Marrëveshje Meta-Rama, Çanta e Baba Takut sekuestrohet për llogari të Autoritetit të Dosjeve

Postuar në 11 Mars, 2019 14:04

Çantës së zezë të Baba Takut duket se i ka ardhur fundi. Kur themi fundi e kemi fjalën për statusin e saj si një torbë ogurzezë për politikën e cila shëtit në imagjinatën e telespekatorëve dhe ushqehet e fryhet me frikën e politikanëve që druhen se mos diçka për ta fshihet në të.

Një parantezë e shkurtër biografike

Me Çantën e Baba Takut kuptohet një term i asociuar me sekrete të mundshme, dokumentare, video apo audio që presupozohet se administrohen dhe koleksionohen nga Spartak Braho, ish-kryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë. Ky term lindi gjatë çështjes Doshi-Meta dhe u hodh në qarkullim nga gazetarë pranë këtij të fundit me synimin e kërcënimit parandalues ndaj kundërshtarëve që synonin të provonin se z. Meta kishte urdhëruar vrasjen e z. Doshi. Qysh atëherë z. Braho ka luajtur mizaskenat e veta për të mbajtur gjallë këtë legjendë të politikë shqiptare së cilës i është kundërvënë kështu një mjet, hapësirë e hapur dhe e mbyllur njëkohësisht ku mbahen sekretet më të errëta të saj.

Fundi i Çantës

Kësaj situate i ka ardhur fundi. Burime të sigurta nga zyra e komunikimit e Kryeministrit Rama bëjnë me dije për "Të Kripura" se Çanta e Baba Takut do të sekuestrohet për llogari të Autoritetit të Dosjeve me kushtin ligjor të klasifikimit të të gjitha materialeve që ndodhen në të. Formalisht bëhet e ditur se z. Braho do të deklarojë dhurimin e çantës së zezë për të shmangur çdo keqkuptim dhe fyerje publike. Një nga arsyet e kësaj lëvizjeje thuhet se është marrëveshja shumë e afërt mes PS-së dhe LSI-së që parakalon kështu tendencat e PD-së për ndryshimin e Kushtetutës.

Zoti Meta ka kërkuar Çantën e Baba Takut në këmbim të marrëveshjes që nuk do të jetë bashkëqeverisje por do të rregullojë interesat e LSI-së në pushtetin vendor si dhe do të sigurojë një mandate të dytë presidencial për Metën.

Një arsye pse është e besueshme kjo gjë, lidhet me faktin se në Çantën e BT-së ka kryesisht materiale kompromentuese për përfaqësues të së majtës dhe pakti parashikon pushimin e çdo shantazhi në këtë drejtim.

Klasifikimi i materialeve të saj ka edhe një arsye tjetër. Është e ditur se prokuroria,  SPAK, apo Byroja Kombëtare mund të nisë hetim kryesisht nëse do të ketë deklarime publike për Çantën e famshme. Për të bllokuar çdo veprim në këtë drejtim, është menduar sekretimi i materialit dhe kalimi i tij në administrimin e Autoritetit.

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.