Hetim tregut të taksive në Tiranë. Drejtoria e Metrologjisë "ndalon" uljen e çmimit
Autoriteti i Konkurencës ka vendosur në datën 11 prill që të hapë hetim për situatën e konkurencës në shërbimin taksi në Tiranë. Shkak për këtë vendim është bërë ankesa e disa subjekteve përkundrejt një subjekti tjetër që ka hyrë në treg me tarifa më të ulëta. Subjektet janë ankuar se ulja e çmimit nën 250 lekë për 1.5 km e para cenon konkurencën, ndërkohë që subjekti i ri pretendon se i është refuzuar kalibrimi i taksimetrit poshtë tarifës 250 lekë me arsyetimin se kjo përbën shkelje ligjore dhe dëmton konkurencën me operatorët e tjerë.
Autoriteti vëren se:
Në zbatim të ligjit nr. 8308, datë 18.03.1998 “Për transportet rrugore”, i ndryshuar, dhe udhëzimit të përbashkët të MPPTT (sot MIE) dhe MF, nr. 1726/3, datë 21.04.2008 “Për caktimin e çmimeve dhe tarifave në shërbimin taksi”, Këshilli Bashkiak i Tiranës me vendimin nr. 3, datë 30.03.2009 “Mbi caktimin e çmimeve dhe tarifave në shërbimin taksi të qytetit të Tiranës”, të ndryshuar, ka miratuar çmimet dhe tarifat maksimale (tavan) të shërbimit taksi (4+1 vende dhe 8+1 vende), poshtë të cilave subjektet taksi do të operojnë.
Referuar sa më sipër, ndërmarrjet që ofrojnë shërbimin taksi brenda territorit të Bashkisë Tiranë duhet të aplikojnë tarifa jo më ta larta se niveli tavan i përcaktuar në VKM nr. 3, datë 30.03.2009, të ndryshuar, dhe në bazë të Udhëzimit nr. 1726/3/2008, taksistët janë të lirë që të kalibrojnë taksimetrat e tyre me tarifa poshtë vlerës maksimale duke zgjedhur tarifa më të ulëta, si dhe t’u japin klientëve mundësinë e negocimit për uljen e këtyre pagesave. Nga shqyrtimi dhe vlerësimi i ankesave dhe kërkesave të paraqitura, si dhe informacionit të depozituar lidhur me to, rezulton se, pavarësisht se taksistët janë të lirë që të kalibrojnë taksimetrat e tyre me tarifa poshtë vlerës maksimale (tavan) të miratuar, duke zgjedhur tarifa më të ulëta, pothuajse të gjitha ndërmarrjet që operojnë në tregun e transportit të udhëtarëve me taksi (4+1 vende) në qytetin e Tiranës, zbatojnë tarifën fillestare tavan prej 250 lekë për 1.5 km e para
Pra Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë ka refuzuar kalibrimin e taksimetrit sepse operatori duke ulur çmimin dëmton konkurencën, ndërkohë që e ashtuquajtura konkurencë ka normuar një tarifë të njëjtë çka provon se operatorët veprojnë në kushte koordinimi. E pabesueshmja këtu është sesi mund të ndalohet dikush të ulë çmimin nëse ka përmbushur të gjitha kërkesat e tjera të ligjit për t’u liçencuar. Si vallë do të kryhet modernizimi i shërbimeve dhe mjeteve në kushtet kur ente të specializuara qeveritare veprojnë në kundërshtim me çdo logjikë dhe nevojë të shoqërisë.
Duhet parë përfundimi i hetimit, pasi një vit më parë sindikata e taksive protestoi kundër kryebashkiakut Erjon Veliaj, që e akuzonin se po favorizonte operatorë të caktuar. Fjala ishte për kompani që kanë futur në treg makina elektrike, por në kuptim të akteve juridike dhe ligjore është e paqartë sesi mund të ndalohet një gjë e tillë, ndërkohë që operatorët e tjerë do të duhet të bëjnë zëvendësimin e mjeteve.
Add new comment