Premtohet për të disatën herë ndërtimi i aeroportit të Vlorës
Qeveria e drejtuar nga Edi Rama duket se ka si zakon stinor përsëritjen e premtimit se në Vlorë do të ndërtojë një aeroport. Kryeministri gati tre vjet më parë premtoi se në vitin 2021 do të ngrihet avioni i parë, pastaj u kalua në procedura ligjore të posaçme, u fol për një konsorcium turk që do të investonte 100 milionë dollarë. Në fakt ende asgjë nuk është parë. Në Vlorë ka vetëm një aeroport dhe ky është aeroporti natyral i lagunës së Nartës prej nga ku ngrihen mushkonjat.
Qeveria ngatërron optimizmin me detyrat që ka, pasi një vit më parë ish-ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri deklaroi se brenda vitit 2018 do të niste puna për ndërtimin e aeroportit. Madje në një konferencë për shtyp përmes së cilës ai njoftoi ngritjen e grupit negociator, ai shprehur sigurinë se puna do të fillonte brenda vitit.
Sot zonja ministre e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka përsëritur premtimin por pa sqaruar se çfarë u bë me ligjin e miratuar, me konsorciumin turk dhe me elementët e tjerë për të cilën u bë shumë zhurmë gjithë këto kohë. Cila është ecuria e negociatave me palën turke etj.?
Lajmi për ndërtimin e një aeroporti është shumë i mirë në vetvete pasi ridimensionon rajonin e Vlorës jo vetëm në aspektin turistik, por është e vështirë të besohet qeveria kur premton pa patur ndonjë gjë konkrete dhe kur kryeministri i saj i ngazëllohet edhe realizimit të punimeve pjesore siç ishte ai para disa javësh në aksin Tiranë-Elbasan. Vepër të madhe dhe serioze ende nuk është parë nga kjo qeveri edhe pse duhet thënë se koncesonimet i ka patur jo të vogla. Ndoshta duhet pritur edhe ca…
Add new comment