autorizuar nga Lart. Një ndër deputetët që po duan të luajnë rolin e jehonës pr mesazhet e kryeministrit është ish-ministrja e Kulturës, e diskredituara Mirela Kumbaro.
Gazeta “Tema” i përcjell ish-ministres një mesazh të saj në Antigone.
Kam mesazhe nga një grup turistësh që kishin mbetur të bllokuar para disa ditësh tek Ura e Leklit, ngaqë aty po protestonin mbështetësit e opozitës. Ky është një dëm shumë i madh që po i bëhet biznesit. Në nisje të sezonit turistik këto protesta largojnë turistët, dëmtojnë imazhin e vendit. Opozita jashtë Parlamentit me një kokëfortësi destruktive po i bën një atentat të madh demokracisë dhe ekonomisë së vendit
citohet Kumbaro.
Megjithë dëshirën e mirë, këtu zonja, e cila dihet shumë mirë se çfarë njolle i krijoi institucionit që drejtonte, kap veten në një lloj kontradikte me këtë pohim. Nga njëra anë ajo thotë se me protestat po dëmtohet biznesi, nga ana tjetër vetë Kumbaro shton se ankesat i kanë ardhur jo nga biznesi, por nga turistët. Ka një mençuri dhe qytetari në këto fjali që të bëjnë të mendosh me respekt për zonjën dhe është patjetër kjo mençuri që i kthen qëndrime të tilla fare banale dhe me rëndësi vetëm për kafenenë e Antigonesë, në lajm me mbulim kombëtar.
Por meqë jemi këtu mund të pyesim se si është e mundur që disa turistë i shkruajnë deputetit të zonës në një vend të huaj! Pika e kontaktit të një turisti është operatori jo një ish-ministër. Na vjen keq nëse zonja Kumbaro po bën edhe këtë rol, ndërkohë që është misterioze se për cilat arsye biznesi gjirokastrit apo ai i Hormovës, Leklit, Dragotit, Mezhgoranit dhe Peshtanit nuk ankohen te ministrja.
Në një nivel të caktuar profesioanl mesazhe si këto që përcjell ish-ministrja as nuk do t’i kishte qarkulluar kush për lajm, por kur sheh rëndësinë që ato kanë për ekonominë e Jugut, klasifikimi i tyre si lajm është për t’u përshëndetur. Një ish-ministre që mban kontakte me turistë është gjë e rrallë edhe për Shqipërinë e bashkëqeverisjes. Madje edhe kur kjo bashkëqeverisje ushtrohet me ndihmën e mediave.
Add new comment