Tërheqja është më e lehtë për atë që është në pushtet - letra e Kadaresë dhe apeli i "gazetarëve" sot
Në datën 21 maj të vitit 2011, Ismail Kadare i niste një letër Lulzim Bashës, që asokohe ishte në një përballje elektorale të diskutueshme teknikisht me Edi Ramën në Bashkinë e Tiranës. Ishte koha kur kishte nisur rivlerësimi i fletëve të kontestuara që do të rikthenin rezultatin nga 10 vota më shumë për Ramën në fitore për Bashën. Ishte koha gjithashtu kur Shqipëria kishte vetëm 4 muaj nga 21 janari ku mbetën 4 të vrarë.
Në letrën e vet Kadare ndër të tjera thoshte:
…Si politikan dhe si zyrtar ju jeni gjendur kohët e fundit, në qendër të një cikloni, i cili jo vetëm mund t’ia mbyllë rrugën përparimit të kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në histori. S’është nevoja këtu t’ju kujtoj se sa e pandreqshme dhe e pafalshme do të jetë kjo mbrapështi.
Nisur nga kjo, në kushtet e një fitimi ose të një humbjeje fare të paqartë, do t’ju propozoja një gjest që, sot për sot është i rrallë, gati i përjashtuar nga jeta politike shqiptare: tërheqjen nga kandidimi për kryetar bashkie.
Nuk e kam vështirë të marr me mend, në këtë rast, reagimet e militantëve të krahut tuaj politik. E bashkë me të, hamendjet, dyshimet e gjithë britmat rituale. Do t’ju thoshja se prej kohësh ato s’më bëjnë asnjë përshtypje. Ndërkaq, meqenëse kanë lidhje me një pjesë të popullit shqiptar, do të doja t’ju jepja thelbin e mesazhit tim: Me këtë propozim, pavarësisht se si do ta kuptoni, unë ju nderoj.
Që të jem i saktë gjer në fund, do të shtoja se kjo nuk është çështje preference për ju, çështje afërsije etj. Dhe aq më pak nuk është sfidë ndaj kundërshtarit tuaj politik. Propozimi për tërheqje mund t’ia bëja secilit prej jush, por mendova se tërheqja do të ishte më e lehtë për ju që jeni në pushtet, sesa për tjetrin, që është shef i opozitës.
…
Duke ju propozuar tërheqjen prej kandidimit, desha t’ju kujtoj se gjeste te tilla janë të njohura në historinë e pjesës më të emancipuar të njerëzimit. Janë të njohura dhe të çmuara si gjeste të mëdha tërheqja nga një këmbëngulje, nga një post, nga një dyluftim, madje nga një fron, nëse këmbëngulja , posti, dyluftimi apo froni shkaktojnë fatkeqësi. Desha t’ju kujtoja se themeluesi i shtetit shqiptar, I.Qemali, më 1912 , ka qenë njëkohësisht themeluesi i dorëheqjes shqiptare, kur me gjestin e tij madhështor, pas kërkesës së fuqive europiane, u tërhoq nga posti i vet, për të mirën e Shqipërisë
Nuk është nevoja të interepretojmë frymën e kësaj letre, apo edhe të gjejmë tek ajo kërkesën e qartë të Kadaresë për Një Gjest. Një akt civilizues. Nuk është e nevojshme as të sjellim ndërmend se kush është Kadare, i cili edhe për më dashakeqësit e tij është debitor maksimumi me historinë e vet intelektuale gjatë regjimit të Enver Hoxhës, por jo me klasën politike shqiptare.
Sigurisht që letra e asaj kohe mund të jetë lobuar nga miq të z. Rama, ajo mund të jetë e vetvetishme, një reagim emocional pse jo nisur nga leximi i situatës përmes medias, apo edhe përgjigje ndaj një shqetësimi në adresë të shkrimtarit. Të gjitha të kuptueshme.
Por nga optika e mesazhit të letrës dhe përkufizimit të situatës së bërë në të ne sot kuptojmë se ajo nuk ja qëllonte në shenjë. Se ajo mbivlerësonte rrezikun real të kohës, ndërkohë që në fund situata u zgjidh me tërheqjen brenda detyrimeve të Ligjit të shefit të opozitës.
Sot nuk ka më mesazhe që vijnë nga kaq Lart. Mesazhet e ditëve tona janë tokësore, kanë për autorë ambasadorë të ndryshëm, ndonjë ministër dhe kaq. Përveç tyre mesazhe të shumta, letra të tëra të hapura, fletërrufe për opozitën vijnë nga gazetarë të ndryshëm që befas janë kujtuar se roli I Qytetarit të Mirë është jo vetëm detyrë, por edhe moment oportunist për t’u rikuotuar. Është moment shoë.
Shohim analiza pafund që shkruajnë e shkruajnë kundër opozitës, e ca më keq kundër vetë portestës së të tillë, se ajo kërkon gjak, se është e lidhur me rusët, se është e paqartë. Shohim mbështetje për partinë e re të z. Patozi, për Rudina Hajdarin, të venerohet Azem Hajdari që deri më dje shahej si kriminel nga po këta njerëz.
Shohim edhe gazetarë “që shpërthejnë”, që marrin poza e shkruajnë statuse, të tjerë që sillen si koka e këtij protokolli civil, bëjnë apel për rend dhe qetësi. Kjo zhaurimë e turbullirës shqiptare në Tiranë, është një ndër problemet e mëdha të këtij vendi aktualisht. Janë bërë bashkë në kokat e disa njerëzve frika nga prishja e rehatisë, komplekset për t’i shërbyer apo jo pushtetit, frika dhe urrejtja ndaj Sali Berishës, kanë marrë formën e mërisë qytetare për t’u shfaqur si apel i elitës. Por një apel që e ndan shoqërinë, e shton paqartësinë e saj edhe më shumë, në vend se ta konsolidojë opinionin e saj për prioritetin e largimit të z. Rama dhe mandej për rishkruajtjen e disa rregullave të bashkëjetesës politike. Apo zbatimin e tyre. Kjo frikë, kjo ligësi pse jo ngatërron qëllimisht këtë prioritet me votën pro z. Basha, a thua ky është mëkati i të gjithë mëkateve dhe a tua se pa z. Rama kryeministër vihet në diskutim e ardhmja e Shqipërisë.
Këta tribunë dhe aristokratë të vetëshpallur njëkohësisht ndryshojnë padyshim nga shkrimtari Kadare, qoftë për staturën, por qoftë edhe për faktin se gjesti I tyre qytetar është i ndotur nga njohja jonë e përbashkët për afëritë e tyre jo thjesht shpirtërore me pushtetin. Se njëanshmëria e tyre nuk ka të bëjë me qetësinë tonë, por me të tyren. Në raste të ndryshme janë po këta që kanë bërë thirrje për t’u ngritur me çdo kusht. Kundër një pushteti që nuk Tërhiqet. Sot është rasti që këta aktorë në kërkim të përjetshëm të breroreve të lavdisë personale të përësërisin mesazhin e z. Kadare: tërheqja do të ishte më e lehtë për ju që jeni në pushtet, sesa për tjetrin, që është shef i opozitës.
Nëse kanë mësuar pak nga qëndrimi në Tiranë, do ta kuptonin se kjo brerore do t’u jepte pasaportizimin e ëndërruar si qytetarë të Bllokut për ta hedhur pas pelerinën e rëndë të komplekseve që janë ulur këmëbkryq në ballin e çdo fytyre, mimike dhe analize që po përmbyt Shqipërinë.
Add new comment