Hapin debat tabelat dygjuhëshe në minoritetin grek
Bashkia e Finiqit që i përket pakicës kombëtare greke ka vendosur në rrugët dhe hyrjet e fshtrave që ka nën administrim tabela dygjuhëshe në shqip dhe në greqisht që tregojnë emërtimet përkatëse.
Kjo është hera e parë që kjo e drejtë vihet në zbatim të plotë, pasi më herë tabela dygjuhëshe ka patur vetëm në autostradën Gjirokastër-Kakavijë, në zonën e Dropullit. Në të shkuarën megjithatë shpesh herë emërtimet në greqisht janë fshirë nga organizata apo shoqata patriotike.
Vendosja e tabelave dygjuhëshe bazohet në ligjin 96/2017, ku përcaktohet edhe "përdorimi i gjuhës" në rastin e pakicave kombëtare. Më konkretisht ligji thotë se "Me vendim të organeve të njësive të qeverisjes vendore, kur mbi 20% e personave që u përkasin pakicave kombëtare shprehin një kërkesë që emrat përkatës të njësisë administrative, rrugëve dhe tregues të tjerë topografikë përveç gjuhës shqipe, të emërtohen edhe në gjuhën e pakicës përkatëse, në përputhje me dispozitat ligjore për pushtetin vendor ".
Të parat që kanë reaguar kanë qenë sërish shoqatat patriotike. Lëvizja "Zgjohu Shqiptar" e denoncoi si "një skandal”. Sipas tyre, kjo është një shkelje e qartë, pasi "ligji e shpjegon qartë se gjuha e parë zyrtare është shqipja dhe më pas vijnë gjuhët e tjera” duke shtuar se renditja e emërtimit në greqisht mbi emërtimin në shqip shkel sovranitetin territorial të Shqipërisë.
"Ne shpresojmë të kemi një përgjigje të shpejtë nga shteti shqiptar për këto operacione ekstremiste nacionaliste greke, të kryera në mënyrë të hapur nga kreu i Bashkisë së Finiqit"-thuhet në deklaratën e lëvizjes "Zgjohu Shqiptar".
Add new comment