Sëmundja e pashërueshme e Brukselizimit

Postuar në 26 Prill, 2019 15:13
Alicja Gescinska - filozofe belge

 

Asgjë spektaktolare, mud të mendojë dikush. Çdo ditë fotografi të shumta bëhen virale në rrjet, por ditën tjetër ato harrohen. Kjo megjithatë vazhdon të mbetet në mendjen time, pasi tregon historinë e më shumë sesa thjesht një shtëpie. Është emblematike për “mallkimin e Brukselit”, sëmundjen kronike nga e cila kryeqyteti ynë i mrekullueshëm nuk duket se do të shërohet: shkatërrimi i vetëimponuar i trashëgimisë së tij arkitekturore.

Filozofia e mohimit

Shkatërrimi i ndërtesave të bukura në Bruksel ka qenë kaq endemik, saqë i ka dhënë jetë një neologjizmi: verbrusseling/bruxellisation. Brukselizimi. Termi përdoret në mënyrë pezhorative, për të referuar zhvillimin e pakontrolluar të qytetit në periudhën e pasluftës: shkatërrimin e ndërtesave historike dhe ndërtimin të rejave, moderne, të përgjithshme dhe pa karakter. Në veçanti, ndërtesat e art nouveau, vuajtën shumë nga dëshira shkatërruese e arkitektëve të pasluftës, të cilët bënë të vetën doktrinën se “ornamenti është krim”.

Është shastisëse që dikush të dalë me idenë e prishjes së Maison du Peuple të Victor Hortës dhe zëvendësimin e saj me Tour Sablon. Sjellja  laissez-faire e bashkive është pak ta quash tronditëse. Filozofia e mohimit dhe mungesa e respektit për trashëgiminë tonë arkitekturore  e ka çjerrë fytyrën e kryeqytetit tonë përgjithnjë.

Mohim i filozofisë

Arkitektura është një pjesë kaq e rëndësishme e jetëve tona, aqë asnjë sjellje neglizhuese(laissez-faire) nuk është e justifikueshme ndonjëherë. Mënyra sesi ne ndërtojmë, është mënyra sesi ne jetojmë, si mendojmë, është pra mënyra sesi ne jemi. Nëse ndërton apartamente depresivë kullash të tmerrshme, nuk është çudi që njerëzit që jetojnë aty do të kalojnë në depresion.

Ndërtesa afektojnë thellësisht emocionet dhe mendimet tona e megjithatë pak filozofë e kanë trajtuar këtë lëndë. Platoni e pëmend atë dhe Hegeli ndalon tek ajo, sikurse ndalon në çdo gjë. Ëittgenstein, që ishte një arkitekt amator, kishte gjëra interesante për të thënë, sikurse Heidegger, që na tregoi se ndërtesat dhe banesat janë në fund të fundit e njëjta gjë. Por sot filozofia e arkitekturës as nuk mësohet në shkolla të filozofisë apo të arkitekturës dhe një filozof që i ka dedikuar të gjitha energjitë e veta kësaj çështjeje – filozofi britanik Roger Scruton – stigmatizohet vazhdimisht në shtypin e specializuar të kësaj fushe.

Forma dhe funksioni

Forma ndjek funksionin, kështu shkrujti arkitekti amerikan Louis Sullivan. Është një nga parimet kyç të arkitekturës moderniste dhe aplikimi i zellshëm i këtij parimi ka çuar në braktisjen e kriterit estetik, me besimin se e bukura nuk është qëllim, por nënprodukt. Nëse mendoni për funksionin dhe mohoni formën, gjithësesi, do të përfundoni duke ndërtuar ndërtesa të deformuara që shpejt e humbasin funksionin e tyre, përderisa askush nuk do të donte të jetonte apo punonte në to. Në të vërtetë nuk është forma që ndjek funksionin, por e kundërta. Sepse funksioni i vërtetë i arkitekturës – të gjithë kësaj fushe dhe jo vetëm arkitekturës që ndërton për një qëllim të caktuar – është të krijojë një vend për jetën e njeriut. Ndërtesat e mira i bashkojnë njerëzit përreth vendit ku ndodhen. Ato frymëzojnë një dashuri për të gjërat që të qarkojnë dhe një dashuri e tillë është e nevojshme, sikurse është po ajo që motivon njerëzit të kenë kujdes për botën ku jetojnë sot. Si mund të presësh që njerëzit të kenë kujdes për mjedisin nëse ai konsiston në rresht të pafundëm ekranesh xhami pa fytyrë?

Sharm dhe inperfeksion

Pavarësisht të gjitha gabimeve që janë bërë, Brukseli vazhdon të jetë, për mua, një nga qytetet më tërheqëse në Europë. Ndoshta pikërisht për shkak të të gjitha inperfeksioneve të tij. Sepse siç ka thënë filozofi francez I muzikës, moralisti Vladimir Jankélévitch, nuk ka sharm te perfeksioni. Perfeksioni shpesh përfshin një beauté paresseuse(bukuri dembele), një lloj të mërzitshëm bukurie që ushqen indiferencën më shumë sesa frymëzimin.

Ka një kufi megjithatë të inperfeksioneve që një qytet mund të tolerojë. Sigurisht, është koha për bashkitë tona që të këmbëngulin në ndërtesa që pasqyrojnë shoqërinë që duam. Qeveria britanike ka ngritur së fundmi një komision për të ekzaminuar sesi të rikthehet e bukura në mjedisin e ndërtimit. Dhe ata kanë caktuar filozofin e arkitekturës, Roger Scruton si kryetar. Nisma sigurisht që duhet duartrokitur. Dy vitet e fundit duket të kenë qenë një kurs përplasjeje për Britaninsë sesi nuk duhet qeverisur dhe se çfarë politika nuk duhet të jetë. Por kur vjen puna te një komision për arkitekturën, bukuria dhe planifikimi urban, shembulli britanik meriton të ndiqet.

Burimi: The Brussels Times

Përkthimi dhe titulli: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.