Zv.ambasadori i SHBA: Korrupsioni ka kapur doganat dhe portet
Dhoma Amerikane e Tregëtisë publikoi Indeksin e besimit të biznesit për vitin 2018. Ndryshe nga viti i kaluar, kur taksat ishin shqetësimi kryesor i biznesit, ky tregues ka shënuar përmirësim. Treguesi më negativ është perceptimi i bizneseve se ecuria e ekonomisë nuk ka qenë pozitive.
Sipas tyre performanca e ekonomisë shqiptare është përkeqësuar, ku shqetësimi është monopoli dhe konkurrenca e pandershme, me një përkeqësim prej gati 4 pikësh. Për herë të parë, klima e brendshme politike është paraqitur si shqetësimi i tretë më i madh i bizneseve të dhomës amerikane. Kreu i Dhomës Amerikane, Mark Kroford foli për një përmirësim të dukshëm në nivelin e taksave, reduktimin e burokracisë dhe ekonomisë informale.
“Vë re se anëtarët citojnë korrupsionin, konkurrencën e pandershme dhe ekonominë informale si shqetësimet kryesore në raportin e këtij viti”- shkruan e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane, znj. Leyla Moses-Ones, në përshëndetjen që ka bërë në këtë publikim. “Kam besim se reforma gjyqësore, në momentin që do të zbatohet, do të kërkojë një klimë biznesi të drejtë dhe të parashikueshme, pa korrupsion, që do të nxisë më shumë kompanitë amerikane të investojnë në Shqipëri, duke ndikuar në rritjen e indeksit në vitet në vijim”- shtoi ajo.
Ndërsa Zv/ ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Daniel Koski tha se korrupsioni në porte dhe kontrolle kufitare në Shqipëri mbetet një ndër faktorët më problematik për investitorët e huaj. “Korrupsioni në porte dhe në pikat e kontrollit kufitar është një nga faktorët më problematikë për investitorët dhe tregtinë ndërkombëtare”-tha Koski.
Add new comment