Biznesi politik i ahengut
Jam shumë i lumtur që sot, Tirana e vërtetë, ata që jetojnë në Tiranë, që e duan Tiranën, që duan familjen e tyre më shumë se sa partinë, që duan që ky vend të ecë përpara më shumë se sa ata që duan ta shkatërrojnë, janë sot me shumicë
Kështu është shprehur sot kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj që organizoi Ditën e Verës më 17 mars, tri ditë më vonë nga data e vërtetë.
Zoti Veliaj ka një të drejtë. Po të shihje bulevardin “Dëshmorët e Kombit” sot, dyndja e njerëzve që bënin varavingo të lumtur dukej se nuk mbaronte. Ballokume dhe fara që shiteshin anës rrugës, familjarë që ecin me kokën nga stendat, foto, adoleshente që vrapojnë e kërcejnë nëpër miniskenat e improvizuara me veshjen standard tashmë: xhinse me shtrat të lartë, tërhequr deri mbi kërthizë dhe meshkuj që luajnë pingpong.
Tirana sot dukej e lumtur, e gëzuar. Ahengu është biznes shumë I rëndësishëm politik. Kontrolli i ahengut vjen i dyti pas kontrollit të Fjalës dhe jo më kot, z. Veliaj që ka një fjalor me disa qindra fjalë dhe pak fjali standard me kriter optimizmin, i është lëshuar ahengut.
Mirëpo vetë fjala e tij, vetë prezenca me artikulimin antiopozitar, ka bërë një dëm jo të vogël. Ka eliminuar neutralitetin e Ditës së Verës, një festë pagane që mbledh njerëzit për arsye që në të vërtetë nuk është se i dinë mirë edhe vetë. Dhe polarizimi qytetar-barbar, nënkupto katundar është një nga mjetet manipuluese të festës.
Me kaq katundarë sa ka Tirana, e kemi Veliajn edhe për 20 vjet
Ja sesi e përshkroi dikush atë që ndodhte sot në Tiranë, një qytet që tubon milet të madh shqiptarësh, por që nuk është qytet. Sepse nuk mund të kuptohet Qyteti pa dimensionin politik. Nuk ka qytete apolitike. Tirana mëton të bëhet i tillë. Hareja, kafeneja, qëndrimi kot, diskutimi në hava, apatia, rakia dhe marifeti me një drejtor, janë zeja e parë dhe më e dashur që një shqiptar mëson në këtë farë hapësire të urbanizuar. E cila përjeton fatkeqësinë e të qenit përherë në tranzicionin mes qytetarëve, apo më saktë vendasve, që bëhen dikur të tillë dhe të dyndurve që e fshatarizojnë dukjen e tij, por që në thelb nuk provojnë thjesht statusin social, por statusin e të qenit aksident në këtë qytet. Tirana është në fakt një seri aksidentesh sociale dhe historike.
Të rendësh pas haresë së pushtetit në këtë formë siç dëshmohet shpesh në Tiranë do të thotë ta përjetosh qytetin si një panair, apo karnevale ku meqë të ra rruga duhet të përfshihesh. Të festosh në këtë formë nënshtrimi, kur festa presupozohet se ka diçka të vullnetshme, në fakt manifeston dëshirën për t’u çmobilizuar dhe për ta lënë vetten si “qytetar” dorëzanë të qeverisë dhe pushtetit.
Ne festojmë edhe 1 majin, edhe 5 majin, edhe 14 Marsin, 17 marsin, 17 nëntorin, 28-29 nëntorin. Ne festojmë edhe 8 dhjetorin, madje edhe 20 shkurtin po qe se bëhet dikur datë. Ne i festojmë të gjitha festat fetare, urojmë dhe hamë mirë. Ne festojmë pushimin në të vërtetë, pavarësisht se në Shqipëri të gjithë janë pushim.
Dhe këtë mendësi që buron nga autoperceptimi si subjekte që duhet të falënderojnë pushtetin që po i begenis, si qenie pa vlerë që edhe gëzimin e kanë varaibël dhe funksion të një kryetari çfarëdo, zoti Veliaj me djallëzi e quan Qytetari. Patjetër që ai do të rrijë 20 vjet aty ku është. Patjetër që kjo lloj gjindjeje nuk do ta quajë për të madhe pse ai akuzohet dhe dokumentohet se vjedh, mashtron dhe betonizon. Ajo do shohë punën e vet, do kullosë sytë, do tallet…
Bukë dhe cirk, deviza e lashtë funksionon ende. A nuk ishim ne që qeshnim dhe qeshim ende me humorin bajat të emisioneve si “Portokalli”?
Na pëlqen gajasja, jo nënqeshja apo e qeshura, sepse e kuptojmë humori si dashamirësi të atyre që janë Lart, me të cilët argëtohemi kur sherrosen në Parlament. Kështu kemi lejuar që këta hajdutë profesionistë të depërtojnë brenda shtëpisë, të edukojnë përpara nesh fëmijët tanë, shijet e tyre, me të cilat mandej na duhet të luftojmë pafund. Pa sukses kuptohet sepse aty në rrugë sikurse në institucione budallallëku, shtirja dhe vjedhja janë kthyer në adamantiumin e pathyeshëm që përbën në fakt moralin e vërtetë të kësaj shoqërie që bën kryqin dhe çdo shenjë tjetër. Mjafton të gjejë gjuhën që të ruajë status quonë.
Add new comment