Propozim për shqiptarizimin e sistemit Bonus-Malus: Prim më të lartë sigurimi për makina mbi 10 vjet
Avni Ponari, drejtor i Përgjithshëm i SIGAL, një prej kompanive kryesore në tregun e sigurimeve kundërshton përmes një interviste për revistën "Monitor" sistemin Bonus Malus që është fuitur tashmë që nga 1 prilli në veprim. Në thelb ky sistem e vendos marzhin e sigurimit në bazë të historikut të drejtuesit duke favorizuar ata drejtues që bëjnë më pak dëme.
Për Ponarin sistemi i ri nuk merr në konsideratë historikun e këtyre viteve që administrohet nga kompanitë e sigurimeve siç thotë ai, duke bërë një lloj amnistimi absurd. Siç mund të merret me mend zotit Ponari nuk i intereson në fakt historiku i askujt përtej faktit se me vendimin e ri, kompanitë do të marrin më pak të ardhura, ndonëse siç shton ai duke patur më pak dëme, do ketë më pak kompensim.
Është një pikë në intervistën e z. Ponari që meriton vëmendje. Në vlerësimin e tij zotëria deklaron se ka drejtues që krijojnë aksidente, pra sjellin dëme, por ka edhe automjete. Pra ka dy premisa për aksidentin. Sipas drejtuesit të SIGAL duhet ndërhyrë në parimin e aplikimit të primit të sigurimit që sipas tij duhet të jetë në varësi të vëllimit motorrik.
Nuk ka pse të ketë një prim për gjithë llojet e automjeteve, kur kubikazhi i tyre është ndryshe. Na rezulton gjithashtu që 70% e mjeteve mbi 10 vjet, pra të vjetra, kanë shkaktuar dëme në territorin e Shqipërisë. Do të thotë që mjetet që janë mbi 10 vjet, duhet të kenë prim më të lartë sepse 70% e tyre janë shkaktare të aksidenteve
deklaron Ponari.
Ajo çfarë sugjeron këtu zotëria është një kërkesë direkte që kompanitë të marrin më shumë para nga drejtuesit e makinave që kanë më shumë se 10 vjet. Ndërkohë që sistemi Bonus Malus ndjek parimin e historikut të drejtuesit të mjetit, z. Ponari propozon parimin e historikut të mjeteve sipas datës së prodhimit duke marrë për bazë statistikën e mësipërme.
Por si do të zgjidhet atëherë çështja për një drejtues që ka një makinë 35 vjeçare por që nuk ka shkatuar asnjëherë aksident? Si do të konsiderohet në aspektin juridik akti i kolaudimit që certifikon rregullsinë e mjetit në aspektin teknik? Pse zotëria nuk lobon që rrugët e Shqipërisë të certifikohen në pikëpamje të sigurisë në mënyrë që të ulet numri I aksidenteve dhe pra edhe detyrimi i kompanive për kompensim?
Me gjasë z. Ponari pak i interesojnë këto. Fitimet e humbura nga kompanitë, duhen kompensuar dhe meqenëse tashmë sistemi i ri vendos rregulla të reja, edhe kompanitë janë kapur në flagrancën e mungesës së një imagjinate kreative. Duhet patur kujdesh gjithësesi sepse këto lloj kriteresh alla shqiptare të gjejnë rrugën deri në ligj, apo akt nënligjor duke deformuar edhe vetë sistemin e ri i cili thjesht prek kompanitë në qylin e tyre.
Shikoni për krahasim se çfarë thotë vetë z.Ponari:
Mua nuk më pëlqen ky Bonus-Malus, sepse të fillosh nga zero pas 28 vitesh kur historia e çdo drejtuesi mjeti është e shkruar, nuk është normale. Të gjithë ata që kanë kryer dëme gjatë këtyre 28 viteve, të konvertuara në numër, shkojnë 400 mijë persona, pra shkaktarë dëmesh. Të gjithë këta janë të përjashtuar nga ndëshkimi apo penalizimi, për shkak të kësaj. Sipas AMF në 1 prill 2019 ka nisur dhe do të vijojë të bëhet regjistrimi i dëmeve gjatë gjithë vitit dhe në 2020, kur plotësohet viti, fillon zbatimi i dyanshëm edhe për ata që kanë dëme, edhe për ata që nuk kanë. Në kushtet e Shqipërisë, duhet të ishte ndryshe dhe ideja ime ka qenë historiku minimal, që do të merrej për bazë në Bonus-Malus të ishte 5-vjeçar dhe kompanitë e sigurimit e kanë sot këtë historik
Nëse ka patur kaq shumë dëme, si vallë kompanitë e sigurimeve kanë dalë me kaq të fituara, aq sa sot edhe sipas Autoritetit të Konkurencës kanë krijuar oligopol dhe fiksojnë tarifat? Çfarë ia ka prishur rehatinë kompanive?
Comments
Su ngop Ponarua
Ky ponari su ngop akoma? Po na shkon me teper siguracioni te keta sesa gjithe karburanti i vitit. Matrapaze...
Add new comment