Takimi i adoleshentëve të Ballkanit
U quajt takimi i liderëve. Samiti i Brdo Brijunit që u zhvillua në Tiranë mblodhi bashkë drejtuesit e Ballkanit Perëndimor në shenjë angazhimi për integrimin.
U miratua një deklaratë, ndërkohë që dy presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiç nuk kanë lënë rast t’u ikë për të bërë deklarata që në fakt lidhen me shqetësimet e tyre personale. Thaçi qenka shqetësuar se Europa po vepron pa SHBA-në, ku me gjasë SHBA janë një tik nervor i shqiptarëve liderë sesa ndonjë arsyetim strategjik.
Presidenti Vuçiç ka shpërthyer në mediat e vendit të vet. Ka thënë pikë e për pe se çfarë u diskutua. Vuçiçit i ka mbetur mendja se Edi Rama dhe Hashim Thaçi ia drodhën prapë; deklaruan se shqiptarët do bashkohen në hapësirën euroatlantike. Po çfarë do të thotë kjo? Një pesë me hiç sepse në hapësirën euroatlantike nëse do të ekzistojë kjo, të gjithë bashkohen me të gjithë.
Vuçiç madje ka treguar se ia ka mbledhur Hashim Thaçit duke i kujtuar se nuk ka gjë në dorë. Se ai varet nga Serbia se ashtu e kështu muhabeti, a thua Thaçit po i rreh vërtet për Kosovën. Davaja e këtyre liderëve që venë e vinë si pordha nëpër brekë nga kanclearia në kancelari iku bashkë me planin e shkëmbimit të territoreve që të tjerë ua ngarkuan, e po të tjerë ua hoqën. Ja Vuçiç vetë nuk bëri një fot me Presidentin Meta që në fakt nuk kursehet për foto, d.m.th del me këdo.
Tani mbetet vetëm të qetësohet Populli dhe për këtë secili vend ka Zërin e vet: Në Serbi Vuçiçi del vetë e sqaron se ka bërë namin, në Shqipëri është ndonjë analist si Mentor Nazarko, inteligjencë superior që të kap fare gafil kur thotë se për ndarjen e Kosovës nuk ka ndonjë dokument që ta provojë. E vërteta paskësh qenë në ABC-në e gazetarisë proceduriale të cilën e mishëron gazetari jurist, studiues dhe analist, Nazarko.
Tri ditë apo dy në Tiranë për të rregulluar imazhin: Edi Rama u fsheh. Xhanëm çudi e madhe që nuk bëri ndonjë shpikej në Facebook apo Instagram njeriu që do të jetë i pari edhe në stallë po të bjerë muhabeti. Sepse tani atij nuk i intereson Vuçiçi dhe Thaçi. Ndaj sa më larg.
Vuçiç u hakërrye se I duhet të tregojë ndonjë gjë në Serbi, Meta është aty për aheng bashkë me Kitaroviçin e Kroacisë, Gjukanoviçi nuk merr seriozisht asgjë në Ballkan dhe ka 30 vjet që duket sikur është 30 vjeç, Ivanovi nuk erdhi fare, Thaçi këputi mufkat për Amerikën. Samit me një deklaratë dhe ca muhabete adoleshentësh qejfprishur. Asgjë më shumë.
Add new comment