PD-ja lan duart me një deklaratë për Tufën

Postuar në 30 Prill, 2019 12:22

Nëse do të kuptosh seriozitetin e një partie në një vend si Shqipëria, i ndarë në çdo gjë, shiko sjelljen e saj me historinë. Së fundmi në media është improvizuar një debat për sjelljen e drejtuesit të një institute kërkimor që paguhet me parët e buxhetit të shtetit: Agron Tufës i cili ka publikuar një listë me përfaqësues të Partisë Komuniste, apo pjesëtarë të forcave partizane që i etiketon si kriminelë. Zakoni i vjetër i Partisë Demokratike rikonfirmohet në këtë rast sërish, kur teksa ngre zërin dhe bërtet sa mundet se do bëjë dekomunistizimin, vazhdon e merret me goditjen e Luftës Nacionalçlirimtare.

Zoti Tufa ka bërë kriminel lufte p.sh edhe Kiço Ngjelën, një njeri që nuk e ka kujtuar kush për krime deri më sot. D.m.th për akuza të tilla duhen prova dhe kur vihen emra apo etiketa nga institucione është përgjegjësi e madhe. Po çfarë thotë PD-ja në deklaratën e sotme?

Partia Demokratike denoncon veprimet e Edi Ramës me sulmet ndaj Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ndaj Bordit të Institutit, si dhe ndaj drejtorit ekzekutiv Agron Tufa për shkakun e vetëm, se ky institucion i pavarur po punon për të zbuluar të vërtetën e krimeve të komunizmit. Linçimi publik, fyerjet raciste qe bien ndesh me kushtetutën, kundër drejtuesve të këtij institucioni të pavarur nga bashkëpunëtorë të afërt të Edi Ramës dhe mosdistancimi i tij prej tyre, tregojnë se Edi Rama është organizator i sulmeve. Në këto 6 vite të drejtimit të Shqipërisë nga Edi Rama, enverizmi ka forcuar pozitat e tij në vend. Këngë, filma, dokumentarë, simbole e xheste publike që glorifikojnë diktatorin komunist Enver Hoxha dhe regjimin e tij çnjerëzor, janë kthyer në normalitet gjatë qeverisjes së Ramës.

Sulmi ndaj këtij Instituti është i frymëzuar nga ish-oficerët dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, të cilët kanë marrë drejtimin e Policisë, të Shërbimit Informativ dhe të organeve të reja të drejtesisë. Rilindja e luftës së klasave kundër profesionistëve si Agron Tufa, që po përpiqen të vendosin një tullë në procesin e dekomunistizimit dhe lustracionit të shoqërisë, është pjesë e luftës primitive politike për të goditur çfarëdolloj kritike e opozicioni në vend. E kaluara diktatoriale duhet të zbardhet krejtësisht. Dekomunistizimi i shoqërisë është një prioritet absolut në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Ai nuk duhet të ndalet nga përpjekjet e Edi Ramës për t’i imponuar Parlamentit shkrirjen e të vetmit Iinstitut të pavarur për Studimin e Krimeve të Komunizmit

Lexon një tekst të tillë dhe kupton që në ajo parti është thjesht një hapësirë e mbushur me qenie që recitojnë vetëm një tekst. Në krye të saj është dikush që miraton çdo gjë që shkon kah humorit të çastit, pa menduar aspak se njerëzit seriozë duan diçka më shumë për të kuptuar sesa këto trakte të shekullit të 21-të.

Për Sigurimin e Shtetit fliste edhe Berisha i parë, por pastaj kur rierdhi në pushtet e la atë muhabet. Sot Sigurimi është rikthyer, bashkë me Enverin dhe enverizmin, filmat dhe dokumentarët. Po PD-ja vet çfarë modeli frymëzon? Apo atë të solidaritetit me historianët tanë, shkrimtarët tanë, artistët tanë, të cilët njësoj si PS-ja i presupozon të pagabueshëm sepse në fund të fundit prodhojnë zhurmë që ndan njerëzit në Ata dhe Ne. Meqë e ka kaq merak le t’i paguajë ca truproja Agron Tufës, ose fundja le t’ia caktojë shteti që ta ruajnë nga Spartak Braho dhe Sabit Brokaj. Sa më shumë shpreson dhe njeh ata që kanë hapur dyqanin politik të antikomunistit, aq më shumë e kupton pse fitoi Enver Hoxha dhe pse fiton Edi Rama. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.