Vrapi i Dollapit dhe shkopinjtë e Lleshit
Episodi më kinematografik i protestës së opozitës ishte padyshim rrëzimi i Sait Dollapit, Sekretarit Organizativ të Partisë Demokratike në tentativë për t’i ikur me vrap mësymjes nga “sampistët” e Lleshit.
Në fakt e gjithë skena ishte tipike e një protestuesi që nuk ka rrugë tjetër veçse t’ia mbathë përpara se të bjerë në duart e “xhelatëve”. Duhet pranuar se ky moment ka anën e vet komike, ku burrëria nuk pi shumë ujë dhe ku këmbët i lëviz frika.
Një protestues i thjeshtë nuk do kishte ngjallur kaq diskutime, jo vetëm për mënyrën si iku, por edhe për dhunën që ushtruan mbi të. Sahiti i ardhur nga një karrierë administrative si ish-drejtor i disa enteve publike është tashmë një nga fytyrat politike të PD-së, i përzgjedhur nga vetë Lulzim Basha si një nga tre njerëzit më të rëndësishëm në drejtimin politik të PD-së.
Ndaj dhe pyetja pse iku Sahiti hyn në një tjetër rrafsh diskutimi. Si protestues, si militant i ardhur nga rruga Sahiti ka nuhatje, kuptoi agresionin dhe u lëshua me vrap për të ikur apo fshehur diku. Me adrenalinën e një të riu, por me këmbët dhe ekuilibrin që e tradhëtuan. Ai kishte dhe një alternativë tjetër, të mos ikte, të kundërshtonte arrestimin pa ia mbathur vrapit.
Në duart e specialeve ama ra pikërisht komisari politik i protestës së PD-së, në mënyrën jo dhe aq heroike siç e kërkon momenti që opozita thotë se është historik. Basha dhe partia e tij kanë zgjedhur disa mënyra për t’i dhënë nota epike protestës së tyre, duke nisur me kolonat zanore të filmave historikë, ku natyrisht spikat ajo e filmit “Skenderbeu”.
Veç atyre që mund të quhen “paramilitarët” e PD-së, protesta e opozitës mbart edhe çlirimin e një tensioni jo vetëm politik, por edhe psiko-social nëse mund të quhet kështu. Protesta na ka rezervuar shfaqjen e vet në këtë pikëpamje, me njerëz që i marrin valles mbi strehën e kryeministrisë, ku ka patur nga ata që kanë çliruar kënaqësinë duke pshurrur mbi murin e qeverisë apo shigjetari emblematik.
Sa për shkopinjtë e gomës ndaj Sekretarit Organizativ të PD-së, kuptohet që policia nuk ka lëvizur nga veglat që i kanë lënë në dorë për të vepruar sipas emocioneve të pushtetit. Dhe këtë detyrë tregoi se di ta bëjë me devotshmëri.
l.m
Add new comment