Yes, Sir!

Postuar në 12 Prill, 2019 19:02

Takimi i radhës mes kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe homologut të tij grek Tsipras u zhvillua në kuadër të formatit që imponoi samiti i Dubrovnikut, ku në fokus ishte bashkëpunimi i 16+1 i vendeve të Europës Juglindore me Kinën.

Ky takim vjen pas telefonatës së pak ditëve më parë, ku Tsipras i bëri të qartë kreut të qeverisë shqiptare se lojrat me pronat e minoritetit mund t’i kushtojnë veton Shqipërisë në samitin e Qershorit për çeljen e negociatave.

Kjo solli ndryshimin e VKM-së 176 për regjistrimin e pronave në bregdet dhe një hap mbrapa të qeverisë shqiptare dhe kreut të saj. Burime diplomatike në Athinë, thanë se takimi zgjati gati një orë dhe u zhvillua në një “klimë shumë pozitive”. Ka qenë një rast i mirë që kryeministrat e dy vendeve fqinje të ridiskutojnë mbi problematikat dypalëshe, në kohën që negociatat zyrtare midis Athinës dhe Tiranës qëndrojnë të ngrira që prej gati një viti.

Sipas burimeve, Tsipras ka nënvizuar se, krahas realizimit të reformave të nevojshme,  Athina konsideron si kriter bazë për hapjen e negociatave respektimin e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Në këtë kuadër, Tsipras e Rama kanë diskutuar për çështjen e pasurive të minoritarëve, por edhe për aktet zbatuese të ligjit mbi minoritetet që u miratua para disa muajsh. Mediat greke lanë të kuptihet se Rama hapi krahun duke u zotuar të përmbushë të gjitha detyrimet që lidhet me të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri.

Një tjetër çështje që u diskutua gjatë takimit lidhej me rishikimin e teksteve shkollore të historisë dhe çështjen e varrezave. Gjatë më shumë se katër viteve që ndodhet në pushtet Aleksis Tsipras ka vizituar apo pritur kryeministrat e gjithë vendeve të rajonit, me përjashtim të Kosovës, që Athina nuk e ka njohur zyrtarisht si shtet të pavarur.

E vetmja vizitë e munguar është ajo e zotit Tsipras në Tiranë apo anasjelltas, e kryeministrit Edi Rama në Athinë. Por analistët grekë vërejnë se, pavarësisht mungesës së një vizite të tillë, është e rëndësishme që dy kryeministrat i mbajnë hapur urat e komunikimit, qoftë dhe “në fushë asnjanëse”...

Për takimin pati dhe një njoftim të qeverisë shqiptare ku thuhet se “biseda mes kryeministrave shqiptare dhe grek u përqendrua në reformat e ndërmarra nga Shqipëria me synim hapjen e negociatave me Bashkimin Europian si edhe në nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve dypalëshe jo vetëm në rrafshin politik e të fqinjësisë së mirë, por edhe në shkëmbimet tregtare dhe investimet e huaja”.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nuk eshte problemi "yes" ser, por problemi eshte qe shteti shqiptar sheh tek zona e Rivieres shqiptare (Bregut) nje potencial te madh per para, qe te laje borxhet. Per kete i duhen ligje mbi ligje, qe te nderhyje si te doje dhe tek kush prone te doje e t'ua jape ate investitorve te huaj apo vendas. Pronari mijravjecar te lepij gishtat!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.