Suksesi i një "qeverisjeje digjitale" që përgënjeshtron demagogjinë e "bashkëqeverisjes"

Postuar në 26 Prill, 2019 12:47

Më kujtohet fundi i viteve 1990 kur isha këshilltare e kryeministrit të atëhershëm. Si vend i vogël dhe  ende shumë i varfër, ne kuptuam se mundësitë tona ishin në dy megatrende - IT dhe gjenetika 

Kështu shprehet në një intervistë për revistën gjermane “Der Spiegel”, presientja e Estonisë Kersti Kaljulaid, e cila shpjegon përvojën unike të transformimit të një vendi falë reformave. Sepse siç dihet reformat kur bëhen seriozisht dhe janë të studiuara, japin rezultate dhe krijojnë kushte për korrigjim. Estonia ka krijuar një ekonomi dhe administratë dixhitale, duke e bazuar suksesin e saj në ecjen përpara përmes adaptimit strukturor të teknologjisë. Estonia nuk bashkëqeveriset, ajo qeveriset, duke ofruar shërbime për qytetarët përmes metodave të reja. Nuk ka asnjë vend që I afrohet për momentin, por është e kapshme dallimi mes demagogëve të “botës moderne” që gdhihen e ngrysen me tastierë në dorë dhe atyre që shohin se kanë përgatitur vendin e tyre për kohët e reja. Më poshtë intervista: 

Estonia, me 1.3 milion banorët e saj, ka krijuar katër kompani të reja me vlerë më shumë se një miliard dollarë secila. Gjermania është 60 herë më e madhe, por për momentin ka vetëm nëntë të tilla.

Me gjithë respektin që i takon e duhur, pika jonë e referimit nuk është Gjermania, por San Francisko dhe zona e Kalifornisë në tërësi. Dhe madje edhe në të krahasim me to, ne mund të jemi krenarë për shifrat në raport me popullsinë.

A mos thjesht janë sipërmarrësit estonezë më krijues?

Më pak se te kreativiteti i sipërmarrësve, dallimi qëndron te qeveria. Kjo e jona është më inovative.

Tingëllon si "politikë aktive industriale" që ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmaier, dëshiron ta ndjekë. A duhet shteti të sigurojë risi?

Oh jo! Ne estonezët besojmë në tregjet e lira. Detyra e qeverisë është të krijojë një kornizë ligjore moderne – për pjesën tjetër duhet të mendojë sektori privat. Sektori publik nuk duhet të jetë në asnjë mënyrë lider në teknologjitë e reja. As nuk mundet. Kjo tani mund të shihet edhe në fushat që kanë qenë prej kohësh domein i shtetit, siç është teknologjia ushtarake. Edhe ato po zhvillohen gjithnjë e më shumë nga kompanitë private. Google është lider botëror në inteligjencën artificiale, shumë në pararojë krahasuar me të gjitha agjencitë qeveritare dhe qeveritë. Shtetet nuk mund të bëjnë hulumtimin dhe zhvillimin e tyre, por duhet të garantojnë që ato të mund të marrin pjesë në këto zhvillime dhe, kur është e nevojshme, t'i përdorin ato ushtarakisht.

Cili është përkufizimi juaj për qeverisjen inovative?

Më kujtohet fundi i viteve 1990 kur isha këshilltare e kryeministrit të atëhershëm. Si vend i vogël dhe  ende shumë i varfër, ne kuptuam se mundësitë tona ishin në dy megatrende - IT dhe gjenetika. Kështu që ne krijuam Fondacionin e Gjenomit Estonez me financim fillestar prej 3 milionë euro për të përmirësuar shëndetin e popullsisë sonë dhe për të zvogëluar shpenzimet. 20% e estonezëve do të ken përdorur shërbimin tonë të analizës së ADN-së deri në fund të këtij viti dhe do të dimë se nga cilat sëmundje janë të rrezikuar dhe se si mund të marrin masa paraprake të përshtatshme. Unë vetë kam një rrezik të shtuar të diabetit të tipit 2, siç kam marrë vesh nga analiza ime. Kështu që unë di se duhet të shmang shtimin në peshë.

Estonia njihet si një vend ku lindin kompani të reja që lidhen me teknologjinë dhe një pionier i administratës moderne dixhitale. Ngritja e një kompanie, pagimi i taksave, regjistrimi i një makine, kontrollimi i të dhënave shëndetësore – ju mund t’i bëni të gjitha këto në internet. Sa para Gjermanisë jeni?

Është e lehtë të matet: Ne kemi prezantuar kartën e identitetit dixhital në vitin 2000. Më pas u deshën 6-7 vjet që një masë e konsiderueshme qytetarësh ta përdorte atë. Në Gjermani, futja e funksioneve të e-pasaportës së informacionit ka filluar vetëm kohët e fundit. Pra, po flasim për një interval prej gati 20 vjetësh. Kur filluam, ne as nuk e kishim ëndërruar këtë. Në atë kohë, ne menduam se mund të ishim të parët për një periudhë 3-vjeçare, më e shumta pesë. Nuke prisnim që ekonomitë e mëdha t’i lejonin vetes të mbeteshin kaq mbrapa në dixhitalizim.

A ka ky dixhitalizim i jetës së përditshme të estonezëve efekte ekonomike të matshme?

Mundësia e marrjes së dokumenteve dhe dosjeve administrative në mënyrë elektronike na kursen rreth 2 përqind të prodhimit tonë të brendshëm bruto (PBB/GDP) çdo vit. Kjo është afërsisht e barabartë me shpenzimet tona të mbrojtjes. Megjithatë, ne gjithashtu investojmë rreth 1 për qind çdo vit për të zhvilluar më tej shërbimet tona qeveritare në internet. Dhe ne duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

A është ende e nevojshme ta reklamoni pozicionin tuaj si lider në Europë në këtë aspekt?

Kërkesat e qytetarëve tanë po rriten. Për shembull, ata duan që shteti t’i informojë ata në mënyrë aktive paraprakisht nëse pasaporta e tyre apo dokumente të tjera zyrtare do të skadojnë së shpejti. Shumë gjithashtu nuk e kuptojnë pse duhet të aplikojnë për përfitime të caktuara. Një skemë përfituese për njerëzit e moshuar është tashmë e disponueshme për këtë arsye, në bazë të provës, që të sigurohet automatikisht pa një aplikim. Qytetarët as nuk kanë nevojë të dinë se kanë të drejtë për të. Investimet tona janë para të shpenzuara mirë. Ne kemi vërejtur se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në veçanti përfitojnë shumë. Dhe dixhitalizimi gjithashtu ka efekte anësore pozitive në aspektin social.

Në çfarë mënyre? Shumë njerëz kanë frikë se kjo do të çojë në ndarje sociale.

Kur zgjodhëm të besonim te dixhitalizimi i administratës në vitet 1990, e bëmë këtë sepse estonezët donin përfitime sociale si në vendet nordike. Ne nuk mund ta përballonim financiarisht një gjë të tillë. Kjo është arsyeja pse ne të paktën donim ta bënim më të lehtë dhe më të përshtatshme që qytetarët të kishin akses në burimet dhe shërbimet në dispozicion të tyre. Janë kryesisht gratë ato që përfitojnë nga kjo, sepse edhe në Estoni janë ato që kryesisht kujdesen për fëmijët dhe për të afërmit që kanë nevojë për kujdes. Ata fitojnë shumë kohë duke reduktuar burokracitë, kështu që dixhitalizimi ka një efekt shoqëror harmonizimi dhe balancimi.

Ekonomia e Estonisë është në rritje të vazhdueshme prej vitesh, por sektori i IT përbën më pak se 10 për qind të ekonomisë së përgjithshme. A e kanë mbivlerësuar njerëzit mrekullinë dixhitale të Estonisë?

Jo, sepse dixhitalizimi po përhapet në të gjithë sektorët. Merrni p.sh. operacionet tona pyjore shtetërore. Ata përdorin një teknologji të dhënash të zhvilluar në Estoni. I gjithë stoku ynë i drurit është përfshirë, dhe nëse blini një tryezë druri, ju mund të në cilën pjesë të vendit është rritur ai lloj druri. Megjithatë, rritja e produktivitetit nuk është regjistruar në sektorin e IT, por në industrinë e drurit, dhe është po aq e tillë edhe në sektorë të tjerë. Por e vërteta është se ne po ecim shpejt në drejtim të produktivitetit, por shumë kompani gjermane janë shumë përpara nesh në këtë aspekt.

A mos po bëheni shumë të varur nga IT me përpjekjet tuaja të dixhitalizimit? Në fund të fundit, sulmet kibernetike pothuajse e paralizuan vendin tuaj në disa raste në vitin2007. Tashmë disa po flasin për luftën e parë kibernetike.

Po, kështu ndodhi. Në atë kohë, nga pakica ruse në vend pati demonstrate, gjatë të cilave u thyen xhama dritaresh dhe u dogjën makina. Dhe këto sulme kibernetike nga pala ruse i shoqëruan këto demonstrata. Që atëherë, ne i kemi mbrojtur sistemet tona edhe më mirë, por ne, si shtete, në fund të fundit na duhet një marrëveshje ndërkombëtare për t’i rregulluar këto konflikte. Çaktivizimi i internetit vështirë se mund të ishte zgjidhja. Mashtruesit dhe keqbërësit mund t’i gjesh në internet si edhe në rrugë - dhe deri më tani asnjë qeveri nuk i ka hequr rrugët për t’i shmangur. 

/Përgatiti: Gazmira Sokoli/TemaTv  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.