Lebra akute që rëndom e quajnë Turizëm*

Postuar në 29 Prill, 2019 13:59
Richard Pine - Drejtor i librarisë Durrell në Korfuz

 

Deri një muaj më parë, shtëpia ime rrethohej në të katërt anët nga ullinj. Tani, ullinj ka në tri anë. Në të katërtën një shesh ndërtimi. Fjala e urtë greke thotë: Të presësh një pemë ulliri është si të vrasësh një njeri. nëse është kështu, atëherë muajin e kaluar një vrasës përi një masakër me sharrë elektrike për të hapur rrugën për ndërtimin e katër apartamenteve për pushim. Shtëpinë time – një bungalou standard i viteve ’70 – e zgjodha kështu pikërisht sepse nuk kishte “pamje” tjetër veç pemëve. E mora këtë vendim sepse si shkrimtar, nuk e dua shpërqendrimin e një pamjeje nga deti, sidomos siç është bregu provokues i Shqipërisë, që duket përballë meje nga veriu i Korfuzit.

Dhe turistët që do të bëhen fqinjët e mirë të përhershëm do të kenë pikërisht këtë pamje: pemët. Jo det, as plazh dhe male piktoreske, apo lugina. Vetëm pemë. Dhe ky nuk është i vetmi zhvillim shqetësues në këtë fshat të qetë, modest dhe larg vëmendjes. Dy premsia janë konvertuar tashmë në airbnb(shërbimi fluturim – krevat – mëngjes), që ndërmjetëson industrinë e re të panormuar që po zëvendëson me shpejtësi parimin bed and breakfast dhe po redukton në mënyrë drastike vlerën e qirave me kohë të gjatë. Kështu në qytet popullsia e stërmadhe studentore në univeristetin Jonian e ka të vështirë të gjejë strehim të përballueshëm financiarisht.

Kjo mund të jetë veçse një pikë në radarin e turizmit kombëtar. Ne jemi në periferinë e periferisë, është pikërisht kjo vendndodhje e humbur që e bën mungesën e planifikimit dhe koordinimit në industrinë greke të turizmit simptomatike.

Korfuzi nuk ka arritur ende në pikën e ngopjes nga e cila po vuan Santorini, por shenjat janë të dukshme. Shkatërrimi i pashmangshëm i kepit të Eremitit, që u kundërshtua pa sukses në Këshillin e Shtetit, është njolla më e madhe në fytyrën e turizmit të këtij ishulli në shumë vjet. Sot, një zonë e paprekur dhe e pazëvendësueshme për nga rëndësia ekologjike, bukuria dhe domethënia social-kulturore, nesër një shezlong betoni. Dhe e gjitha kjo për shkak se agjencia greke e privatizimit bleu sitin dhe me synim balancimin e librave fiskalë, po zhbalancon vetë natyrën.

Në vitin 1987, Gerald Durrell, një nga publicistët më të mirë të Korfuzit, vajtonte atë që po i ndodhte këtij ishulli kaq të dashur:

Kam patur një marrëdhënie të jashtëzakonshme me zemrën. Nisi kur isha tetë vjeç kur rashë thellë dhe pakthyeshmërisht në dashuri me një krijesë të mrekullueshme, e arrirë dhe e bukur. Ajo më dhuroi gëzim, shkëlqim, dashuri dhe qeshje.  Emri i saj ishte Kerkyra, ishulli i Korfuzit. Duke u kthyer së fundmi në të, ishte sikur të të vizitoje gruan më të bukur në botë që vuante nga një rast akut, në mos terminal i lebrës – quajtur rëndom si Turizëm.

Nëse ai do të dinte se çfarë do të ndodhte me kepin e Eremitit – apo edhe për parcelën e tokës ngjitur me shtëpinë time – ai do ta quante këtë diçka më keq sesa lebër. Kjo është edhe më kyçe, sepse turizmi nuk ka vlerë për vetëm 20% të PBB-së dhe të paktën për 20% të krahut të punës, por siç e tha së fundmi ish-ministri Stefanos Manos: “Turistët nuk do të vijnë përgjithnjë sepse të mbash turizmin kërkon investime”.

Jo vetëm investime, por edhe gjykim të ndjeshëm, parashikim të matur dhe angazhim të aftë të burimeve njerëzore, ekonomike dhe kulturore, prej të cilave pak shohim sot. Një gjysmë litri birrë për 1.5 euro është parajsë për sarhoshët rioshë. Por a është ky imazhi që Greqia do të ketë për veten? Thuajse asgjë nuk është bërë në nivel qeveritar për të nxitur dhe mbështetur tregjet e veçanta si turizmi kulturor, sportet dimërore apo festivalet e specialiteteve.

Dueht të kujtohem për nevojën e këtij kontributi të madh për shëndetin financiar të vendit teksa shtyhem të gjej rrugën mes turmës së turistëve japonezë të zbritur nga anijet. Ata nuk do të shohin asgjë nga Korfuzi “real” dhe do të shpenzojnë për asgjë në nivel lokal gjatë ndalimit të tyre tetë orësh, por statistikisht të paktën, ata janë një pjesë kryesore në ekonomi.

Ia kujtoj vetes këtë sepse shumë prej miqve të mi nxjerrin të ardhurat sezonale nga turizmi në një mënyrë apo në një tjetër – tavernat, dyqanet, qiratë e makinave dhe vilave dhe bëhen sërish njerëz në muajt e dimrit. Mikja ime më e ngushtë do të zhduket për katër muajt e ardhshëm sepse puna e saj me turistët kërkon që familja, miqtë dhe vetë stina e verës të kalojnë në vend të dytë në mënyrë që të nxirret jetesa. Ajo që thotë Manos është domethënëse sepse, ndonëse turizmi është një burim i madh të ardhurash, është po ashtu i ekspozuar.

Verën e shkuar në Korfuz kriza e plehërave ishte aq akute saqë shumë vizitorë të rregullt nuk erdhën për shkak të malit me mbetje të pambledhura dhe erës së keqe. Dhe kjo krizë do të rishfaqet këtë sezon sepse problemi nuk është zgjidhur. Dhe ndërkohë buldozerët do të lëvizin drejt kepit të Eremitit për të kirjuar fitime për një konsorcium amerikan.

Ky mund të jetë një problem vendor, por është një shenjë e mungesës së kujdesit, planifikimit dhe gjykimit racional që kërcënon t’i hapë rrugë një serie fatkeqësish që janë nga pikëpamja ekologjike, sociale dhe në fund ekonomike një katastrofë për burimin kryesor të të ardhurave nga jashtë për Greqisë dhe në sytë e shumëkujt, arsyeja e saj për të jetuar. Ajo që thotë Manos ka kuptimin se turizmi është mbrojtja dhe shpëtimi i ekonomisë greke, e vetmja që nuk ka kufizime dhe shtrëngime. Por me ndryshimin e klimës, asnjë ministër turizmi nuk mund të garantojë shkëlqimin e diellit apo birrën e lirë.

Burimi: Kathimerini

*Përkthimi dhe titulli: ResPublica

Shënim: Shkrimin në fjalë po e sjellim si shembull të dobishëm të kritikës për një sektor që po njeh rritje të shpejtë edhe në Shqipëri. Por një rritje kaotike dhe që të paktën në rastin e Sarandës dhe tani së fundmi me fshatrat turistikë të klientëve të pushtetit, po shoqërohet me një goditje të parikuperueshme urbanisitike, mjedisore dhe ç’është po kaq e rëndësishme edhe historike. Sepse qytetet, qytezat, por edhe ullinjtë e përdhosur, përçojnë edhe ato kujtime të njerëzve, të cilët janë po këta që ua shtojnë shkëlqimin dhe vlerën emocionale, kaq shumë të brutalizuara dhe asgjësuara me industrinë e betonit që nuk njeh asnjë ndalesë. Korfuzi është i paarritshëm për Shqipërinë dhe ka arsye të shumta për këtë. Por Shqipëria mund të shpëtojë nga problemet e mëdha të modelit grek të turizmit duke ruajtur atë që e ka të vetën, jo të rendë pas betonierëve, uniformizimit urbanisitik të Rilindjes Urbane që po i jep një ngjyrë, një shije dhe më e keqja Një audiencë “qytetare” të vetme një bregu të Jonit që kaq shumë fort ka shkëlqyer me dallimet e veta, origjinalitetin, ashpërsinë karizmatike të njerëzve dhe për ata që e njohin edhe erën karakteristike të shtëpive dhe ambienteve që sot po bombardohen me artilierinë efektive të betoniereve të Tiranës.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Brenda 10-20 vjetesh ka mundesi te kemi diktature ne Europe, per ta pastruar nga plehrat!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.