Edhe Opozita serbe vendos 13 prillin si ultimatum për qeverinë serbe
Opozita serbe i ka vënë ultimatum qeverisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, ndaj të cilëve kërkon dorëheqjen deri në datën 13 prill. Në një dalje për mediat, kryeministra e Serbisë, Ana Brnabiç, ka hedhur poshtë kërkesën duke shtuar se ajo nuk do t’i nënshtrohet ultimatumeve.
Ka një përkim të befasishëm mes datës finale të caktuar nga opozita serbe dhe protestës që planifikohet të mbahet në Tiranë më 13 prill. Është pak e vështirë të spekullohet se kjo është thjesht një rastësi. Protestat në Tiranë dhe në Beograd po zhvillohen ndaj dy politikanëve që janë investuar për ndryshim kufijsh në Ballkan, në emër të një marrëveshjeje të re paqeje. Kësaj i duhet shtuar se rezistenca e kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj, nuk ngjan të jetë shprehje e kokfortësisë, por një qëndrim që ka nga pas aktorë të rëndësishëm.
Pak kohë më parë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç u ankua publikisht se Haradinaj qëndron pas protestave në Serbi dhe se ai e kishte nënvlerësuar atë që e quajti kërcënim të kreut të qeevrisë së Kosovës. Por në fakt duket se mesazhi i presidentit serb kishte tjetër adresë. Në një shkrim të fillimit të këtij muaji në gazetën serbe “Blic”(7 mars), qarkulluar edhe nga agjencia “B92”, hidhej ideja se Britania e Madhe qëndron pas Haradinajt, ndërkohë që SHBA mbështet presidentin Hashim Thaçi. Po aty theksohej se politika britanike i kundërvihet hapur asaj amerikane kur vjen puna për korrigjimin e kufijve.
Ky dualitet shpjegon më mirë pse përplasja në çështjen e taksës ndaj mallrave serbe brenda vetë politikës kosovare nuk prodhoi asnjë kosto reale. Aktualisht marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është ndalur, ndërkohë që dje, presidenti serb shprehu pakënaqësi për qëndrimin më të fundit të ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott, sipas të cilit në dështimin e dialogut nuk ka përgjegjësi vetëm Prishtina.
Është e qafrtë se protestat e nisura vendosën një pengesë në planin e shkëmbimit të kufijve, i mbështetur vetëm nga një palë. Dhe nëse shohim edhe vizitat e shpeshta të ambasadorit britanik në Tiranë, në selinë e PD-së, spekullimi i mediave serbe merr një farë kuptimi.
Ndalimi i planit për marrëveshje me korrigjim kufijsh, nëse vlerësojmë qëndrimin e ndryshuar të ambasadorit Scott, deri më tani mbështetës i madh i ndryshimit të kufijve, mund të ketë ardhur edhe për shkak se pakënaqësia për një dakordësim të tillë mund të provokonte protesta në masë dhe me gjasë ndryshim politik në Tiranë dhe në Beograd. Jo se nuk ka arsye të brendshme për të protestuar, por është e llogjikshme që kujdesi I treguar me opozitat në të dyja vendet të vihet në relacion jo me pasojat e vetëvrasjes, por me atë të një mbështetjeje që njëherë ngjan se vjen nga Gjermania dhe njëherë nga Britania. E qartë është se lodra e aventurierëve Thaçi-Rama-Vuciç sfidoi parimin e mazhorancës dhe konsesusit, pasi për çështje të tilla, edhe në Ballkan, nuk mund të vendosin 3 – 4 individë, por kërkohet diskutim më i gjerë.
Add new comment