Presidenti mbron rektorin
Ilir Meta kthen mbrapsht një tjetër propozim të qeverisë. Kësaj radhe bëhet fjalë për rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, të cilin Presidenti ka refuzuar ta shkarkojë.
Kreu i Shtetit rendit 17 argumenta që provojnë se shkarkimi i Konit është i pambështetur në asnjë dispozitë ligjore. Sipas Metës përpjekja për t’i ngarkuar rektorit Koni, “një përgjegjësi të paqenë jo vetëm që është i pa drejtë, por është keqpërdorur edhe mediatikisht me qëllim që publikut të gjerë t’i përcillet një informacion i rremë, në mënyrë që e gjithë përgjegjësia e mosfunksionimit të sistemit informatik të Universitetit të Tiranës, publikisht t’i transferohet Rektorit të Universitetit të Tiranës”.
Meta thotë se për Konin u hartuan dy raporte nga Ministria e Arsimit, një në kohën e Lindita Nikollës dhe një pas ardhjes së Besa Shahini. Këtu sipas presidentit e ka pikënisjen gjithë prapavija politike për shkarkimin e Konit pasi riaktivizimi i grupi të punës nga Shahini është përtej afateve dhe pa një urdhër tjetër të ministrit që të riaktivizonte këtë grup pune me qëllim rivlerësimin e çështjes.
Meta po ashtu vë në dukje zellin e ministres për t'i shërbyer qëllimit politik të çështjes në shkelje të procedurave."Ministri i Arsimit, ka nënshkruar urdhrin e pezullimit dhe propozimin për shkarkim në datë 12 prill 2019 dhe, për të bërë ditur publikisht këtë vendimmarrje të tij, Ministri i Arsimit më datë 13.04.2019, ditë e shtunë, ka mbajtur një deklaratë për mediat, ndërkohë që, propozimi shkresor zyrtar nuk ishte paraqitur përpara autoritetit të Presidentit të Republikës, pasi ky propozim është dorëzuar në Institucionin e Presidentit të Republikës, ditën e hënë, më 15 prill 2019, administruar me nr.1169 prot., datë 15.04.2019"
Argumentat e Metës për mosshkarkimin e Konit:
- Shkelje procedurale dhe të afateve të përcaktuara;
- Angazhim politik për t’i shërbyer një qëllimi të diktuar paraprakisht;
- Diktim i qartë vullneti nga ana e ekzekutivit;
- Tejkalim të kompetencave nga grupet e punës të kontrollit të ngritura nga MASR;
- Shkelje të mekanizmave dhe parimeve ligjorë e kushtetues;
- Qasje subjektive dhe arbitrare;
- Mungesë, apo neglizhencë të qëllimshme komunikimi ndërinstitucional;
- Cenim të parimeve kushtetuese për një proces të rregullt ligjor;
- Mospërputhje ligjore dhe kundërshtim flagrant me parashikimet kushtetuese;
- Presion të hapur dhe publik, përtej frymës së ligjit, mbi Rektoratin e Universitetit të Tiranës;
- Tjetërsim të qëndrimeve institucionale të pambështetura në prova dhe dispozita ligjore;
- Keqpërdorim mediatik;
- Desinformim të publikut;
- Përpjekje të dukshme për të faturuar gjendjen e sistemit arsimor tek Rektorati i Universitetit të Tiranës;
- Mungesë vullneti dhe adresimi tek organet e drejtësisë për zgjidhje të konflikteve;
- Mungesë e një analize shteruese të problematikave;
- Rrezikshmëri për cenimin e autonomisë tëinstitucioneve të Arsimit të Lartë dhe të lirisë akademike.
Add new comment