Mjeshtëria unike e Primo Levit

Postuar në 11 Maj, 2019 13:30
Intervistoi: Paolo di Stefano

 

Një vështrim depërtues mbi veprën e Primo Levit nga filologu dhe kritiku italian, Pier Vincenzo Mengaldo. 

 

Ju Mengaldo propozoni një lexim jashtë skemave për “Nëse ky është një Njeri”(përkthyer në shqip nën titullin: A është vallë njeri?”), pra jo vetëm si çelës i dëshmisë dhe narrativës.

“Nëse ky është një Njeri” është teksti më i arrirë i letërsisë për kampet e shfarrosjes. Arsyeja e parë është ekulibri i jashtëzakonshëm mes dëshmisë dhe rievokimit nga njëra anë dhe kapacitetit për reflektim dhe diagnozë nga ana tjetër. Për mua ka më shumë rëndësi aspekti eseistik, interpretimi i prirjeve dhe strukturave të përgjithshme që i japin rëndësi fakteve: elaborimi a posteriori i kujtesës që përfshin një reflektim mbi sjelljen njerëzore.

Pse i kushtoni një rëndësi të posaçme përdorimit të foljes në kohën e tashme?

Narracioni në “Nëse ky është një Njeri” zhvillohet thuajse përherë në të tashmen “historike”, sepse Auschwitz vijon të jetë kërcënues si një pyetje aktuale dhe një plakë përherë e hapur. Vështirë që të thuash për Auschwitz: ishte, ka qenë. E dëshmon shfaqja e Lager në ëndrrën e të mbijetuarve.

Çfarë Ju bën të mendoni se “Armëpushimi” është kryevepra e Levit?

“Armëpushimi” është Odisea e kthimit në shtëpi përmes pelegrinazhit mbi të gjitha rus, një rrëfim i formimit dhe metamorfozave: është era e lirisë, e të resë, suprizës, rigjenerimit. Absolutisht një nga librat më të bukur të pasluftës, me faqet e para të mahnitshme mbi çlirimin e Auschwitz, me pasazhin e ngadaltë dhe solemn të usharëve rusë që ecin në kamp mbi kuajt e tyre…

Por është edhe një libdër shumë i ndryshëm nga i pari…

Është i kundërti i tij për nga ritmi, teknika narrative, stili, përdorimi i folkeve dhe mbi të gjitha atmosfera. Personazhet e “Nëse ky është një Njeri” janë thuajse të gjithë pak djallëzorë, të gatshëm për të qenë banorë të asaj zone gri që më vonë do të jetë shpikja gjeniale e Levit që regjistron korrupsionin në brendësi të kampit. Tek “Armëpushimi” humanizmi i personazheve është më i larmishëm dhe edhe për këtë, më shumë se riveokim autobiografik, dashuroj ta lexoj si një roman pikaresk(që ka në qendër një hero nga shtresa e ulët që jeton në një shoqëri të korruptuar) modern. Dhe nuk duhet harruar asnjëherë titulli: “Armëpushimi” është diçka mes një tragjedie dhe një tjetre që do të vijë.

Vlerësimi juaj për Levin është edhe vlerësim për gjuhën e tij, thelbësore dhe pasur njëkohësisht. Si ia arrin Levi që të ketë këtë rezultat?

Duhet të pranoj që ka diçka disi të nënkuptueshme në libër që është kundërvënia mes linjës Calvino dhe linjës Gadda. Unë preferoj qartazi shkrimtarë si Levi, Calvino, Meneghello apo Parise që e aplikojnë stilin e tyre në brendësi të gjuhës italiane, në të kundërt nga Gadda, që në fakt i ikën përherë, duke e kontaminuar, fryrë, ndarë. Vite më parë kam thënë se Gadda ishte një shkrimtar i madh por jo një narrator i madh: sot jam edhe më pessimist, e njoh si një shkrimtar për filologët. Në fakt ka patur pak fat te lexuesit.

***

Në përgjithësi kritika e vlerësoi vonë Levin. Ju si e shpjegoni?

Është një shkrimtar i ndryshëm nga shkrimtarët profesionistë italianë. Dhe në letërsinë tonë nuk ka asgjë të krahasueshme me “Nëse ky është një Njeri” apo me “Armëpushimi”. Konsiderohej si njeri i një tjetër zanati. Shkrimtari i vërtetë duhet të ishte një shkrimtar i shpikjes. Sot për fat të mirë gjërat kanë ndryshuar. Deri në publikimin e “Armëpushimi”, Levi shikohej thjesht si dëshmitar. Pastaj, përherë e më shumë seriozisht, si shkrimtar me Çelësi yll dhe Nëse jo tani, kur?, për të cilin kurrë nuk kam qenë tifoz.

Si ka mundësi?

Më është dukur një libër ideologjik, një diçka thuajse e pabesueshme për Primo Levin: dëshira për të treguar se ka patur partizanë hebrej.

Në çfarë kuptimi mund të quhet Calvino një model për Levin?

Pas publikimit “Nëse ky është një Njeri”, Levi lexoi Calvinon. Dhe ka ndodhur edhe e kundërta besoj. Raporti mes të dyve duhet studiuar më mirë, edhe pse sot i shoh më mirë ndryshimet dhe është e pabesueshme ta thuash, por gjuha e Levit më duket më e pasur. Te Calvino ka një tharje ekstreme që te Levi është vetëm në dukje. Cesare Cases thoshte se Primo Levi ka gjithnjë “një fjalë më shumë” në dispozicion. Mendoj se në pesëdhjetë vjetorin e tij, Levi ka qenë më i madhi dhe sot e lexoj me më shumë kënaqësi sesa lexoj Italo Calvino.

Calvino ka patur një rol kyç në kulturën italiane.

Ka qenë një shkrimtar i madh, por edhe një teoricien, një intelektual, një këshilltar i shkëlqyer i Einaudit. Edhe Vittorini, që për fat të keq vdiq shpejt, kishte cilësi të mëdha në këtë drejtim. Më pak si shkrimtar, edhe pse kur ishim të rinj e kemi dashur shumë. Si Pavese, që edhe sot nuk arrij ta vlerësoj: duhet të ketë qenë i padurueshëm.

Levi ka lënë një trashëgimi, të paktën në planin e stilit?

Është lexuar shumë, por nuk u bë një mjeshtër i stilit. Nuk arrij të dalloj ndonjë libër bashkëkohor në të cilin të gjurmohet stili i Levit, sepse është një shkrimtar shumë kompleks dhe nuk e kam fjalën vetëm për dy librat e parë….

E tashmja historike e përdorur nga Levi është një e tashme profetike?

Për Levin Auschwitz vazhdon të jetë. Neofashistët dhe neonazistët duhet të përballen me këtë gjë. Që fashizmi të kthehet në formën e fashizmit historik, kjo është e pamundur, por më jep një bezdi të jashtëzakonshme që çdo 25 prill të dëgjoj që edhe republikinët besonin në diçka, pra…Pra hiç, asgjë. Republikinët i përkisnin një regjimi që kishte eliminuar lirinë dhunshëm, pra ose ishin hajvanë, ose kriminelë dhe jo disa të shkretë që besonin në diçka. Rreziku është që të rikthehet diçka e ngjashme që nuk e njeh dhe e fal. Ringjallja e të djathtave ekstreme është nnjë fakt që nuk duhet toleruar dhe duhet denoncuar, e përkufizuar për atë që është. Natyrisht  duke studiuar arsyet e suksesit të tyre.

Burimi: Corriere della Sera

Përshtati shqip(me shkurtime): ResPublica 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.