Rehabilitimin e bën shoqëria jo historianët

Postuar në 13 Prill, 2019 19:46

Kolaboracionistë apo nacionalistë?! Bashkëpunim me armikun kundër interesave të atdheut, apo zgjedhje për të mirën e vendit?! Pikëpyetje të tilla mund të ngrihen për shumë figura të njohura të historisë shqiptare, të cilët jo rrallë etiketohen si kolaboracionistë dhe stigmatizohen, ndërsa here të tjera ndodh të rehabilitohen shumë lehtësisht. Shoqëria shqiptare është gjendur shpesh mes debatit përballë figurave të ndryshme të ashtuquajtura kolaboracioniste, për të cilat duket se ka ende për të zbuluar.

Por çfarë është kolaboracionizmi dhe a ka historia shqiptare një vështrim të ri mbi kolaboracionistët?!

Pas përfundimit të Luftës Dytë Botërore, në fjalorin politik hyri në përdorim nga frëngjishtja një term i ri – kolaboracionizëm. Fillimisht me këtë fjalë nënkuptohej bashkëpunimi i qeverisë franceze të Vishisë me pushtuesit gjermanë, por më vonë filloi të përdorej edhe për qeveri të tjera evropiane, organizata ushtarake apo persona të  veçantë që kishin bashkëpunuar me pushtuesit gjermanë, italianë apo japonezë ose kishin vepruar nën kontrollin e drejtimin e tyre, për interes të pushtuesit. Krahas tij, filloi të përdorej edhe fjala “kuisling”, që vinte nga emri i ish kryeministrit të Norvegjisë, gjatë periudhës së pushtimit gjerman. “Kolaboracionistët” u quajtën tradhtarë të atdheut.

Sipas interpretimit juridik të së drejtës ndërkombëtare, kolaboracionizmi është bashkëpunim i ndërgjegjshëm, i qëllimshëm dhe vullnetar me armikun, për interes të tij, në dëm të shtetit dhe popullit të vet. Në kohën e sotme, në kodin penal të shumicës së vendeve të botës, kolaboracionizmi klasifikohet si tradhti kombëtare. Ndërkohë, një pjesë e mirë e kolaboracionistëve (jo vetëm në Shqipëri) bashkëpunimin me pushtuesin e kanë përligjur si vepër në “shërbim të atdheut”, ndërsa motivet e bashkëpunimit kanë qenë të ndryshme. Por ndërkohë që në shumë vende ‘kolaboracionizmi’ dhe veprimtaria e kolaboracionistëve konsiderohet tashmë si diçka e trajtuar dhe e tejkaluar, në Shqipëri ka ende shumë për të bërë dhe duhen akoma studime në këtë drejtim.

REHABILITIMI I MID’HAT FRASHËRIT

Por cila është përgjegjësia e Mid’hat Frashërit dhe çfarë mund të thuhet për rehabilitimin e figurës së tij, që ka ngjallur shumë debat, sidomos pas rikthimit të eshtrave në Shqipëri. Por, ku dallon rehabilitimi i Mid’hat Frashërit me rehabilitimin e bërë Aliozo Stepinac (Aloysius Viktor Stepinac) në Kroaci?

QASJA ARKIVORE DHE DOKUMENTET

Sipas historianit Hamit Kaba ka me dhjetëra dokumente arkivore nga arkivat britanike, amerikane për rezervat e tyre ndaj Ballit Kombëtar , si dhe një lloj rezerve ndaj rezistencës së popullit shqiptar. Pas Luftës së II Botërore ndodhën ngjarje të tilla që nuk i dënuan figurat kolaboracioniste. Sipas Kabës një pjesë e mirë e këtyre njerëzve që patën probleme gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas Luftës qëndruan në kampe të caktuara, sidomos në Itali dhe u deshën disa vite derisa të pranoheshin nga shoqëritë perëndimore.

Ndërkohë një pjesë e figurave kolaboracioniste ngjan se ceken apo trajtohen ose me stigmatizimin e periudhës së Enver Hoxhës, ndërsa në disa raste të tjera bëhen rehabilitime të pajustifikuara. E vërteta është se mbi këto figura nuk është hedhur dritë sa duhet, edhe pse janë mbledhur dhe zbuluar fakte të reja. Studimet e mirëfillta historike shqiptare në këtë drejtim duan shumë përkushtim dhe angazhim edhe nga ana financiare. Pavarësisht kufizimeve, interesi i studiuesve në këtë drejtim nuk mungon.

DIVIZIONI SKËNDERBEU

Një rast interesant për t’u përmendur është i ashtuquajturi Divizioni Skënderbeu, një divizion i themeluar nga gjermanët dhe tepër i vlerësuar, sipas prof. Kabës në Kosovë. Por ku dallon ky divizion në raport me lwvizjen e Ballit dhe çfarë bën diferencën mes këtyre dy organizimeve?! 

PRAGMATIZËM APO IDEOLOGJI?!

Ndërsa flasin për figurat kolaboracioniste, shtrohet pyetja nëse kolaboracioni i tyre ishte pragmatik apo ideologjik dhe cilat janë aryset që kanë çuar këto figura në bashkëpunim me pushtuesin. Për ta përmbyllur, nëse shumë politikanë e popuj kanë bërë vlerësimin e figurave kolaboracioniste dhe nacionaliste, dhe kanë dënuar të parët me heshtje dhe harresë, në Shqipëri nuk është bërë ende vlerësimi dhe njohja e duhur e këtyre figurave. Por, nëse vlerësimi i tyre pritet të bëhet nga studiuesit dhe historianët, rehabilitimi ose jo i tyre, i cili zakonisht vjen si një zgjedhje politike, duhet të bëhet nga shoqëria.

TemaTv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.